Protestë para Kuvendit, Report Tv sjell pamjet me dron, pak qytetarë në 'revolucion'! Berisha: Po të duam hyjmë në sallë për 3 minuta! Meta: Vendi vuan nga 'kartonokracia'

TIRANË- Duke akuzuar se kanë paracaktuar fatin e Partisë Demokratike, ish kryeministri Sali Berisha, nga protesta e radhës para parlamentit, kërcënoi kryeministrin Edi Rama dhe Taulant Ballën se do të mbajnë përgjegjësi personale nëse ndikojnë në vendimin e gjykatës për drejtimin e selisë blu.

‘Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata me datë 3. Unë i them Taulant Ballës, meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, ja ku janë këta burra, të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare.’- tha Berisha.

Sali Berisha paralajmëroi se do të mjaftonin vetëm disa minuta për të futur turmën brenda parlamentit.

‘Lëri këta që keni vënë këtu përpara, sepse po të duam për tre minuta, për tre minuta jemi brenda në parlament. Prandaj ikni, ikni se nuk shkojmë ne. Nuk ka nevojë të rrini, shkoni në punën tuaj. Sepse po vendosëm, jemi në sallë! Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon!’- u shpreh Berisha.

Por pavarësisht paralajmërimeve për një revolucion që mund të përmbajë çdo formë të mos-bindjes civile, protesta e 3 e thirrur para parlamentit, që zgjati rreth 2 orë, edhe kësaj radhe nuk u mbështet nga demokratët.

Siç shihej edhe nga pamjet, në protestë morën pjesë vetëm disa dhjetëra qytetarë, të cilëve ish-kryeministri dhe aleati i tij Ilir Meta iu bashkuan më shumë se 1 orë me vonesë. Vetë Meta, duke i pranuar demokratëve se në krah të tyre qëndron si ish kundërshtar, këtë herë mesazhin kryesor e pati për socialistët të cilëve u kërkoi të shpëtojnë Partinë Socialiste nga Edi Rama.

Me një skenar të përsëritur fjalimesh, dhe pa pankarta e thirrje, do të mjaftonte përfundimi i fjalës së Ilir Metës dhe Sali Berishës, që protestuesit të linin menjëherë sheshin. Më herët në nisje të protestës, deputetët e përjashtuar nga seanca plenare u përplasën me gardën, që nuk i lejoi të futen brenda parlamentit. Flamur Noka, Edmond Spaho, Greta Bardeli, Elda Hoti e Lindita Metaliaj ju bashkuan turmës bashkë me akuzën se Garda po përdoret për të dhunuar opozitën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:51
Berisha ‘revolucion’ me Metën, braktiset nga aleatët, asnjë i pranishëm sot në protestë

Në protestën e ditës së sotme, Sali Berisha u mbështet vetëm nga Ilir Meta, ndërsa u braktis nga aleatët e tjerë të së djathtës.

Ndonëse me Vangjel Dulen ka firmosur një koalicion për bashkëpunim në zgjedhjet e 14 majit, ky I fundit nuk shfaqet në protestat e thirrura para Kuvendit nga Sali Berisha.

Ndryshe nga protesta para kryeministrisë, edhe aleati tjetër Fatmir Mediu nuk u duk në protestë. Bashkë me të, as kreu I LZHK Dashamir Shehi, apo Agron Duka I Partisë Agrare Ambientaliste.

Me ardhjen e Berishës në selinë blu, krah PD nuk shfaqet më as Shpëtim Idrizi që së fundmi ka nisur bashkimin e votave me maxhorancën.

Ora 12:28
Meta u thirr për të dëshmuar për çështjen CEZ-DIA, Berisha akuza drejtësisë: SPAK, seksion juridik i PS-së

 

Sali Berisha e quan SPAK-un, si institucion juridik të Partisë Socialiste! I pyetur nga gazetarja Danjela Maloku, në lidhje me thirrjen e aleatit të tij Ilir Meta në SPAK për çështjen CEZ-DIA, kohë kur Berisha ka qenë kryeministër, tha se SPAK nuk heton, por është institucion juridik i PS-së.

‘SKAP-i partisë është seksioni juridik i PS. Këtë nuk ka njeri që nuk e ka marrë vesh deri më sot. Është kryer një veprimtari e paparë në shekuj, mafioze nga Edi Rama, këshilltari i tij personal Dorian Duçka dhe nga miku i tij Agron Neza. Një nga ata prokurorë për ti hapur çështjen dhe për ti vendosur hekurat në duar Edi Ramës. Enver Hoxha po të ngrihej nga varri do ta shpallte heroin e popullit shqiptar. Kush e di? Spak hesht para gjitha këtyre! SPAK hesht kur abazhurët dhe muret e restoranteve të Tiranës dëshmojnë dhe flasin për gjobat që dy lejtëntët e Edi Ramës Dorjan Duçka dhe Neza që vendosin ndaj biznesmenëve shqiptar.  SPAK nuk heton. Nuk ekziston. Si mund të padis unë kriministër!’- tha Berisha.

Ora 12:11
Mbyllet protesta, Berisha niset sërish drejt selisë blu

1677150806_Screenshot1.jpg

Ka zgjatur rreth 2 orë protesta e opozitës para parlamentit, protestë në të cilën u mblodhën shumë pak qytetarë. Fjalimet kryesore në protestë ishin të Ilir Metës dhe të Sali Berishës. Me fjalimin e këtij të fundit, u mbyll edhe protesta, ndërsa qytetarët u shpërndanë brenda pak minutave.

Ora 12:01
Berisha nuk përmbahet me akuzat pa asnjë provë: Vrasësit e kenianes 22-vjeçare fshihen në qeveri


Ish-Kryeministri Sali Berisha ka hedhur sërish akuza të rënda në drejtim të eksponentëve kryesorë të mazhorancës. Ai thotë se vrasësit e kenianes 22-vjeçare Joy Ayoko fshihen në qeveri dhe këtë e justifikon me akuza të tjera për Taulant Ballën.

“Në qeveri fshihen vrasësit e Kenianes. Ndonjëri që çuditet i them që të shikojnë pak atë kriminelin Taulant Balla. E kam denoncuar 10 herë. Vendi i tij është në burg si trafikant femrash. Prandaj ata e fshehin historinë Xhoit. Ai është denoncuar nga diplomatë të huaj se ka nxjerrë viza për prostituta moldave për të ardhur në Shqipëri. Fatos Nano në vend ta çojnë në prokurori e bëri këshilltar. Ai është denoncuar se ka porositur vrasje”, tha Berisha

Ora 12:00
Berisha: Më 3 mars, ditë fitoreje për revolucionin! Marshimi ynë do jetë drejt Surrelit

Nga protesta që thirri para Kuvendit, Sali Berisha thotë se 3 marsi do të jetë ditë fitoreje për revolucionin. Ndonëse është data e përcaktuar për fatin e vulës së PD, Sali Berisha thotë se nuk do të jetë ai qëllimi, por revolucioni për rrëzimin e Edi Ramës. Teksa ka bërë thirrje për marshim drejt Surrelit si një veprim për vijimësinë e betejës, jep edhe një paralajmërim për Gardën që ka rrethuar godinën e Kuvendit.

Sipas Berishës, nëse duan mund të hyjnë për 3 minuta brenda Kuvendit por zgjedhin të mos e bëjnë për shkak se kanë zgjedhur rrugën paqësore.

“Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata me datë 3, unë i them meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare. Kudo që të fshihesh, në çdo vrimë miu, do të kapim dhe do të çojmë te Gentian Sharra. Për këtë Edi Rama dhe ti do jeni përgjegjës personalë.

Nuk ka forcë që t'ju mbrojë se po të duam për tre minuta, jemi brenda në parlament. Prandaj ikni.E kemi rregullin tonë ne por po vendosëm, jemi në sallë! Asgjë s'na pengon. Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon! 3 marsi është dita e madhe, 3 marsi është ditë fitoreje për revolucionin. 3 marsi është dita e çdo shqiptari, është dita në të cilën bëjmë betejën për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Edhe njëherë ju përshëndes shumë përzemërsisht, ta vazhdojmë betejën tonë. Në çdo rast, marshi drejt Surrelit, do jetë marshi ynë”, tha Berisha.

Ora 11:48
'Ka njoftuar të gjithë se do ia fusi Arbenit', Meta thirrje socialistëve: Jepjani dënimin e merituar Ramës, do ju katandisë si PASOK-u


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i ka bërë thirrje socialistëve që t’i japin sipas tij dënimin e merituar Edi Ramës. Meta tha se ai i dorëzon një nga në të gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe së fundmi po thotë se ‘do ia fusë edhe Arbën Ahmetajt’.

“Ju deputetë të PS-së mblidhuni të mos keni një fat si PASOK-u. Sikur çdo demokrat dhe demokrate do të punonte me 1/5 e pasionit të tij nuk do të ngelej asnjë bashki në hartën e Shqipërisë të votonte për këta hajdutë”, tha Meta. Kemi të bëjmë me një bandë që është deligjitimuar plotësisht. Kur ngrihet populli ngrihet llogaridhënia, bien çmimet”, tha Meta.

Ora 11:38
Berisha: Protestoni kundër atij që vjedh ditë e natë! Charter-i i Ramës u përdor për t’i bërë presion ministrave që të firmosin dokumentet për djegësat

 

Sali Berisha hedh akuza se Edi Rama ka përdorur charter-in për t’i bërë presion ministrave të tij që të firmosin dokumentet për djegësat

“Ju po protestoni kundër një njeriu io cili vazhdon të vjedhë ditën dhe natën me aferën e djegësave. A e dini ju se djegësat 420 milionë euro kanë vetëm një njeri kryesor dhe ky është Edi Rama. E dini ju se charter i tij është përdorur për t’u bërë presion ministrave të tij që të firmosin dokumente për djegësat? A e dini ju se me Erion Veliajn vjedhin në cdo ton mbetje që derdhen në Sharrë? 18 mmilionë euro nga djersa juaj.

Meta foli për rrogat e pensionet. Në 2013, shqiptarët i kishin më të lartat në rajon. Po sot ku janë? 30-40 % më të ulëta se në Kosovë se qeveritë e tjera nuk vjedhin si ky, se mendojnë që taksat janë të qytetarëve dhe duhet të përdoren për shkollat e tyre e spitalet e tyre”, tha Berisha.

Ora 11:37
Berisha: Beteja e sotme është për mbrojtje Kushtetute! Po shkelmohet nga banditë e padronë të klaneve të krimit

 

Nga protesta jashtë Kuvendit, Sali Berisha ka mbajtur të njëjtin qëndrim si deputetët e opozitës në sallë duke thënë se po shkelmohet Kushtetuta.

“Jeni zëri i vërtetë i çdo shqiptari kudo ndodhet. Dua të qartësoj se kjo është betejë për mbrojtjen e Kushtetutës, e cila shkelmohet nga banditët, porositës të vrasjeve, nga padronë të klaneve të drogës, të krimit.28 burra dhe gra të votuar nga zgjedhësit shqiptarë gjykojnë se duhet të hetojnë, duhet të sjellin para zgjedhësve të tyre të vërtetën mbi këtë çështje kurse trafikantë dhe kukulla pa asnjë dinjitet njerëzor të Edi Ramës bllokojnë këtë të drejtë të deputetëve të opozitës vendosën hetimin e udhëtimeve të Edi Ramës në të cilat ka shpenzuar me avionin e tij me dhomë gjumi luksoze dhe me 22 rroga nga më të majmet të personelit ka shpenzuar mbi 22 milionë euro në 137 fluturime. Presidenti i SHBA kishte realizuar gjithsej me AirForce1 40 fluturime, pra njeriu që ka përgjegjësinë e botës kishte parë të nevojshme 40 udhëtime kurse Edi Rama, 137 fluturime me avion në dispozicion të gjithë taksat tuaja, e gjithë mundi juaj kurse fëmijët largohen e vetëm largohen nga ky vend”, tha Berisha.

Ora 11:28
Ilir Meta: Shqipëria po vuan nga 'kartonokracia', Rama kërkon të shkatërrojë pluralizmin

 

Për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Shqipëria po vuan nga ‘kartonokracia’, duke iu referuar dhunës së opozitës së kartonëve nga mazhoranca në Kuvend sipas tij.

“Ai është në një gjendje shumë të rëndë por edhe sepse e ka shuar edhe atë Parti Socialiste që ekzistonte. Shqipëria sot vuan nga kartonokracia”, tha Meta.

Ai tregoi historinë e një socialisteje e cila kur ai ishte president i tha se Rama i kishte premtuar ta cconte ambasadore pasi ajo kishte kundërshtuar në PS.  

“Në 2017 më erdhi një ish-ministre socialiste, s’ka nevojë t’ia them emrin, sepse secili e imagjinon, edhe më thotë, ‘meqenëse se ti je zgjedhur për president, a ke t’i kundërshtim që unë të shkoj ambasadore në SHBA’, ‘jo i thash, por pse?”. ‘Më thirri Edi, mu përgjëruar dhe më tha të dua atje’. I thash ‘unë s’kam kundërshtim, por kujdes mos ta fut Edi, se s’të do më deputete’., sepse ajo ishte zëri i fundit kundër që kishte mbetur në PS… ajo zonja e nderuar, as ambasadore nuk bë, dhe as anëtare e asamblesë nuk u bë. Pse?  Sepse është skizofren dhe edhe një zë kundër e shqetëson. Këtë e kanë kuptuar edhe socialistët e ndershëm”, tha Meta.

Ora 11:15
Me forca të shtuara sigurie, Berisha i bashkohet protestës! Ndizet muzika sapo mbërrin para Kuvendit

1677147496_Screenshot1.jpg

Me forca të shumta sigurie, Sali Berisha i është bashkuar protestës së thirrur prej tij para Kuvendit, ku ka grumbulluar një numër të vogël protestuesish. Me mbërritjen e tij në protestë, organizatorët, vendosen në sfond muzikë, si një mënyrë për të krijuar më tepër zhurmë.

Ora 11:10
Meta i bashkohet protestës së Berishës

Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë i është bashkuar protestës së Sali Berishës. Me një numër të vogël protestuesish, Meta është bashkuar me turmën.

Ora 10:32
VIDEO/ Protesta e Berishës para Kuvendit, ja sa qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së ish-kryeministrit

 

Report Tv sjell video nga protesta e thirrur nga Sali Berisha ditën e sotme para Kuvendit. Siç shihet edhe nga pamjet, thirrjes së ish-kryeministrit i janë përgjigjur një numër i vogël qytetarësh.

Ora 10:18
FOTOLAJM/ ‘Revolucioni’ i Berishës, qytetarët nuk i përgjigjen skenarit të Rithemelimit! Shumë pak njerëz në protestë

1677143958_protrsta.JPG

 Ish kryeministri Sali Berisha nuk ka arritur të mbledhë as një ‘grusht’ njerëzish për të protestuar. Prezenca e pakët tregohet nga pamjet e sigurara me dron nga Report Tv ku protesta i ngjan më tepër një dite normale me kalimtarë të çastit. Ndërkohë, deputetet e përjashtuar, së bashku me disa të tjerë, janë duke tentuar që të mësyjnë në sallën e parlamentit. Qytetarët nuk i përgjigjen skenarit të njëjtë të Berishës. 

Ora 09:50
Mbështetësi pret Berishën në selinë blu: T'marrsha të keqen, të pafsha mirë e më mirë! Ish kryeministri e përshëndet

1677142367_Screenshot3.png

Sali Berisha ka mbërritur në selinë blu vetëm pak minuta para se të nisë protesta e thirrur prej tij para parlamentit. Një mbështetës e ka pritur duke i thënë: “T’marrsha të keqen, të pafsha mirë e më mirë.”

Ndërsa ish kryeministri ka buzëqeshur dhe e ka përshëndetur me 2 gishta.

/M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve