Pyetje: A eshte zbardhur grabitja e Rinasit, lidhet dhe me tematikën e sotme të diskutimeve sepse Rinasi ruhej me një kompani private...
Ministri Tahiri: Ne po vazhdojmë. Unë nuk kam asnjë lloj autorizimi që të zbulojë pjesën tjetër të Policisë lidhur me ngjarjen. Jam shumë i kënaqur nga ecuria e këtij takimi. Por ajo që mbetet për t’u diskutuar në lidhjen e analizës për atë që ka ndodhur dhe masave që duhen marrë për të mos u përsëritur më në të ardhmen. Është praktikisht ajo që thashë me përfaqësuesit e Policive Private. Janë mbi 9 000 policë privatë që sot janë gati një ushtri skllevërish.
Paguhen me shuma qesharake: 150 mijë lekë të vjetra, 180 mijë lekë të vjetra, 200 mijë lekë të vjetra. Kur ndërkohë paga minimale e paraparë nga ligji është 330 mijë lekë të vjetra. Dhe me paga të tilla qesharake siç deri sot është e pamundur të kemi standard sigurie ashtu siç e kërkojmë.
Sot janë 9000 policë privatë, më shumë sesa vetë Policia e Shtetit. Dhe kontributi i tyre për sigurinë, jo vetëm për sigurinë e objekteve, por edhe për sigurinë publike është thuajse zero. Është hera e parë që këtë treg e shohim në këtë perspektivë. Por, besoj është e mjaftueshme për të trajtuar një shqetësim të vazhdueshëm që kanë marrë nga punonjësit e Policive Private. Një shqetësim tonin me inspektimet që ka bërë Policia. Dhe një çështje për t’u adresuar një orë më parë.
Ata 9000 policë privatë do këmbëngulim që brenda muajit të marrin pagën minimale të parashikuar nga ligji.
Pyetje: Më shumë se 30 policë, thonë lajmet, në përgjime në lidhje me dyshimet për ndihmë në kultivimin e drogës. Keni një koment?
Ministri Tahiri: Unë përpiqem të bëj shumë mirë punë time. Nuk kam arritur ende të bëj punën e redaktorëve të lajmeve. Nuk e kam bërë unë këtë lajm. Kështu që mund të pyesni kush e ka bërë këtë lajm. E rëndësishme për ne është të garantojmë që siguria të mos jetë vetëm një investim ekskluziv dhe të mos perceptohet si i tillë nga shoqëria, pra si një investim ekskluziv i Policisë së Shtetit apo institucioneve në tërësi. Kanë rol pa asnjë diskutim Policitë Private. Janë rreth 9 mijë policë privatë që nuk duhet të nënpaguhen më dhe ne do bëjmë çfarë është e mundur për ta përcaktuar këtë detyrim, ashtu si ka një rol shumë të madh edhe institucionet e tjera dhe shoqëria në tërësi.
Pyetje: Mendoni se do ta shesë dikush Balilin për 50 milionë lekë...
Ministri Tahiri: Për mua ka rëndësi që ata 9 000 policët privatë nga 150 mijë lekë të vjetra nga 180 mijë lekë të vjetra të paguhen aq sa e parashikon ligji 330 mijë lekë të vjetra. Dhe pastaj do ta shikoni patjetër që Shqipëria do të jetë shumë më e sigurt. Shteti do të jetë shumë më i fortë, vetëm duke marrë këto masa të cilat deri më sot i kemi injoruar. Jemi në këtë fazën e sigurimit me një përmirësim fare-fare të dukshëm në raport me të kaluarën. Sepse policia ka marrë masa drastike dhe sot është në krye të detyrës pa asnjë diskutim. Për të pasur një standard tjetër sigurie ne na duhet të marrim masa më shumë. Kompanitë private të marrin masa më shumë. Policitë private të marrin masa më shumë. Bizneset të marrin masa më shumë. Institucionet e tjera të marrin masa më shumë, për të evituar konfliktin, për të parandaluar ngjarjet kriminale. E gjitha është një sipërmarrje harmonike e të gjithë aktorëve që kanë mundësi të kontribuojnë.
Pyetje: A ka nisur të zbarohet ligji për masat shtesë të sigurisë? A kanë filluar të vendosen kamerat si parashikohej në ligj?
Ministri Tahiri: Jemi në fazën e konsultimit me të gjithë aktorët e interesit. Unë kam akoma për të firmosur një urdhër që është shumë i rëndësishëm lidhur me llojin e masave të sigurisë që do marrë çdo aktor. Ndaj jemi në fazën e konsultimit. Ky takim është pak a shumë në këtë kuadër, por nis tek paga minimale e punonjësve të policisë. Ata 9 000 policë privatë nuk mund të jenë skllevër. Ata duhet të jenë policë privatë të mirëpaguar dhe të aftë të bëjnë detyrën jo vetëm për kompaninë për të cilën i kontrakton, por edhe për qytetarin dhe shoqërinë.