TIRANE – Një i ri shqiptar është ekstraduar nga Italia në Shqipëri ku akuzohet për kryerjen veprës penale të marrëdhënieve seksuale me persona të mitur. Në vitin 2010, ndaj Engjëll Balla, 24 vvjeç, Gjykata e Durrësit kishte dhënë masën “arrest me burg”. Ai akuzohet gjithashtu edhe për veprën penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në nëntor të vitit 2010 Balla është ndaluar nga policia kroate pasi kishte kaluar kufirin shqiptar në mënyrë të paligjshme. Në atë moment ai shoqërohej nga një shtetase e mitur, e moshës 14 vjeç. Pas hetimeve të përbashkëta të policisë kroate dhe asaj shqiptare u arrit në përfundimin se vajza e vogël do të dërgohej në Belgjikë ku do t’i bashkohej rrjetit të prostitucionit.

Me sa duket Balla kishte arritur të largohej dhe më 17 janar të këtij viti ai është ndaluar përsëri në Aosta, Itali, nga agjentët italianë të Interpolit. Sot ai është ekstraduar nga Milano drejt Shqipërisë me kërkesë të Interpol Tirana.

(im/shqiptarja.com)