Protesta e 26 nëntorit/ Goditën e ofeduan policët, 15 deputetë të opozitës hetohen si organizatorë! Arrestohen 2 militantë, 64 në hetim (EMRAT)

Tirane-   15 deputetë të opozitës u vunë në hetim për aktet e dhunës në protestën e 26 nentorit 2024, bashkë me 64 protestues që bllokuan qarkullimin dhe në një rast dhunuan edhe qytetarët.

Për episodin e dhunës ndaj uniformave blu gjatë protestës kombëtare së opozitës dje në Tiranë, deputeti demokrat Flamur Noka u vu në hetim në gjendje të lirë nga policia për “Goditjet për shkak të detyrës”.

Ndërkohë Noka dje nuk kurseu as zv/drejtorin e Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, i cili me qetësi, nuk reagoi.

Për bllokimin 3 orë radhazi të 5 kryqëzimeve kyçe të Tiranës, policia vuri në hetim të lirë edhe 14 deputetë të opozitës për pengimin e qarkullimit, bashkë me organizatorin e protestës Ervin Minarolli.

Policët nuk i kurseu me fjalor denigrues Bledion Nallbati, gjithashtu në hetim.

Përplasje me policinë pati edhe Gazment Bardhi i vendosur pranë sheshit Uilson, aty ku policia me ndërhyrjen me ujë dhe gaz lotsjellës hapi qarkullimin për automjetet, duke i detyruar grupin e deputetëve aty, t’i bashkohen të tjerëve vendosur para bashkisë së Tiranës.

Ilir Hamedani, 53 vjeç, një militant i PD u arrestua në flagrancë, pasi goditi me grushte një shofer të bllokuar nga protesta te Zogu i Zi, ku protestuesi kishte zënë rrugën me makinën e tij. Sokol Ndoja gjithashtu përfundoi në pranga, në akuzë për pengim qarkullimi dhe kundërshtim të policisë.

Në këtë pikë të bllokimit te Zogu i Zi, pëplasje me rendin pati dhe deputeti Oerd Bylykbashi..

Për shkak të bllokimit të rrugëve, mosbindjes ndaj policisë dhe prishjes së qetësisë publike policia shoqëroi edhe 64 protestues, të cilët janë në hetim në gjendje të lirë.

Partia Demokratik dhe ajo e Lirisë bllokuan për 3 orë kryqëzimet te Rruga e Elbasanit, pranë bashkisë Tiranë, te sheshi “Uillson”, Pallati me Shigjeta dhe Zogu i Zi. Policia garantoi zhvillimin e tubimit si një e drejtë kushtetuese, por bllokimin e rrugëve e konsideroi të paligjshëm, çfarë e detyroi të ndërhyjë për shpërndarjen e turmave.

Pa fjalime e pankarta dhe më një numër të paktë pjesëmarrësish, mosbindja civile qëndroi gjatë pa asnjë aksion, duke shfaqur tendencën për të kapur medoemos 3 orë bllokim.

Gjithsej po hetohen në gjendje të lirë 82 persona, mes tyre janë dhe 16 deputetët organizatorë.

Emrat e 16 deputetëve dhe eksponentëve të PD-së në hetim nga policia:
 1- Ervin Minarolli (Sekretar për Organizimin dhe Burimet Njerëzore në PD)
 2- Flamur Noka, deputet i PD-se
 3- Gazment Bardhi - deputet i PD-se
 4- Oerd Bylykbashi - deputet i PD-se
 5- Luan Baçi - deputet i PD-se
 6- Bledion Nallbati - deputet i PD-se
 7- Lefter Gështenja - deputet i PD-se
 8- Saimir Korreshi - deputet i PD-se
 9- Asllan Dogjani - deputet i PD-se
10- Albana Vokshi - deputet i PD-së
11- Petrit Vasili - deputet i Partisë së Lirisë
12- Petrit Doda -  deputet i PD-së
13- Isuf Çela - deputet i PD-së
14- Andia Ulliri - deputet i PD-së
15- Greta Bardeli -  deputet i PD-së
16 - Lindita Metaliaj - deputet i PD-së

Çfarë ndodhi ne protesten e 26 nentorit 2024
Pasditen e djeshme për rreth 3 orë militantët e PD dhe disa prej mbështetësve të opozitës ishin ndarë në disa pika të ndryshme të Tiranës, duke tentuar bllokimin e trafikut dhe vijimin e aksionit të tyre të mosbindjes civile. 

Pati përplasje me policinë, teksa deputeti Flamur Noka i pozicionuar tek Rruga e  Elbasanit, qëlloi një prej efektivëve. Ndërsa në sheshin Uilson dhe tek bashkia, policia përdori autobotin me ujë për të shpërndarë protestuesit. Tek sheshi Uilson u hodh fillimisht edhe gaz lotsjellës.

Tek Zogu i Zi situata ishte më e qetë, teksa trafiku u lirua 1 orë pas fillimit të protestës. Ndërsa tek Pallati me Shigjeta pati tensionet dhe shtyrje të qytetarëve me policinë. Së fundmi, protesta u mbyll tek bashkia e Tiranës dhe më tej filluan shqoërimet e para nga policia në komisariatet e kryeqytetit. 

Përpara nisjes së protestës ditën e djeshme, DVP e Tiranës i dërgoi një shkresë sekretarit të PD-së Flamur Noka dhe informoi qytetarët se bllokimi i qarkullimit rrugor është vepër penale. Ata informuan Nokën se organizatorët e protestës që bllokon qarkullimin do mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.  

G.K/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, pensionistët nisin marrjen e abonesë falas

Tiranë, pensionistët nisin marrjen e abonesë falas