Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar sot për protestën e studentëve shqiptarë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore që nuk mund të vihet në diskutim.
Në reagimin e tij, Bardhi shprehet se shqipja është identitet dhe se mbështet plotësisht protestën, duke e cilësuar atë legjitime. Sipas tij, një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, por problem drejtësie.
Ai thekson se kjo e drejtë është fituar me sakrifica dhe nuk negociohet, ndërsa ngre alarmin për rrezikun e kthimit pas në kohë të errëta.
Bardhi i bën thirrje Qeverisë Shqiptare që të ndërhyjë menjëherë pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, për të garantuar respektimin e të drejtave të shqiptarëve, duke kujtuar se mbrojtja e tyre është detyrim kushtetues i Shqipërisë.
Deklarata e Bardhit në rrjete sociale
"Përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo është një e drejtë e fituar me gjak dhe që nuk mund të negociohet. Mbështes plotësisht protestën legjitime të studentëve sepse gjuha është historia, është gjak, është kujtesa. Dhe një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, ka problem drejtësie. Për secilin prej tyre gjuha shqipe është identitet. Shqipja nuk negociohet! I bëj thirrje Qeverisë Shqiptare që të marrë menjëherë masat për të ndërhyrë pranë autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që të shmangin kthimin pas në kohë të errta. Rruga e dy vendeve tona fqinjë është e përbashkët drejt Bashkimit Europian. Por, në çdo rast Republika e Shqipërisë e ka detyrim kushtetues që të mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj"
Lajmi kryesor:
'Provim i drejtësisë në gjuhën shqipe', studentët shqiptarë protestë në Shkup: Shqipja s'negociohet, Mickoski të dorëhiqet! Hoxha: Gjuha, e drejtë themelore (VIDEO)










