TIRANE- Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili duke folur për protestat kundër demontimeve të armëve siriane në Shqiëpri të organizuar nga qytetarët tha se “Shqipëri ka fituar. Dhe në mënyrë të veçantë ka fituar gjakftohtësia, racionaliteti dhe ku shoqëria shqiptare ka fituar një dimension pozitiv jotoksik dhe më të afirmuar se asnjëherë më parë. Në këtë mënyrë të gjithë së bashku kemi kuptuar se kemi mundësitë të reagojmë si evropianë në planin qeveritar, por edhe qytetar. Ndaj është një moment ku ka fitues, është një moment ku nuk ka të humbur”. Sipas Vasilit, pas refuzimit të demontimit të armëve në Shqipëri, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ndryshojnë.

“Në mënyrë absolute jo, është një marrëdhënie që nuk është ndërtuar në një ditë, nuk është ndërtuar mbi një ngjarje dhe nuk mund të shikohet në optikën e një vendimi në një moment të caktuar”, ka theksuar ai, duke komentuar edhe qytetarinë që kanë treguar shqiptarët në këtë protestë. “Mënyra e organizimit, kultura, përmbajtja dhe përbërja e këtij reflektimi të thellë qytetar, përpara se ta quaj protestë, mund ta quaj më parë një reflektim të thellë qytetar, mund të them se ishte një shembull i shkëlqyer i një Shqipërie krejtësisht evropiane. Kemi parë dhe kemi përcjellë me një admirimi që nuk e kemi fshehur dot, se si mijëra njerëz kanë protestuar, për pensionet, për çështje të karakterit ambiental, për çështje të armëve të caktuara, jo vetëm kimike, por të përdorimit të tyre në Evropë dhe kudo gjetkë”, theksoi Vasili
 
Shkrimi u publikua sot (17.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)