TIRANË-Katër protestuesit e Rithemelimit dhe të Partisë së Lirisë, të arrestuar pas protestës që u zhvillua para bashkisë së Tiranës mesditën e 19 prillit, janë liruar nga qelia.

Gjykata e Tiranës caktoi sot (22 prill) masën 'detyrim paraqitje' dhe ndalim i marrjes pjesë në vendet publike ku ka grumbullime, për të 4 protestuesit.

Konkretisht në masën detyrim paraqitje janë lënë Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, të dy 18 vjeç, Franc Kaloshi, 35 vjeç dhe Artan Muçmata, 53 vjeç.

'Kam qenë në protestë. Jam anëtar i kryesisë së PD-së në Laprakë, jam biznesmen. Nuk kam qëlluar asnjë. Kam respekt për uniformën e policisë së shtetit. Kërkoj nga drejtësia vetëm drejtësi.'- tha Franc Kaloshi.

Ndërsa Artan Muçmata, tha pas kafazit prej xhami se policia i ka keqtrajtuar.

“Na kanë trajtuar… edhe rripin e pantallonave na kanë hequr.’- tha njëri prej tyre.

Në mbështetje te tyre kanë qenë të pranishëm në gjykatë disa qytetare dhe deputetë të Rithemelimit.

Në kërkim janë shpallur 7 protestues, ata janë Avni Tobli, Rubin Dashi, Joni Hoxha, Besim Ziri, Besar Gjeçaj, Erjon Prenga dhe Alfred Pellumbi.

Organizatorët e kësaj proteste, sipas bluve, ishin Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Tedi Blushi, nën drejtimin e të cilëve është tentuar të çahet kordoni i policisë, moment kur ka ndodhur edhe konfrontimi fizik dhe janë hedhur sende të forta dhe molotov.

Pas përfundimit të protestës ekspertët e kriminalistikës mblodhën në vendin e ngjarjes të gjitha provat, mes të cilave u sekuestruan si prova materiale objekte dhe sende të hedhura nga protestuesit, të cilat u dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike. Policia administroi pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Hedhja e dhjetëra molotovëve rrezikoi jetën e policëve që ishin aty për të garantuar rendin dhe sigurinë e protestës.