Protesta e opozitës, Patozi: Edi
Ramës "i djeg" që tani 8 dhjetori

Protesta e opozitës, Patozi: Edi<br />Ramës "i djeg" që tani 8 dhjetori
TIRANË - Deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi i ktheu përgjigje kryeministrit Edi Rama për batutat që hodhi ndaj opozitës për "revolucionin e 8 dhjetorit". Edhe pse ju duk i çuditshëm që kreu i qeverisë e përmendi shpesh protestën e opozitës gjatë fjalimit të tij prezantues për projektbuxhetin, Patozi tha se prej muajsh kjo qeveri ka rënë. Protesta e 8 dhjetorit - shtoi ai - është një kambanë për kryeministrin e Edi Rama i cili sipas tij që sot po përgatit terrenin për të manipuluar pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë protestë për shkak të panikut që e ka zënë.

Patozi tha se në tubimin masiv të së martës do të mungojnë shumë qytetarët. Këtu ish-kreu i grupit parlamentar të demokratëve ju referua personave që ndodhen në burg si pasojë e mungesës së kasës fiskale në dyqanet e tyre apo dhënies së kuponëve tatimorë.

Fjala e deputetit Patozi per protesten e opozites
Por nëse ky është një buxhet zie, i cili reflektohet edhe në raportet brenda vetë mazhorancës, unë nuk mendoj se Shqipëria është një vend i pashpresë, prej të cilit njerëzit mund të gjejnë shpëtimin duke e braktisur. Le ta lexojmë si duhet edhe mesazhin që përcjell vetë ky buxhet, i cili është një arsye e fortë për të protestuar, ndonëse jo më kryesorja. Më 8 dhjetor e në vazhdim.

Sepse është pasqyra evidente e një qeverie, që nuk bën as përpjekjen më minimale për të fshehur kapjen, demotivimin dhe paaftësinë e vet. E një administrate të kalbur që e ka lëshuar pa duar dhe po e con vendin në rënie të lirë drejt greminës ekonomike dhe drejt një dëshpërimi kolektiv. Por mbi të gjitha e një kryeministri që gati po e thotë vetë se e ka të pamundur ta ndalë rrokullisjen e qeverisë së vet. Ndaj edhe të mos presim asnjë sekondë më, por të mblidhemi dhe të marrim në dorë fatin tonë. Të mos kemi iluzione dhe të mos shpresojmë kot që të bien vetë, sepse asnjë fitore nuk vjen duke pritur. Aq më pak, të lidhim aksionin tonë politik me divorcin e mundshëm të Ramës dhe Metës, i cili edhe po ndodhi, është për hesapet e tyre, dhe asnjëherë në interes të vendit . Ndaj le ta nisim më 8 dhjetor.

Po ju mund të thoni cfarë lidhje ka debati i sotëm me protestën tuaj? Dhe unë ju pyes, po revolucioni që nuk do të triumfonte cfarë lidhje ka me buxhetin, që e përmendi sot kaq shpesh shtetndërtuesi më i madh I trojeve etnike shqiptare. Që do të thotë se Edi Ramës i djeg që tani 8 dhjetori, ndonëse është ende larg. 

Unë e di se do të na numurojnë, se do të na shohë me dylbi Saimir Tahiri nga tarraca e kryeministrisë, apo do të na bëjë foto ai që fluturon me ballon, përpara se njerzit të grumbullohen, që të dukemi pak. E di që do të porosisin portale dhe gazeta që ta pjestojnë me 10 apo më 20 numrin e atyre që do t'i bashkohen Partisë Demokratike më 8 dhjetor. Por kjo nuk e ngushëllon dot, e aq më pak e ndihmon, qeverinë e rrëzuar.

Sado të jemi ne në shesh atë ditë, dhe jam i bindur që do të jemi pambarimisht shumë, aty do të mungojnë pafundësisht kundërshtarë të qeverisë. Sepse sado të jetë rritur Partia Demokratike dhe aleatët e saj këto dy vjet, ato janë gjithësesi më pak se shqiptarët e zhgënjyer dhe të goditur në kockë prej kësaj qeverie. 

Sado që të jemi ne atë ditë, mos harroni të shtoni aty edhe 200 mijë aplikantët për llotarinë amerikane, dhe nuk besoj se ka njeri në këtë sallë, që të mendojë se ata janë të gjithë anëtarë të Partisë Demokratike. Sado që të jemi ne atë ditë, shtojini edhe mbi 100 mijë shqiptarët, që kanë kërkuar azil në Gjermani, sepse si parët ashtu edhe të dytët janë viktima të drejtpërdrejta të kësaj qeverie. Le të thotë sa të dojë ky këtu, se janë emigrantë, që ikin të zhgënjyer nga Greqia.

Shtoni qindra dhe mijëra të burgosurit për kuponin tatimor, ndreqjen pa leje të catisë, mospagesën në kohë të kamatës për energjinë. Jam shumë i sigurt se aty do të mungojnë gjithashtu qindra mijëra nga 1 Milion shuplakat, të cilët e kanë mbyllur llogaritë me Edi Ramën dhe Ilir Metën, por ngurrojnë ende të përfaqësohen prej nesh. Por nuk e teproj të them se do të mungojnë atje edhe shumë prej jush këtu, jo thjesht se nuk ju pyet njeri dhe se trajtoheni pa respektin minimal, por se realisht nuk keni ndonjë përgjegjësi për sapo ndodh. Sepse e kam thënë që në ditën e betimit të saj, Shqipëria prej dy vjetësh nuk ka një qeveri përfaqësuese të Partisë Socialiste, por një qeveri private të Edi Ramës.

E di që do të merreni me ne, do përpieni ta zhvendosni debatin në të shkuarën, sepse është, praktikisht, e vetmja armë që ju ka mbetur. Do përmendni Gërdecin, 21 janarin, do gënjeni me shifrat, të cilat askush nuk i verifikon dot në cast, por nuk do të gjeni dot rrugëdalje nga kjo. Cdo ditë që kalon ju bën më të pabesueshëm dhe më qesharakë. Cdo orë që kalon punon për opozitën. 

Ne mund të kemi plot probleme, por nuk jemi ne problemi i këtij vendi. Sepse problemi është gjithmonë qeveria, kurse një qeveri e rrëzuar, që zvarritet në agoninë e vet, është më shumë se problem, është sëmundje e rrezikshme. Nga e cila duhet shpëtuar vetëm me bisturi. Një orë e më parë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
 


 

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Dhuna dhe kaosi në Kuvend, PS depoziton në Parlament kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të PD

Dhuna dhe kaosi në Kuvend, PS depoziton në Parlament kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të PD