Hetimet për Strazimirin vijnë pas referimit të dokumentave të Policisë së Shtetit në prokurori, lidhur me armën që deputeti mbante në protestën që u zhvillua te Liqeni Artificial në Tiranë, disa ditë më parë.
Vetë Strazimiri ka mohuar të ketë pasur armë me vete në protestë, ndërsa më vonë, pjestrë të PD-së thanë se ajo që Strazimiri kishte në brez ishte këllëf celulari, edhe se pamjet u manipuluan nga media.
“Emri i deputetit Strazimiri është shënuar në Regjistrin e Proçedimeve Penale të Prokurorisë së Përgjithshme në bazë të akteve paraprake të dorëzuara nga ana e Policisë Gjyqësore. Ndër të tjera, në këtë material është edhe deklarimi i shtetasit P.N., i paraqitur si ish-përfaqësues i një firme prodhimi armësh në Gjermani. Sipas deklarimit të tij, kompania që përfaqësonte, i ka dhuruar disa vite më parë një sasi armësh Ministrisë së Brendshme, një prej të cilave pretendon se është në posedim të deputetit Gent Strazimiri dhe ekspozuar prej tij në ngjarjen e datës 28.03.2016, në zonën e Liqenit Artificial, Tiranë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjithashtu, të njëjtat burime zyrtare bëjnë me dije se “Prokuroria po vijon hetimet për persona të tjerë të përfshirë në ngjarjen e datës 28.03.2016, ashtu edhe për ligjshmërinë e projektit të ndërtimit të këndit të lojërave në zonën e Liqenit Artificial, në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga përfaqësues të Shoqërisë Civile”.
Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)