PD i kërkon Kuvendit të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar propozimin e saj ligjor, përmes të cilit synon uljen e çmimit të naftës.

Me firmë të 36 deputetëve opozitarë, PD thotë se ky projektligj duhet të votohet në seancën plenare të 16 prillit për vetë urgjencën e çështjes dhe rëndesës ekonomike që ka mbi qytetarët.

“Ligji synon të adresojë mungesën aktuale të një mekanizmi të integruar reagimi ndaj krizave energjetike, duke vendosur procedura të qarta për shpalljen e gjendjes së krizës në sektorin e hidrokarbureve dhe për aktivizimin e menjëhershëm të masave përkatëse”, thotë PD.

Nisma ligjore e demokratëve u depozitua në kuvend disa ditë më parë dhe parashikon vendosjen e akcizës së ndryshueshme për lëndët djegëse si dhe uljen e taksës së qarkullimit. PD thotë se nëse kjo masë do të aplikohej, sot çmimi i naftës nuk do të ishte më i lartë se 180 lekë për litër.