Për herë të parë që prej ndryshimeve ligjore për tubimet, një protestues është gjobitur me 500 mijë lekë të reja. Bëhet fjalë për një person me xhup të bardhë, të maskuar me kapuç, i cili gjatë protestës së të shtunës në Tiranë hodhi gurë drejt policisë dhe godinës së Kryeministrisë.

Policia thotë se i kishte bërë disa herë thirrje të ndalonte dhe të shpërndahej, por ai nuk iu bind. Gjoba prej 500 mijë lekësh është një nga 12 masat administrative të vendosura pas protestës, në zbatim të Aktit Normativ të 28 tetorit 2026.

Për përplasjet e së shtunës janë arrestuar edhe katër protestues, ndërsa shtatë të tjerë janë vënë nën hetim.

Në pranga kanë përfunduar dy 19-vjeçarët Muhamet Karaj dhe Blerdjan Murati, 24-vjeçari Kevin Ndrevataj dhe Zef Nika, 34 vjeç. Sipas policisë, ata dyshohen se kanë goditur efektivët me sende të forta dhe lëndë piroteknike, kanë bllokuar rrugën dhe u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave.

Gjatë kontrollit të Kevin Ndrevatajt, policia gjeti një sasi kanabisi dhe një send metalik shpues. Në banesën e tij u sekuestruan edhe një send që imitonte armën e zjarrit dhe 50 sfera.

Protesta e së shtunës u shoqërua me hedhje gurësh e molotovësh drejt policisë, fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit dhe më pas në bulevardin përpara Kryeministrisë. Policia ndërhyri me ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Më herët protestuesit u përplasën edhe me militantë të Partisë Demokratike të dërguar nga Berisha në tentativën e tretë për të futur demokratët në mesin e protestës së studentëve apo 'flamingove'.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit 

"Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash; arrestohen 4 shtetas, procedohen penalisht 7 të tjerë.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kanabis, një send metalik shpues, mjete për të hedhur gurë dhe sfera metalike, një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.

Vendosen 12 masa administrative në bazë të Aktit Normativ, njëra prej tyre në vlerën 500 000 lekë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:

K. N., 24 vjeç, M. K., 19 vjeç, B. M., 19 vjeç dhe Z. N., 34 vjeç.

Gjithashtu, u proceduan penalisht 7 shtetas.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit K. N. iu gjetën një sasi lënde narkotike kanabis dhe një send metalik shpues, ndërsa gjatë kontrollit të banesës iu gjetën një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.

Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 12 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të djeshëm.

Njëra prej masave administrative, në vlerën 500 000 lekë, është vendosur ndaj një shtetasi, i cili, i maskuar me kapuç, ka kryer veprime të dhunshme, duke goditur me gurë në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë. Punonjësit e Policisë i kanë bërë disa thirrje për ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe shpërndarjen e tubimit, por ai nuk i ka respektuar këto thirrje.

Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme."

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë