Kryeministri Edi Rama ishte sot në Jalë në një bashkëbisedim me të rinjtë. Shefi i qeverisë komentoi protestat dhe ndikimin e algoritmit.

"Ne sot jetojmë në një kohë kur niveli i vëmendjes ndaj asaj që lexojmë, shohim dhe diskutojmë ka rënë shumë, krahasuar me më parë. Sot vëmendja është shumë më pak e pranishme në një komunikim apo ndërveprim, sepse mendja është shumë më tepër diku tjetër dhe kjo lidhet me praninë e konsiderueshme të botës virtuale, përmes ekranit të telefonit, ku të gjithë kalojnë një pjesë të mirë të kohës.

Nuancat janë viktima e parë e çdo komunikimi, e çdo ndërveprimi. E vërteta është që algoritmi ka një rol jashtëzakonisht të madh në përcaktimin e koloritit të jetës sonë, për sa kohë ne e kemi jetën të lidhur me botën virtuale. Kjo nuk do të thotë që algoritmi vjen te ne me idetë e veta apo se përcakton arsyen përse ne bëjmë një veprim apo një tjetër. Kjo tregon se ai është amplifikator i zemërimit, i pakënaqësisë, i çdo gjëje që ka prirje të shkojë drejt skandalit, drejt surprizës për keq.

Kjo lidhet edhe me njeriun, nuk është çështje vetëm e jona, është kudo. Është e qartë nga çdo studim që gënjeshtra, akuzat, skandalet, çdo gjë që shkon në drejtim të energjisë negative, ka një shtrirje më të gjerë e më të thellë në kanalet sociale sesa informacioni, e vërteta apo lajmi që nuk ka brenda bujë.

Unë nuk kam thënë që algoritmi ishte arsyeja e protestës. Është e padiskutueshme që protesta ka arsye, të cilat lidhen me të përditshmen. Patjetër që ato arsye janë të rëndësishme për t'u kuptuar. Algoritmi ka impakt të jashtëzakonshëm në amplifikimin e zhurmës, negativitetit dhe të gjithë atyre nxitjeve që vijnë në formën e videove të manipuluara, të cilat i japin karburant ose i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit.

Është e padiskutueshme që çdo protestë mbart një mesazh, cilado qoftë arsyeja apo ata që dalin në protestë. Protesta mbart mesazhe dhe patjetër që detyra ime është t'i kuptoj sa më mirë ato. Po ashtu, detyra ime është të kuptoj edhe më shumë se kaq, të kuptoj organizatorët, çfarë ka më shumë sesa ajo që duket dhe të kem një pamje sa më të qartë të të gjithë spektrit të çështjeve apo të forcave të angazhuara në protestë.

Ashtu si algoritmi nuk është organizatori i një proteste, ashtu edhe diçka tjetër që unë e kam vënë në dukje: forcat e përfshira që janë armiqësore apo dashakeqe me Shqipërinë dhe që janë përfshirë fuqishëm, nuk janë as ato organizatorët ose arsyeja themelore pse njerëzit kanë dalë në protestë.

Por të gjitha së bashku duhen kuptuar dhe secili duhet të kuptojë se ku mbaron motivi i sinqertë i protestës, si adresohet ai motiv i sinqertë, cilat janë zgjidhjet për shqetësimet dhe ku fillon manipulimi, pjesa kur ti, si njeri i sinqertë në protestë, kthehesh në një vegël, pa dijeninë tënde, e forcave të tjera.

Ndarja bëhet te pikat ku ty të hapet një rrugë për ta adresuar qëllimin ose nuk të hapet. Është e rëndësishme të ndahet pjesa e shkaqeve dhe problematikave që kërkojnë adresim nga pjesa që kërkon informim.

Siç mund ta keni vënë re, protesta nisi me Zvërnecin dhe sot Zvërneci është harruar. Sepse, besoj unë, shumë shpejt u kuptua që realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga ai që njerëzit kishin perceptuar përmes kanaleve të dezinformimit.

Realiteti i fakteve nuk është që qeveria shiti atdheun, shiti Sazanin apo shiti Zvërnecin. Realiteti është krejt i kundërt. Aty ku qeveria ka përgjegjësi si përfaqësuese e interesit publik dhe administratore e pronës publike, jo vetëm që nuk ka bërë shitje, por edhe tani që flasim, për shkak se qeveria ka pasur një pozicion të qartë në negociata me palën tjetër, që Shqipëria duhet të jetë pjesë si pronare në këtë sipërmarrje, ne nuk kemi ende një marrëveshje”, tha Rama.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:31
Rama: Sikur të besoja çfarë u tha për Zvërnecin do të isha në protestë! Dezinformimi ka sjellë anulime pafund dhe ka goditur punën e shqiptarëve

1783778761_edirama.png

Kryeministri Edi Rama tha se ndërtimi i resortit luksoz në Zvërnec do të sjellë përfitime të mëdha në ekonominë shqiptare. Ndër të tjera, Rama tha se dezinformimi ka sjellë një goditje të madhe për turizmin në këtë muaj duke dëmtuar qartazi dhe bizneset.

"Sikur unë të besoja çfarë u tha për Zvërnecin, jo vetëm do të kisha dalë në protestë, por do të isha akoma aty. Ajo që u tha ishte e tmerrshme, por fatmirësisht e pavërtetë. Ajo që është më e vështira në këtë kohë është si t’ia bëjmë me të vërtetën, sesi njerëzit të informohen më mirë dhe të mos lihen jashtë procesit. Kostoja është e lartë. Për një dezinformim aq të madh të kesh një kosto kaq të madhe. Majin e kemi pasur me një tjetër rritje të lartë të turizmit, qershorin nuk e kemi. Po të shohim trendin nga janari, duhet të ishte bum. Kemi pasur anulime pafund. Në emër të Shqipërisë janë goditur shqiptarët. Është goditur puna e njerëzve që janë në pritje gjithë dimrit që të vijë kjo kohë. Përse? Për arsye që janë shumë më komplekse se Zvërneci.

Sikur të ishin gjithë tradhtarët si puna ime, Shqipëria do të kishte nevojë për më shumë tradhtarë. E gjithë përpjekja ime, me të gjitha të metat dhe gabimet, që kur kam filluar të merrem me politikë, ka qenë e lidhur me të bukurën, me transformimin fizik të hapësirave, sepse besoj shumë që e bukura ka një impakt të paçmuar në të gjithë zinxhirin e vlerës. Vende të bukura të varfra ka. Po më gjeni një vend të shëmtuar dhe të pasur, ma tregoni. Në shëmti nuk bëhet pasuri. Flas për komunitetin, nuk flas për kriminelët. Në shëmti ka vetëm krim, llum dhe njerëz që mbijetojnë.

E gjithë historia ime në detyrë flet për një përpjekje të vazhdueshme për t’i bërë gjërat më bukur. Po shikoja se po bëjmë një film të shkurtër për çfarë kemi bërë për natyrën. Shumë nga gjërat nuk dihen. Kemi mbjellë 5 milionë pemë. Kemi ndërtuar një sistem të tërë të zonave të mbrojtura. I kemi bërë ne. Ligjin e parë për to e kemi bërë ne. Mbi 40 hidrocentrale, me leje të dhëna më parë në shtratin e Vjosës, i kemi anuluar. Nëntë hidrocentrale në Valbonë i kemi anuluar ne.

Të anulosh gjithë këto hidrocentrale nuk është si të prishësh disa tendera. Është të shkosh kundër interesave të mëdha financiare. Si mund të jem unë njeriu që betonizon Zvërnecin? E vërteta është që unë besoj se ne jemi në një fazë ku mund të shkojmë shumë më lart, ose mund të shkojmë poshtë. Duhet të kalojmë te një kategori tjetër konsumatori. Duhet të kërkojmë që këtu të vijnë ata që shpenzojnë shumë.

Ideja që këto resorte të mëdha turistike janë për ata që vijnë, jo për ne, është një idiotësi. Ato sjellin të ardhura në ekonominë tonë shumë më tepër. Ata nuk vijnë në Hënë. Ata vijnë në një vend ku, në radhë të parë, do të punësohen njerëzit këtu. Do të merren edhe filipinas, nëse ti nuk do të shkosh të punosh. Sot këtu ku jemi, nuk ka paga më të ulëta se në Greqi. A do të vijnë me bukë me vete? Jo. Do të konsumojnë produktet që prodhohen këtu. Ai resort është një fabrikë përpunimi për produktet e zonës dhe më gjerë. U mor një libër dhe shkoi në Prokurori. Ai libër është me projektet e arkitektëve të huaj në Shqipëri. Janë projekte të investitorëve shqiptarë që duan të bëjnë ndërtime.

Pashë disa pallate që po ndërtoheshin nga i pandalshmi kryetar i Bashkisë së Kavajës. Niveli zero. Kjo është një shkollë në natyrë për të gjithë arkitektët shqiptarë, që të mësojnë të bashkëpunojnë me mjeshtrat e mëdhenj e nesër të bëhen ata vetë emra të mëdhenj. Të sulmosh një projekt që ende nuk është bërë është një inkuizicion. Ne nuk bëjmë dot një projekt që nuk e pranon Bashkimi Evropian, ose duhet të themi se nuk futemi në BE”, tha Rama.

Ora 16:13
Rama për Kurtin: Na ecën muhabeti, po të kishte kamera në takimet tona do të habitej e gjithë bota

1783778742_edirama.png

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me të rinjtë në Jalë, foli edhe për marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurtin dhe kreun e BDI-së Ali Ahmetin.

“Unë qysh herët e kam pasur vijën time të kuqe, nuk bëj babën e askujt që ka shtëpinë e vet, Kosova ka instuticionet e veta. Ka qenë një kohë ku i tregohej Kosovës çfarë duhet të bënte, kanë qenë vite brutale që kanë sjelkë vetëm dëme. Në bashkëpunim me Maqëdoninë kemi pasur një tryeze nuk e kujtoj vitini, unë kam lehtësuar takimin mes tyre. Nuk ishte e lehtë, të uleshin në tryezë, por ishte kërkesë e tyre nuk ishte nxitja ime. Kur kanë ardhur nuk rrinin dot në një salle me njëri-tjetrin.

Unë kam një miqësi që nuk e mohoj me Ali Ahmetin, po askush nuk thotë dot me fakte që unë të kem hyrë në fushatë, larg qoftë. Kam qenë gjithmone respektues.

Ndërkohë Kosova nuk varet nga Shqipëria, unë Albinin e takoj me kënaqësi se na ecën muhabeti, po të kishte kamera në takimet tona do të habitej e gjithë bota. Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat i kemi të ndryshme”, tha Rama.

Ora 16:02
Protestat/ Rama: Rinia ka pritshmëri të tjera, duhet të jemi mirënjohës për çfarë kemi, mos të bëhemi si dhitë e egra që nuk i do njeri

1783778715_edirama.png

Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin me të rinjtë në Jalë, tha se Shqipëria sot ka bërë përparime që dikur nuk imagjinoheshin se do të arriheshin.

"Shqipëria ka të gjithë interesin që punët në Republikën fqinje të Maqedonisë së Veriut të shkojnë fjollë, sa më mirë. Shqipëria ka të gjithë interesin që marrëdhëniet mes dy popujve shtetformues të jenë marrëdhënie vëllazërore, të një bashkëjetese harmonike. Janë bërë përparime të mëdha. Demokracia nuk është një shëtitje në një rrugë të shtruar, është një rrugë që ka kthesa, momente vështirësish.

Ne duam më të mirën për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Unë kam qenë gjithmonë i mendimit që vetot në proces nuk i shërbejnë askujt, janë pengmarrje dhe janë në thelb jo konstruktive dhe jo dobiprurëse për të afruar vendet me BE-në. Të vendosësh veto, të hapen apo jo negociatat, është diçka që nuk është evropiane.

Jam shumë i angazhuar prej kohësh për të nxitur një qasje tjetër të BE-së ndaj vendeve ende jo anëtare. Ka nisur një proces ndryshimesh të rëndësishme me Planin e Ri të Rritjes, me diskutimet që janë në vazhdim. Kemi pasur diskutime edhe në Tivat. Vendet jo anëtare duhet të ulen në tryezën e BE-së. Politikisht Evropa duhet të bashkohet tani, pastaj çdo vend të bëjë rrugën e vet.

Ne nuk jemi një vend që mund të bëjë çfarë të dojë dhe si të dojë kur vjen puna te gjëra që janë të lidhura me harmoninë e brendshme të familjes evropiane. Pasaporta bullgare u bë shumë e fortë. Ne jemi siç nuk kemi qenë asnjëherë dhe kjo duhet pasur parasysh, por kemi kuptuar që me ju të rinjtë nuk para funksionon dhe jeni në të drejtën tuaj.

Sot ju jetoni në një situatë krejt tjetër. Shqiptarët sot janë më mirë se çfarë kanë qenë ndonjëherë si rezultat i përpjekjeve që janë bërë. Këto gjëra duhen ruajtur. Juve nuk jeni të detyruar të mendoni si t’i ruani, se ju jeni në fazën kur mendoni se si t’i hidhni në erë çdo gjë dhe sesi një botë e re të lindë nga gërmadhat.

Ne nuk do ta bëjmë këtë hov. Duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë kemi arritur. Të mos harrojmë nga vijmë, se kush e harron nuk e di më pastaj nga shkon. T’ju thuash juve sot që Tirana, ku ju protestoni, ka qenë një qenef dhe që pemët që ju shikoni sot, 90% e tyre i kam mbjellë unë kur kam qenë kryetar bashkie.

Sot unë besoj që protesta, në dimensionin ku ka përfshirë shumë të rinj, nuk është një shenjë krize, por një shenjë shumë kuptimplotë e pritshmërive. Sot nuk bëjmë fjalë për të ndryshuar nga një situatë qenefi në një situatë normaliteti. Sot po flasim për pritshmëri të tjera. Nuk mjafton më të ndërtosh një shkollë, as ta investosh brenda në shkollë me ato që duhen. Kërkesa është për më shumë: për çfarë cilësie ka mësimi, për nivelin e garancisë që ka niveli arsimor.

Nuk mjafton sot të ndërtosh qendra shëndetësore që nuk ekzistonin fare. Spitali Nënë Tereza ishte gjithçka dhe ti nuk kuptoje a ishte një pazar rrobash, a ishte një merkato ilegale frutash e perimesh, a ishte një parking i madh ilegal në mes të lagjes. Kur hyje nuk merrje vesh kush ishte mjeku e kush ishte pacienti. Shqipëria kishte 50 mijë infeksione. Sot gjërat janë ndryshe, por nuk mjafton. Këtë gjë unë dhe ne duhet ta kemi të qartë.

Duhet të bëjmë kujdes mos ta bëjmë si lopa që i bie me shqelm qumështit që është mbledhur me sakrifica. Nuk jemi ne që të kapim daullet e nacionalizmave. Duhet të jemi mirënjohës për ata që kanë dhënë kontribut dhe duhet të vazhdojmë përpara e të jemi qengji i butë që pi dy nëna e jo dhitë që nuk i do njeri as te kodra mbrapa shtëpisë”, tha Rama.

Ora 15:46
Rama: PS ka misionin historik për të anëtarësuar vendin në BE! Nëse ndodh historia do të sillet shumë mirë me ne

 

Kryeministri Edi Rama në takimin që po zhvillon me të rinjtë foli edhe për rrugën drejt BE-së.

“Kam frikë se edhe shkrimi i historisë pas 30 vitesh do të jetë tjetër.  Në këtë fazë PS ka një mision historik që ka qëlluar të jetë i gjithë në dorën tonë. Për herë jemi në kushtet për ëndrrën drejt anëtarësimit në BE. E kam besuar këtë gjë kur dukej e pamunundur,e besoj tani se duket me sy mbërritja. Nëse ndodh kjo historia do të sillet shumë mirë me ne”, tha Rama.

Ora 15:45
Rama: Integrimi proces kompleks, Diella ka përshpejtuar punën! Holanda vendi më i vështirë për tu bindur, Tirana u ndryshoi perceptimin

 

Kryeministri Edi Rama u pyet nga të rinjtë në Jalë nëse anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një realitet i prekshëm apo një tjetër premtim politik. Rama u përgjigj duke treguar për sukseset e Shqipërisë dhe qeverisë në rrugën drejt anëtarësimit duke arritur deri te mbyllja e kapitujve.

"Të besosh pa kontrolluar është diçka që nuk mund t'i kërkohet askujt. Por të mos besosh pa kontrolluar është edhe më keq. Ky është një proces jashtëzakonisht kompleks, për të cilin flitet shumë, por shumë pak e njohin nga brenda. Edhe unë, sikur të isha dikush që nuk do të merresha me këtë punë, do të isha shumë më pak i informuar për kompleksitetin e këtij procesi. Është një proces që ka një kompleksitet të natyrës teknike, politike dhe gjeopolitike.

Patjetër është një proces, kur themi teknik nuk e kam fjalën vetëm për plotësimin e kushteve që duhet të plotësosh për të avancuar dhe për t'u bërë vend anëtar. Kjo do të thotë që në të gjitha fushat duhet të plotësosh standardet. Këto janë të shkruara. Shqipëria duhet të fusë në organizmin e vet ligjor rreth 4 mijë e disa qindra akte ligjore dhe nënligjore që lidhen me procesin. Ne bëmë një kalkulim para se të hynim në këtë fazë dhe pamë që kapaciteti i vendit për të prodhuar akte të tilla ishte rreth 60 akte në vit. Normalisht që nuk do të ecnim me të njëjtin ritëm. Në momentin që hyn në atë fazë, organizohet një ushtri me juristë dhe përkthyes për ta bërë këtë punë.

Kroacisë i janë dashur shtatë vite vetëm për këtë proces. Ne krijuam modelin e inteligjencës artificiale me Diellën dhe, faktikisht, përshpejtuam transpozimin. Sot e bëjmë transpozimin në një kohë shumë më të shkurtër dhe me një saktësi 99.5%, ku dora e juristëve ndërhyn vetëm për rregullime të vogla. Ti mund t'i bësh të gjitha dhe t'i kalosh të gjitha aktet në rrugën legjislative, por nuk mjafton. Duhet edhe t'i zbatosh. Ka një proces monitorimi. Mund të bësh edhe zbatimin, por prapë nuk mjafton. Duhet që 27 vendet të bien dakord që ti të hedhësh hapin tjetër. Ajo familje funksionon me konsensus, nuk ka votim me shumicë.

Përgjithësisht e kemi hasur këtë te vendet e mëdha që nuk ishin gati ta çonin procesin përpara. Tri herë na është refuzuar hapja e negociatave, edhe pse Komisioni Evropian kishte rekomanduar hapjen e tyre.

Sa i përket marrëdhënieve tona me Holandën, që kanë qenë ndër më të vështirat që kemi pasur me Bashkimin Evropian, Holanda është realiteti më i ngurtë kur vjen puna te zgjerimi. Një ndeshje futbolli na e ktheu rrotën e historisë së marrëdhënieve me Holandën. Finalja e Conference League. E gjithë ajo turmë e madhe u mahnit nga Tirana dhe pati mundësinë të shihte që Shqipëria nuk ishte ajo që ishte krijuar në stereotipin e tyre: kriminelë, kontrabandë, drogë, krim. Panë që Shqipëria ishte diçka krejt tjetër.

Vulën ia vuri emisioni që ata bënë në Shqipëri dhe sot Holanda është një nga vendet ku opinioni publik e mbështet anëtarësimin e Shqipërisë më shumë sesa në vende të tjera. Unë do të iki në Paris, pasi jemi të ftuar nga Presidenti i Francës për festimet e 14 Korrikut, dhe më pas do të shkoj në Bruksel, ku do të punojmë për të mbyllur kapitujt”, tha Rama.

Ora 15:35
Rama: Të rinjtë e punësuar në administratë e kanë merituar, kanë ardhur nga ekselenca

 

Kryeminstri Edi Rama po mban një takim me të rinjtë në Jalë, ku foli edhe për të rinjtë që janë punësuar në administratën publike.

“Problemet nuk i krijon algoritmi, por i karakterizon sipas natyërs së tyre. Ne kemi pasur një algoritëm fatal që quhej thashethemi dhe që është bërë global e dixhital. Problemin nuk e krijon algoritmi. Sot kemi 2 nivele të administratës. Te shërbimi civil infrastruktura është e jashtëzakonshme.  Ne kemi pasur një sukeses me negociatat. Aty s'ka mik që  të shpëton nga rrezja e diellit. Vendi ka qenë i  shumë i vlerësuar në këtë nivel. Numri i vajzave dhe djemve të punësuar kanë ardhur nga programe të ekselencës. Ata kanë hyrë në administratë sepse kanë e merituar”, tha Rama.