TIRANE- Partia Demokratike i ka përkufizuar protestat e zhvilluara kryesisht nga serbët që jetojnë në shtetin malazez, një përpjekje për destabilizim të vendit, duke i krahasuar ato me projekte si Shengeni Ballkanik, ku sipas PD, rol dominant i jepet Serbisë e Beogradit.
PD deklaron se fantazmat e së shkuarës nuk mund të kthehen më në këtë rajon, që ka vuajtur nga regjimet gjakatare të Beogradit. PD denoncon edhe njëherë idenë e Shengenit Ballkanik, duke vënë në dukje se është një projekt tërësisht në favor të Serbisë e serbëve, që fatkeqësisht duan të dominojnë sërish e nga kjo të pjellin prapë tragjedi.
Selia blu shprehet se fantazmat e së shkuarës nuk mund të kthehen më në këtë rajon, që ka vuajtur nga regjimet gjakatare të Beogradit, ndërsa thekson se Shengeni ballkanik, duhet ndaluar sa më parë, për të mirën e rajonit, për të mirën e Ballkanit dhe për një paqe të përbashkët.
Deklarata e Partisë Demokratike
Partia Demokratike e Shqipërisë po ndjek me shqetësim ngjarjet e fundit në Mal të Zi. Fqinji ynë verior prej disa ditësh po përballet me një përpjekje të qartë për destabilizim. Konstatojmë me keqardhje se çka po ndodh nuk është një ngjarje e re. Në Mal të Zi, përpjekjet për cenim të sovranitetit, konsolidimit të shtetit, standardeve demokratike dhe orientimit euroatlantik, kanë dhe të tjerë precedentë në një kohë jo të largët.
Këtë radhë si shkak i këtyre përpjekjeve janë vendime legjitime të parlamentit dhe institucioneve ne Mal te Zi për të plotësuar sovranitetin e shtetit dhe shkëputjen përfundimtare të çdo sektori nga ndikimi i Beogradit.
Edhe pse të ndryshme në formë apo gjeografi, përpjekjet janë të njëjta në përmbajtje. Është tashmë e qartë se ato nxiten nga e njëjta mendësi nga i njëjti projekt që i shkaktoi Ballkanit dhimbje, tragjedi e viktima disa dekada më parë dhe rikthehet i pa penduar, përherë agresiv e i pabesë, sa herë gjen hapësire.
Projekti për t’i siguruar Serbisë një rol ndikues në hapësirën ballkanike, duke nënshtruar entitete etnike, fetare, politike që kërkojnë pavarësi, qëndron aty si një mallkim për Serbinë dhe si një plagë që nuk po shërohet për Ballkanin. Popujt e Ballkanit e njohin mirë këtë projekt, popujt e Ballkanit e kanë refuzuar këtë projekt, edhe kur kjo ka kushtuar luftëra, viktima e tragjedi.
Koha është që të vërtetat të thuhen ne sy.
Koha e lojërave ka mbaruar.
Është e pamundur të flitet për paqe, bashkëpunim, zhvillim, për projekte unifikimi apo bashkërendimi shtetëror, ndërsa, nën tavoline, të projektohen konflikte destabilizuese dhe epërsi force.
Me parë se kushdo, këtë duhet ta kuptojnë në Beograd. Është e papranueshme që sot, derisa ende nuk është kërkuar falje për viktimat e së shkuarës, e njëjta mendësi, të njëjtat qarqe, projektojnë viktima të së ardhmes.
Popujt e Ballkanit ia kanë dhënë përgjigjen kësaj mendësie, popujt e Ballkanit kanë bërë zgjedhjen e tyre drejt vlerave të lirisë, pavarësisë dhe shoqërive demokratike. Roli hegjemon i Serbisë ne Ballkan, pavarësisht çdo lloj forme që mund të prezantohet është një përpjekje e pamundur.
Partia Demokratike e Shqipërisë mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet dhe hapat e Malit të Zi fqinj drejt integrimit euroatlantik, konsolidimit të sovranitetit shtetëror dhe hapave që fuqizojnë bashkëjetesën etnike në atë vend.
Partia Demokratike e Shqipërisë beson se integrimi i plotë në bashkësinë euroatlantike është alternative e sigurt dhe e pazëvendësueshme për zhvillim, paqe e bashkëjetesë në rajonin tonë.
Fantazmat e konfliktit nga e shkuara, projektet për dominim, pavarësisht nëse bëhen nën egërsinë e armëve apo elegancën e tryezave, janë njësoj të rrezikshme dhe si përfundim kanë përherë tragjeditë.
Popujt e Ballkanit kanë humbur shumë kohë përgjatë historisë në rrugën e konflikteve e përpjekjeve për dominim. Sot nuk ka më kohë për te humbur drejt rrugës që u siguron paqe e zhvillim te drejtë, kjo rruge mbetet integrimi tërësor i rajonit në bashkësinë euroatlantike si bashkësi vlerash, dinjiteti e zhvillimi.