Prononcimi i plotë i ministrit Tahiri

Prononcimi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri pas takimit me drejtuesit e Policisë së qarqeve: 
Ministri Tahiri: Ne organizuam një takim me drejtuesit e Policisë në çdo qark dhe në çdo Komisariat për të rritur nivelin e shërbimit të punonjësve të Policisë ndaj qytetarëve. Gjatë këtyre kohëve kemi (siç besoj ju e dini) hapur Zyrat e Shërbimit Unik, që janë një qendër jo e vogël e shërbimeve ndaj qytetarëve, duke ofruar transparencë dhe mbi të gjitha zero korrupsion ndaj qytetarit.

Komisariati Dixhital është kthyer në një instrument mjaft të fuqishëm në telefonin e çdo qytetari për të denoncuar atë që deri dje nuk e denonconte për një mijë arsye.
Kemi plot motiv për të shpresuar që gjithçka kemi bërë deri më sot është një nxitje e mjaftueshme për të bërë akoma më shumë për t’i shërbyer qytetarëve në çdo qytet.

Dhe mbi të gjitha për të zbatuar prioritetin që kemi vënë punën përpara, për punën e Policisë lidhur me:
- luftën e informalitetit,
-luftën e paligjshmërisë,
-luftën kundër kriminalitetit
dhe mbi të gjitha shërbimin ndaj qytetarëve.

Është kusht i domosdoshëm që Policia e Shtetit të jetë në linjë të parë për t’i shërbyer qytetarëve pa korrupsion, pa bakshish, pa burokraci, pa vonesa, pa arrogancë, por me përulje dhe mirënjohje për besimin që i japin Policisë së Shtetit dhe që i kanë dhënë deri më sot.   

Pyetje: A ka dhënë efekt publikimi i numrit tuaj z. Tahiri në komisariatet e vendit? 
Ministri Tahiri: Po patjetër. Patjetër. Unë kam besim që publikimi i numrit tim personal është një mënyrë shtesë për të garantuar që qytetarët të gjejnë një adresë të fundit ku të ankohen në rast se Policia e Shtetit nuk përgjigjet ashtu siç duhet. Që nga ana tjetër në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësojë rrugën ligjore dhe institucionale të të bërit të ankesave apo çështjeve që kanë për të ngritur qytetarët  në Policinë e Shtetit. Jam shumë i vendosur që do ta vazhdojë duke publikuar në çdo komisariat, sepse besoj njerëzit kanë nevojë të shohin përulje dhe jo arrogancë nga ata që kanë detyrën për të drejtuar dhe për t’i shërbyer qytetarëve. Njerëzit kanë nevojë të shohin mbi të gjitha shërbim nga ata që kanë detyra më të larta dhe pastaj kështu me radhë nga të gjithë ata që janë ngarkuar me përgjegjësi për t’i shërbyer qytetarëve.

Pyetje: Sa Komisariate shtohen me strukturën e re të policisë?
Ministri Tahiri: Struktura po vazhdon të implementohet. Ka ende disa aspekte që jemi duke i riparë. Ka disa kritere për shtimin e komisariateve në territorin e Republikës së Shqipërisë, që janë kritere ligjore dhe që kanë të bëjnë me policimin si nga pikëpamja e veprave penale në histori, si nga pikëpamja e lëvizjeve demografike, si nga pikëpamja e dendësisë së popullsisë ashtu edhe nga pikëpamja e domosdoshmërisë që kemi ne për t’i dhënë shërbim qytetarëve në zona të caktuara.
Jemi në vlerësimin maksimal për të garantuar që në çdo njësi dhe në çdo Bashki të ketë shërbim policor, në qoftë ky pastaj komisariat apo Postë policore kjo është një gjë që pak rëndësi ka nga pikëpamja strukturore. Më shumë rëndësi ka që qytetarët të gjejnë një adresë për Policinë e Shtetit, të aksesueshme, të kollajtë, ku mund të shërbehen dhe mund të zgjidhin problemet e tyre.

Pyetje: Nisur nga rasti i fundit i zotit Strazimiri i cili nuk kishte dorëzuar armën e tij. Rezulton që ka shumë zyrtarë të lartë si ish-kryetar komunash, gjyqtar, prokuror dhe deputet që ende nuk e kanë dorëzuar pistoletën në bazë të ligjit të ri për armët. A keni një apel për të gjithë këta zyrtarë dhe çfarë penalitetesh sanksionohen për këta persona nëse nuk e dorëzojnë?

Ministri Tahiri: Lajmi i mirë është që zoti Strazimiri e dorëzoi sot pistoletën dhe të paktën nuk vazhdoi të ishte në paligjshmëri dhe shpresoj të na kursej në të ardhmen, ai dhe e gjithë çeta skenat e tubimeve ku dhunohen punonjësit e policisë dhe ku deputetët mbajnë armën me vete.
Në ligjin që është miratuar në parlament vitin e kaluar, kemi sanksionuar që funksionarët e lartë nuk duhet të kenë armë. Nuk duhet të pajisen me armë gjyqtarët, prokurorët, kryetarët e bashkive dhe deputetët nuk duhet të pajisen me armë në rast se nuk kanë shqetësim. Në eventualitetin kur policia vlerëson pas kërkesës tyre që ka arsye të bazuara për të vlerësuar shqetësimin që paraqet vetë zyrtari, atëherë mund të pajisen me armë por në të gjitha rastet jo në trup. 
Ligji i ri nuk  e parashikon në asnjë rrethanë mbajtjen në trup të armës nga cilido zyrtar. Për më tepër që legjislacioni në fuqi e ndalon në mënyrë kategorike mbajtjen e armëve nga pjesëmarrësit në çdo tubim a protestë – përveç Forcave Speciale të Policisë. (Kjo për t’i dhënë një përgjigje të gjithë atyre që thonin “Përse Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ishin edhe me armatim në protestë?”).

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit i ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve që deri më sot nuk kanë dorëzuar armë, t’i dorëzojnë, sepse nuk i duhen askujt. Ne na duhet kontributi i të gjithëve për ta bërë Shqipërinë më të sigurt, më të qetë, më të paqtë dhe më të denjë për jetën e qytetarëve. Dhe kjo nuk arrihet duke pasur deputetë apo gjyqtarë që mbajnë armë në brez.

Nuk bëhet në këtë mënyrë Shqipëria më e sigurt. Nuk ka zgjidhje nga asnjë lloj tentative për “të pasur armë se kështu bëhet drejtësi”. Kjo nuk është drejtësi në pikëpamjen ton, të cilën e kemi formalizuar dhe me ligjin që kemi votuar në Parlament. Armëmbajtja duhet të jetë ngushtësisht dhe rreptësisht e kufizuar për ata që kanë një detyrë shtetërore për të garantuar rendin dhe qetësinë publike. Në të kundërt, të tjerët janë të patitulluar të kenë një armë. 

Pyetje: Lidhur me ata që nuk  e kanë dorëzuar armën dhe që do ta neglizhojnë urdhrin e Policisë për ta bërë këtë... 
Ministri Tahiri: ... për ne janë në shkelje të ligjit. Unë kam informuar sot edhe Kryetarin e Kuvendit për detyrimin që kanë deputetët për të dorëzuar armët. Janë njoftuar nominalisht nga Policia të gjithë ata zyrtarë që kanë mbajtur armë dhe që duhet t’i dorëzojnë. Ky është një detyrim absolut që të mos ndodhë më të kemi skena ku opozita del në protestë dhe deputetët e opozitës të jenë të armatosur.
Ne na duhet Opozita që të jetë aktive. Na duhet Opozita që të zgjedhë prioritetet e saj (edhe atëherë kur janë kundër qytetarëve dhe kundër zhvillimit të qytetit) por na duhet një opozitë e paarmatosur. Kjo është pak por e sigurt.
 
Pyetje: A ka shumë zyrtarë që nuk e kanë dorëzuar armën? 
Ministri Tahiri: Statistikat i ka Policia.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Shkëlzeni po na tregon, kush nuk ka qenë në takim