KAJRO- Në përpjekjen për të qetësuar protestuesit, Presidenti egjiptian Mohamed Mursi u takua me gjykatësit e lartë të vendit të cilëve u garantoi se dekreti i firmosur prej tij ka të bëjë me çështjet kryesore që lidhen me sovranitetin.

Dekreti nënvizon se asnjë autoritet nuk mund të rrëzojë vendimet e Presidentit çka ka shkaktuar protesta të dhunshme. Ndërkaq, mbështetësit e Presidentit e anuluan protestën e paralajmëruar për të martën me qëllim shmangien e tensionit publik.

Pas pesë orë mbledhje të presidentit egjiptian me anëtarët e Këshillit Suprem, zëdhënësi i presidentit Yasser Ali tha “se kreu i shtetit u tha gjykatësve se kishte respektuar pavarësinë gjyqësore dhe se nuk do të ketë rigjykime të mëtejshme të zyrtarëve që punonin për presidentin Hosni Mubarak, i cili u rrëzua në revolucionin e vitit të kaluar". Disa krerë të opozitës, përfshirë edhe Mohamed ElBaradei fitues i Çmimit Nobel të Paqes, u shprehën se nuk do të dialogojnë me presidentin derisa ai të tërheqë të ashtuquajturën “dekarata kushtetuese”.

Kritikët thanë se dekreti ishte një sulm ndaj sistemit gjygjësor dhe vendos presidentin mbi ligjin. Nga protestat, të dielën e kaluar një adoleshent gjeti vdekjen dhe 60 njerëz u plagosën.

(dm/shqiptarja.com)