Maqedonia e Veriut nuk e ka problem që të fusë kombësinë bullgare, si bashkësi etnike në Kushtetutë.  Deklarata është bërë sot nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili gjithashtu ka nënvizuar se kjo nënkupton se në vendin Maqedoninë e Veriut ka nacionalitete të ndryshme, që kanë të drejtë të tregojnë atributet e tyre.

 “Kërkesa për futjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë nuk është në kundërshtim me interesat tanë, sepse Bullgaria zhvendoset nga pozicioni fillestar i një populli në dy shtete, në pozicionin ku thonë se ka një komunitet bullgar me atribute të identitetit dhe kulturore, ndryshe nga komuniteti shumicë”, deklaroi Osmani.

I pyetur nëse Maqedonia e Veriut do të kërkojë reciprocitet në këtë çështje me Bullgarinë, ministri Osmani tha se “për dallim prej vendit tonë, Kushtetuta e Bullgarisë nuk njeh organizimin e qytetarëve në bazë të etnisë”.

“Ky reciprocitet nuk është i mundur pasi Republika e Maqedonisë së Veriut e ka për obligim, sipas marrëveshjes, që nuk do të përzihet në rendin e brendshëm të Republikës së Bullgarisë, respektivisht në këtë rend kushtetues që nuk njeh organizimin në bazë nacionale”, pohoi Osmani.

Kujtojmë se nga Sllovenia dje, presidenti i Bullgarisë Rumen Radev u shpreh se përderisa Shkupi nuk e pranon të vërtetat historike në raport me Bullgarinë, ashtu siç bëri me Greqinë, Sofja nuk do të lëvizë nga qëndrimi i fundit dhe zhbllokimi i rrugës drejt BE-së. Radev kërkoi që “bullgarët maqedonas të figurojnë në regjistrim e popullsisë”.