TIRANE- Ndonëse e dërmuar nga humbja e 23 qershorit të vitit të kaluar përballë të majtës së drejtuar nga Edi Rama, ndonëse me kuota tepër të ulta në bursën politike shqiptare, PD e drejtuar nga Berisha dhe Basha po tentojnë të bëjnë lëvizje politike që për ta mund të bëjë dhe kthesën në politikën e opozitës.

Dhe kanë gjetur si kazus për të përdorur, 20 shkurtin, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha nga sheshin qëndror i Tiranës pikërisht 23 vite më parë. Por ndërkohë që nuk kanë të ndalur thirrjet për të marrë pjesë, por dhe duke përdorur një fjalor të rëndë dhe kërcënues ndaj mazhorancës aktuale të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Por, sinjalet janë që të mos kalojë qetë, pasi parë jo vetëm nga përvoja e kaluar por dhe nga thirrjet që bëhen nga Berisha për “përmbysje të “bijve” siç u bë me “etërit” 23 vite më parë”, gjasat janë që PD të dalë në “identitet” me protesta që mund të degjenerojnë në akte dhune, përmasat e të cilave ende mbeten të paparashikuara.

Gjithsesi mësohet se në PD po gatuhet një skenar destabilizimi sado minor, për t’i dhënë kurajo militantëve ekstremë dhe një dorë Bashës që ta zotërojë PD por dhe për të dhënë goditjen e parë ndaj mazhorancës dominuese. Sinjalet janë dhënë, teksa brenda grupit të PD nga kundërshtarët e Bashës është kërkuar të hiqet dorë nga skenaret e tensionimit të situatës.

Skenar i lajmëruar dhe në gazetën RD të disa ditëve më parë, teksa në kryeartikull shkruan për afrimin e pranverës së Bosnjës në Tiranë. Nën idenë e një proteste pa pretendime burimet saktësojnë se pjesë e skemës është dhe provokimi i policisë, që nga nisja që do bëhet nga sheshi “Skënderbej” dhe gjatë gjithë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të ngritur aplitudën përballë kryeministrisë. Pikërisht këtu do nisin provokimet me intensitet më të madh dhe në rast se sërish në mbrojtje të kryeministrisë do të jenë një grup policesh femra, atëherë do të përdoret fjalor i papërshtatshëm ndaj tyre për t’i irrituar.

Ndërsa SHISH, jo vetëm që s’ka dhënë informacion në vendin e caktuar për incidente të mundshme, por ka informuar “ustain” e vjetër Sali Berisha, për të gjitha lëvizjet e mundshme të policisë dhe organeve të sigurisë, lëvizje këto të dala qoftë nga përgjimet e zyrtarëve të lartë të shtetit ose përmes informatorëve të tyre që janë në institucione, duke filluar nga Garda e Republikës, Policia e Shtetit dhe në të gjithë administratën, pasi ende janë të paprekur nga reforma.

Madje janë dhënë dhe pakënaqësitë brenda aleatëve dhe mazhorancës për të shfrytëzuar të gjitha hapësirat e mundshme. Do tentohet që përmes elementëve mbështetës në Gardë të krijohet ndonjë incident i mundshëm me turmën në mënyrë që të krijohet një përplasje mes forcave të sigurisë e protestuesve. Që për hir të së vërtetës pritet të mbledhin dhe elementë kriminalë në gjirin e saj, por dhe ata që janë larguar nga garda e policia.

Mësohet se është kërkuar shfrytëzimi i mediave ndërkombëtare për publicitet, kryesisht mediat serbe, boshnjake por dhe evropiane si ato austriake për përcjelljen e idesë se Shqipëria është një vend i paqëndrueshëm dhe jo stabël dhe maxhoranca jo e aftë të qeverisë. Dhe Berisha se ka për herë të parë, e bëri më 14 shtator 1998.

Berisha: Do t’i përmbysim si “etërit” e tyre
 Ish-kryeministri Berisha kërcënoi për protestë të dhunshme ditë më parë në facebook. “20 shkurti, fillimi i sezonit të protestave më të fuqishme në historinë e vendit, dita e përmbysjes së shtatores të diktatorit barbar e busteve të gjalla të bllokmenëve hoxhistë, fillimi i protestave për fundin e regjimit të neobllokmenëve që erdhën në pushtet duke premtuar krijimin e 300 mijë vende pune e shkatërruan e po shkatërrojnë mijëra vende pune, premtuan shërbim shëndetësor falas, legalizime falas por mashtruan” shkruan Berisha duke përmendur premtimet e pambajtura. “Protesta, ngadhnjimi i qytetarëve të mashtruar, që çdo ditë varfërohen e humbasin vendet e punës. Bijtë meritojnë fatin e etërve të tyre barbarë! Të gjithë në protestë”, apelon Berisha.
 
Shkrimi u publikua sot (15.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)