Pas një serie sulmesh me gurë drejt efektivëve te Ministria e Arsimit, protestuesit marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kryeministria është edhe pikëtakimi i tyre me demokratët, të cilët më herët, ‘i braktisën’ në hyrje të “Rrugës së Durrësit” pasi shkuan drejt sheshit “Skënderbej”. “Parti Demokratike”, si u shite gjithë këto vite?” ishte thirrja me të cilën protestuesit ‘i përshëndetën’ militantët.

Në bulevard, protestuesit e maskuar kanë hedhur disa molotovë e gurë drejt kryeministrisë. Nga policia u përdor gaz lotsjellës.

Kjo zhvendosje e protestuesve erdhi pas shpërndarjes prej policisë te Ministria e Arsimit. Atje, protestuesit hodhën gurë, tymuese dhe dogjën disa kosha mbeturinash.

Pas disa thirrjeve të përsëritura për t'u distancuar nga aktet e dhunshme, policia hodhi ujë.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:48
Protestuesit me maska shkulin pllakat e gurit nga trotuari, sulmojnë Kryeministrinë (VIDEO)

 

Një grup protestuesish të maskuar i janë rikthyer akteve të dhunës. Disa prej tyre shkulën pllakat e gurit nga trotuari dhe sulmuan godinën e Kryeministrisë.

Ora 16:29
Protestuesit marshim drejt Kryeministrisë, policia hedh gaz lotsjellës (VIDEO)

Policia ka hedhur gaz lot sjellës turmës së protestuesve që po marshonin drejt Kryeministrisë.

Ora 16:21
Sulmet te Ministria e Arsimit, protestuesi i maskuar rrëzohet nga uji me presion (VIDEO)

 

Ky është momenti kur një prej protestuesve të maskuar që po shtynte një kosh mbeturinash drejt autobotit të policisë gjatë tensioneve te Ministria e Arsimit, goditet nga uji me presion.

Forca e ujit e kap në fytyrë, ku mban maskë e syze dhe më pas e hedh në tokë. Protestuesi bën një rrotullim dhe më pas ngrihet në këmbë.

Ora 16:14
Ndahen militantët e PD, protestuesit shkojnë drejt kryeministrisë (VIDEO)

 

Me të nisur marshimin, protestuesit kanë hedhur edhe kapsollë. Ajo që vihet re, është ndarja mes grupeve me të dalë nga “Rruga e Durrësit”.

Demokratët i janë drejtuar qendrës, ndërsa protestuesit drejt Bankës së Shqipërisë e KQZ, ndërsa më pas do të kalojnë edhe te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Këta të fundit bëjnë edhe thirrje si “arresto Berishën.”

Ora 16:13
Protestuesit nisin marshimin, s’i lënë ‘rehat’ militantët e Berishës: Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite? (VIDEO)

Protestuesit, përfshirë edhe militantët e deputetët e Partisë Demokratike, po tërhiqen nga Ministria e Arsimit dhe kanë nisur marshimin.

Disa protestues nuk i kanë kursyer as thirrjet drejt palës tjetër: “Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite?” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.