Prononcimi për media i ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, pas mbledhjes së grupit parlamentar në selinë e Partisë Socialiste

Prokuroria dhe Policia po hetojnë. Sot ka njerëz që dalin para Gjykatës. Kështu që deklarata e zëdhënëses së Aeroportit më duket e çuditshme. Gjithsesi, unë besoj se hetimi do zbardhë të gjitha përgjegjësitë e të gjitha organeve. Sigurisht është ngjarje shumë e rëndë, sepse cënon realisht jo vetëm rendin publik, por dhe sigurinë kombëtare.

Ashtu siç ju ftoj dhe ju të jeni më të vëmendshëm në informimin e opinionit publik lidhur me institucionet që kanë përgjegjësi për sigurinë në Aeroportin e Rinasit.
Ka që nga viti 2004 një kontratë koncesionare e cila ndalon Policinë të kujdeset për sigurinë në Aeroportin e Rinasit. Policia kujdeset vetëm për sigurinë e udhëtarëve në terminal. Kur keni dëgjuar që “policia forcon masat në kuadër të luftës kundër terrorizmit” bëhet fjalë për masat në terminalin e udhëtarëve. Policia në Shqipëri dhe në gjithë vendet e botës kujdeset për udhëtarët – do të thotë në terminal. Kjo dhe sipas kontratës koncesionare.

Unë besoj se kontrata koncesionare duhet minimumi riparë. Sepse në këtë mënyrë nuk mund të ecet përpara me lojë të paprinciptë në publik, me kukafshehti, kush e ka fajin, e kështu me radhë.

Jeni njohur, ashtu si dhe unë, që teste të njëpasnjëshme kanë treguar dobësi themelore të sigurisë për shkak të përgjegjësisë direkte të koncesionarit dhe asaj kompanisë që paguhet nga taksat e shqiptarëve për të ruajtur sigurinë në Aeroportin e Rinasit - dhe ndërkohë ka dështuar ta bëjë këtë punë.

Ose të kontraktohet Policia e Shtetit për ta bërë atë detyrë, ose të shihet në themel kontrata koncesionare.

Por ky është mendimi im personal. Kjo mbetet për t’u gjykuar nga të gjitha instancat, nga qeveria deri te Parlamenti që e rishikon kontratën me koncesionarin. Unë besoj se ka shumë për të bërë. Ashtu siç besoj se dhe vetë Policia e Shtetit ka shumë për të bërë në këtë rast për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e ngjarjes.  Dhe kam shumë besim se nuk do jetë e largët dita kur autorët do arrestohen dhe do mbajnë përgjegjësi një-më-një përpara ligjit.

Por deri në atë moment, na duhet të shohim sistemin i cili duhet të garantojë paprekshmërinë. Na duhet të vlerësojmë të gjithë mekanizmat e sigurisë në Aeroportin e Rinasit që duhej domosdoshmërisht të parandalonin. Në një bankë të nivelit të dytë të hysh dhe dera nuk hapet nëse nuk ta hap operatori brenda. Po si mund të huhet në Aeroportin e Rinasit dhe askush nuk e merr vesh, por e marrin vesh pasi del makina?

Pyetje: Zoti Tahiri, zëdhënësja e Aeroportit thotë se Policia ka qenë aty ku ka ndodhur ngjarja por nuk ka ndërhyrë…

Ministri Tahiri: Unë nuk merrem aspak me detajet e ngjarjes. Ato po i heton Prokuroria. Nëse Policia do kishte përgjegjësi besoj që sot do ishin duke mbajtur ato njëlloj siç mbajnë përgjegjësi ata të kompanisë private të sigurisë dhe të koncesionarit të Aeroportit.

Pyetje: Kontrata u ripa kur u rishikua shkurtimi i afatit? Pse nuk është parë edhe kërkesa e sigurisë së aeroportit?

Ministri Tahiri:  Unë them që jemi në kohë për të garantuar maksimumin që sistemi të mos dështojë. Shqipëria, si çdo vend i botës, ia ka besuar me një kontratë koncesionare sigurinë dhe menaxhimin e të gjithë aeroportit një kompania private që në vitin 2005. Në këto kushte kompania duhet të plotësojë detyrimet.
Nuk po shmang përgjegjësinë e Policisë së Shtetit. Sepse besoj që Policia e Shtetit duhet të bëjë më shumë. Kemi bërë shumë për të garantuar sigurinë në vend. Për të pastruar policinë nga të korruptuarit. Për të luftuar kriminalitetin, paligjshmërinë, krimin e organizuar, korrupsionin, po ka shumë për të bërë.
Unë jam i pari që për shkak të kësaj vetëdije kërkoj shumë më shumë nga Policia. Por, gjithsesi jam i pari që refuzoj që për çdo gjë që ndodh në këtë vend t’i drejtohet gishti Policisë.

Pyetje: Z.Tahiri Lëvizja Socialiste për Integrim ka shkuar deri në kërkimin e shkarkimit?
Ministri Tahiri: Unë besoj që jemi në kohë të shohim sistemin e sigurisë në Aeroportin e Rinasit. Kjo është më e rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe për sigurinë e tyre në Aeroportin e Rinasit. Kaq ka rëndësi.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Iu gjet 16 kg kokainë në makinë, arrestohet 29-vjeçari shqiptar në Itali