Të angazhuar do jenë FNSH, Forcat e Rendit dhe ato operacionale. Gjithashtu, në terren do të ketë edhe agjentë civil dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Synimi është shmangia e incidenteve dhe një tentativë e mundshme e protestuesve për të sulmuar institucionet, pavarësisht se organizatorët e kësaj proteste si kreu i PD, Lulzim Basha ashtu edhe ajo e LSI, Monika Kryemadhi kanë mohuar ekzistencën e skenarëve të dhunës.
PD ka marrë leje nga Policia e Tiranës për një protestë 4 orëshe cila nis në orën 12:00 përpara Kryeministrisë. Protestuesit do marshojnë nga selia e PD, sheshi Skënderbej dhe Rruga e Elbasanit në drejtim të Bulevardit "Dëshmorët e Kombit".
Në vëzhgim protestuesit e LSI
Policia po mban në vëzhgim disa protestues problematikë të LSI, të cilët kanë qenë protagonistë të përplasjes së protestuesve me policinë gjatë protestës së 18 dhjetorit. Mësohet se janë identifikuar disa persona të dhunshëm që pritet të jenë në protestën e nesërme. Gjithashtu, vëmendje të madhe do ketë edhe kontrolli fizik i personave të dyshimtë për armë apo sende të paligjshme në akset kryesore të Tiranës. Janë marrë masat dhe për sigurimin e institucioneve përgjatë Bulevardit. Policia ka kërkuar informacion dhe nga drejtoritë e qarqeve për personat me precedentë penalë.
Rrugët që bllokohen
Policia e kryeqytetit ka marrë masa edhe për rrugët të cilat do bllokohen orët e para të mëngjesit të nesërm e deri në përfundim të protestës. Kështu, në të gjitha rrugët që të çojnë drejt Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" nuk do lejohet qarkullimi i automjeteve përveç mjeteve të transportit publik. Ndërsa sa i takon automjeteve me të cilët do vijnë protestuesit nga rrethet, bëhet e ditur se nuk do lejohet hyrja e tyra në Tiranë. Mjetet që vijnë nga jugu dhe veriu do ndalohen te pallati i sportit "Asllan Rusi", ndërsa ata të juglindjes, te stacioni i autobusëve pranë Fakultetit Ekonomik te "Rruga e Elbasanit".
Njoftimi i policisë:
Masat e Policisë së Shtetit për protestën e ditës së shtunë, 27 Janar 2018
Policia e Shtetit ka miratuar kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, për të zhvilluar protestë në datë 27 Janar 2018, nga ora 12:00 deri në ora 16:00. Ajo do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash.
Në datë 27.01.2018, nga ora 10:00 deri në përfundim të protestës nuk do lejohet lëvizja e mjeteve në rrugët e mëposhtme:
- Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nga kryqëzimi i rrugës “ Myslym Shyri” deri tek sheshi “Nënë Tereza”;
- Bulevardi "Bajram Curri", nga kryqëzimi i rrugës “Sami Frashëri” deri tek rruga e “Elbasanit”;
Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve të zones, por edhe qytetarëve të tjerë, që duke filluar nga ora 00:00 e datës 27.01.2018, nuk do lejohet parkimi i mjeteve në të gjithë gjatësinë e rrugës “Papa Gjon Pali 2”. Nga ora 00:00 deri në përfundim të protestës brenda “Unazës së Madhe” nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilat do të devijohen në rrugë alternative.
Gjithashtu do të ketë devijim të trafikut në shumë akse rrugore. Kufizimet dhe devijimet do prekin edhe linjat e transportit urban qytetas ku autobuzët e “Tiranës së Re” do kthehen tek sheshi “Willson”; linja e “Kamzës” do të kthehet tek ish-kafe “Flora”, ndërsa linjat e tjera në varësi të situatës.
Mjetet e transportit të ardhur nga rrethet nuk do lejohen në brendësi të qytetit. Mjetet që vijnë nga perëndimi, do të lejohen deri tek Pallati i sportit "Asllan Rusi", Qyteti i Nxënësve, ndërsa ato nga lindja deri tek rrethrrotullimi pranë Fakultetit Ekonomik.
Këto mjete transporti publik, pasi të zbresin qytetarët do të kthehen dhe do të parkohen, në:
• Terminalin pranë "Qytetit Studenti"
• Sheshin "Shqiponja";
• Rrugën "Teodor Keko".
Gjithashtu do të ndalohet futja e mjeteve tek Ura e "Paskuqanit" dhe ura e "Babrroit". Policia e Shtetit apelon qytetarët të largojnë mjetet e tyre në rrugët e sipërcituara duke ndihmuar dhe lehtësuar qarkullimin.
Në të kundërt makinat do të spostohen me mjete ngritëse. Gjithashtu luten qytetarët të shmangin përdorimin e panevojshëm të automjetit ditën e shtunë në segmentet që lidhin qendrën e qytetit me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për shkak të devijimeve dhe kufizimeve që do fillojnë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në përfundim të protestës.
Policia e Shtetit garanton të drejtën e tubimit dhe është plotësisht e aftë për të përmbushur detyrimin ligjor si garante e zbatimit të ligjit dhe e vendosur të ndëshkojë cilindo që cënon rendin dhe sigurinë publike.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO








