Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas incidenteve të regjistruara pranë Kuvendit gjatë protestës së zhvilluar këtë të martë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai përshkruan se për tre orë rresht, në çdo rrugë hyrëse e dalëse të rrethinave të Kuvendit, kishte një sulm të gjatë dhe të lejuar ndaj çdo deputeti që kalonte, jo vetëm ndaj deputetëve të PS-së. Braçe thotë se dhuna ishte e drejtpërdrejtë dhe e filmuar qëllimisht, me sharje, fyerje, ofendime në kor dhe goditje me objekte të ndryshme, synim jo vetëm dëmtimin fizik por edhe poshtërimin e deputetëve.

Ai kritikon edhe Policinë e Shtetit për mënyrën si e menaxhoi këtë situatë ndërsa paralajmëron se nëse persona të caktuar do të shoqërohen lidhur me goditjen e makinës së tij me vezë, policia do të bëjë gabim të madh.

Braçe shprehet se ai vetë zgjidh punët e tij dhe nuk kërkon ndihmë, nuk trembet dhe nuk ka borxh ndaj kujtdo, pavarësisht viteve të burgut që dikush mund të ketë bërë dhe që ishte i pranishëm në protestë.

Në fund Braçe thekson se 'kjo nuk është Shqipëria e re, por ky është kaosi i ri i udhëhequr nga dhuna ndaj kujtdo - edhe pa shkak - dhe dominimi i kriminelëve që kanë foltore e mikrofon!

Postimi i plotë

Kjo nuk është Shqipëria e re! Ky është kaosi i ri!

Për tre orë rresht sot, në rrethinat e Kuvendit, në çdo rrugë hyrëse e dalëse të tij, ka pasur një sulm të gjatë e të lejuar ndaj çdo deputeti të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Jo thjesht deputetëve të PS, por ndaj çdo deputeti që kalonte, hynte e dilte aty!

Dhunë e drejtpërdrejtë dhe e filmuar qëllimisht; sharje, fyerje, ofendime në kor apo individuale, goditje me çdo send të mundshëm, jo thjesht për të lënduar fizikisht një deputet, çdo deputet, por për ta poshtëruar atë!

Tani, dhe po jua them këto fjalë policisë së shtetit, që për tre orë pa dhe lejoi këtë sulm;

Nëse këtë prognin dhe disa të tjerë aty i keni shoqëruar apo doni t’i shoqëroni pse goditën me vezë makinën e erion braçes, bëni gabim të madh, shumë madje!

Erion Braçe punët e tij i zgjidh vetë, nuk ka nevojë për kënd; nuk i kam borxh kërkujt mbi këtë dhe, ndaj as i trembem e as kërkoj ndihmë nga kush për t’u përballur me cilindo, pavarësisht viteve të burgut që ka bërë dhe ishte sot aty.

Por shiheni foton në fund të videos;

Është dora e ngritur dhe goditja nga ky Progni i policit të shtetit, policit të shtetit!

Patjetër, sulmi e goditja e lejuar ndaj deputetit është e rëndë, ka të bëjë jo thjesht me cenimin fizik të tij, por me sovranitetin e deputetit e prej tij sovranitetin e Kuvendit!

Por sulmi e goditja e policit të shtetit ka si pasojë rënien e shtetit! Jo të Partisë Socialiste, as atij sistemi imagjinar që e sorollasin në gojë e rrjete sociale; BIE SHTETI!

Shqiptarët e kanë vuajtur pafund rënien e shtetit, mezi janë ringritur e janë vonuar pafund, me një kosto GJAKU llamerisëse!

Nëse po, boll bëtë romantikun e romantiken nga këtu e atje, larg, nga shihni me dylbi;

Kjo nuk është Shqipëria e re, por ky është kaosi i ri i udhëhequr nga dhuna ndaj kujtdo - edhe pa shkak - dhe dominimi i kriminelëve që kanë foltore e mikrofon!.