Një person është arrestuar ndërsa 6 të tjerë janë në hetim në gjëndje të lirë pas dhunës së ushtruar dje para bashkisë së Tiranës gjatë protestës së thirrur nga Partia Demokratike e Sali Berishës dhe Partia e Lirisë e Ilir Metës.

Shqiptarja.com dhe Report Tv mëson se ai është Bledar Krasniqi, 39 vjeç dhe siguron videon e momentit kur ai me fytyrë të mbuluar hedh 2 copa molotovë drejt godinës së bashkisë së Tiranës. Një tjetër ia ndez. 

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, arrestoi në flagrancë shtetasin:

Bledar Krasniqi 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Prishja e qetësisë publike", "Goditjet për shkak të detyrës", "Shkatërrimi i pronës me zjarr", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse", dhe "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".

Gjithashtu, procedoi në gjendje të lirë shtetasit E. P., 24 vjeç, D. P., 62 vjeç, R. D., 20 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, dhe P. O., 66 vjeç, për veprat penale "Prishja e qetësisë publike", "Shkatërrimi i pronës", dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" informoi sot policia e Tiranes.

Video u sigurua nga gazetari Sokol Dema. 

Protesta e opozitës për dorëheqje të Erjon Veliajt pritet të rikthehet sërish më 21 qershor.