Më mirë një vit kontratë me opsionin edhe për sezonin 2027-28, apo direkt kontratë dy vjeçare? Luciano Spalletti, për momentin, zgjedh tre pikët në Udine, një etapë thelbësore në garën për një vend në Champions League, ku do të ketë edhe Vlahovic mes të grumbulluarve.

Është një ndeshje kyçe për Juventusin, që ka 70 ditë kohë për të siguruar të paktën 70 milionë euro nga Champions League 2026-27. Miliona, që gjithsesi nuk do ta ndryshojnë të ardhmen e trajnerit Spalletti. “Zonja” ka vendosur të vazhdojë me të dhe trajneri është dakord ta vazhdojë aventurën bardhezi. Data e firmës së rinovimit është shumë afër.

Janë bërë të ditura tashmë edhe dy opsionet për kontratën e re; 12 muaj me opsionin edhe për vitin pasardhës, ose direkt 24 muaj. Tani trajneri Spalletti duhet të zgjedhë njërin prej tyre. Kohëzgjatja e kontratës nuk është një detaj, edhe pse në lojë janë paratë. Klubi është elastik në këtë drejtim.

Spalletti më shumë duket i interesuar për merkaton se sa për firmën e rinovimit. Nëse rinovon për një sezon, trajneri i Juventusit do të përfitojë 7 milionë euro (6 plus bonuse), ndërsa po firmosi direkt për dy vjet të tjara, ai do të marrë 5 milionë euro në vit. Më shumë mundësi ka varianti i parë. Në çdo rast, Spalletti nuk e nis kampionatin e ardhshëm në skadencë kontrate, falë klauzolës së parashikuar për sezonin 2027-28. Dialogu mes palëve është pozitiv, vendimi final pritet javën e ardhshme.