TIRANE- Një propozim suprizë ka ardhur dje nga kryetari socialist i Komisionit Kuvendor të Ekonomisë, Erjon Braçe. Sipas tij, e vetmja mënyrë për të përballuar situatën e degjeneruar në luftë bandash mafioze në zonën krommbajtëse të Bulqizës, është të shtetëzohen minierat e kësaj zone.
Në një mesazh në FB, Braçe konstaton se krimi ka kapur një prej sektorëve më fitimprurës të ekonomisë: industrinë e nxjerrjes së kromit!. Vrasjet në Bulqizë e Tiranë, kohë pas kohë, janë të lidhura me përfitimet marramendëse në këtë sektor të ekonomisë. Përfitime këto, sipas tij, që vijnë nga lejet koncesionare, çmimi i lartë i produktit dhe evazioni i llahtarshëm fiskal. “Një grusht ‘biznesmenësh’ pasurohen, shteti e shoqëria marrin hiç! Madje më keq: shteti e shoqëria vuajnë traumën e larjes së hesapeve mes këtij grushti ‘biznesmesh’.

Ka 8 vjet që ndodh kështu dhe struktura kriminale tani është konsoliduar, forcuar, pasuruar aq sa shpesh, gjithnjë e më shpesh, flitet për një dysheme pasurie për çdo ‘familje’ që kontrollon vrimat apo stoqete kromit; vlera e përmendur është mbi 20 milionë dollarë për secilin”, shprehet ai.

Sipas deputetit të PS, ministri i Industrisë po bën në tre muaj më shumë seç është bërë në 8 vite për të vënë rregull në sektorin e kromit. Por, në kushtet e kriminalizimit të thellë, në kushtet kur çdo përpjekje për rregull thjesht gërvish pasurinë shumëmilionëshe të kësaj strukture kriminale, Braçe kërkon një zgjidhje radikale, që është “shtetëzimi i të gjithë zonës minerare të kromit në rrethin e Bulqizës, pra kthimin e të gjithë pasurisë minerare tek shteti”.

Erjon Braçe shprehet më tej se e kupton që do të krijohen probleme sociale për disa javë për shkak se kjo strukturë kriminale përdor njerëzit në nevojë për t’u mbrojtur, por kjo është e përkohshme, sipas tij. “Një plan i tërë zhvillimi i gjithë zonës minerare është detyra jonë dhe këtë duhet të bëjmë! Jashtë krimit dhe larg interesit të tij”, përfundon ai mesazhin në FB.

Formula e propozuar nga Braçe është cilësuar si një rrugë jo e përshtatshme, sipas anëtarëve të tjerë të këtij Komisioni, të kontaktuar dje nga Shqiptarja.com, të cilët preferuan të ruajnë anonimatin. Ata theksuan se tjetër gjë është të luftosh korrupsionin dhe krimin, që ka zënë vend pikërisht si pasojë e dështimit të qeverisë Berisha për të zbatuar ligjin, dhe tjetër gjë të bësh të funksionojnë normalisht institucionet ekzistuese në bazë të ligjeve në fuqi.

Shtetëzimi i naftës u zbatua në Venezuelë
Formula e shtetëzimit të sektorëve të veçantë strategjikë aktualisht nuk përdoret në vendet ku sundon ekonomia e tregut. Një veprim i tillë u krye nga ish-presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, i cili fitoi armiqësinë e Shteteve të Bashkuara dhe të shumë vendeve të Amerikës Latine për politikat e tij tepër të majta, të shtetëzimit të kompanive të mëdha të naftës dhe për mbështetjen për udhëheqës të tillë si Fidel Kastro të Kubës, Mahmoud Ahmadinejad të Iranit dhe Mohamar Gadafin e Libisë.
Sipas ekspertëve, shtetëzimi nuk është metoda më e mirë për menaxhimin e burimeve natyrore. Shteti gjithnjë është pronar i nëntokës, ndërkohë që menaxhimi që i jepet privatit me koncesione ka sjellë më shumë rezultate në vende ku funksionon shteti. Kthimi prapa është pranim i dështimit të tij.

 
Shkrimi u publikua sot (19.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)