Përmes një emaili drejtuar shtetasve amerikanë në Shqipëri, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bën thirrje të shmangin vendet ku nesër opozita do organizojë protestën e saj. 

Në njoftimin e ambasadës amerikane u kërkohet shtetasve amerikanë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri të shmangin qëndrimin përpara Kryeministrisë, sheshit "Skënderbej" dhe sheshit "Nënë Tereza". 

Gjithashtu, ambasada amerikane kërkon nga shtetasit e saj që të mbajnë një profil të ulët gjatë tubimit ditën e shtunë. "Një protestë është planifikuar të zhvillohet në 27 janar 2018, e cila nis në orën 10:00. Protesta zhvillohet kundër qeverisë shqiptare. Personeli i ambasadës amerikane dhe anëtarët e familjeve janë të urdhëruar të shmangin këto vende ku do zhvillohet protesta: 

- Shmangni Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", veçanërisht selinë e qeverisë, sheshin Skënderbej, sheshin Nënë Tereza

- Të jeni të vetëdijshëm

- Monitoroni mediat për informacionet e fundit  

 - Mbani profil të ulët".


ambasada njoftim
(Njoftimi i ambasadës së SHBA drejtuar shtetasve të saj)

Ambasada italiane: Shmangni zonat ku do protestohet
Edhe ambasada italiane në Tiranë ka kërkuar nga shtetasit e saj në Shqipëri që të shmangin vendet ku do zhvillohet protesta e nesërme e opozitës. Përmes një njoftimi, ambasada italiane u bën thirrje shtetasve të qëndrojnë larg sheshit "Skënderbej" dhe Bulevardit "Dëshmorët e Kombit". 

"Është planifikuar të organizohet të shtunën në 27 janar në Tiranë një protestë që do të fillojë në orën 12.00 dhe do të nisë nga blloku, sheshi Skënderbej, Bulevardi Bajram Cuerri dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit për t'u mbledhur përpara selisë së Këshillit të Ministrave. Rekomandohet të keni kujdes dhe të bashkëpunoni me autoritet", thuhet në njoftimin e ambasadës italiane. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com