Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026” nuk do të zhvillohet në datat 11-15 nëntor, siç ishte planifikuar fillimisht. Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka njoftuar shtyrjen e aktivitetit për shkak të situatës së tensionuar në Tiranë, të lidhur me protestat në vend.

Në njoftimin e saj, shoqata bën me dije se vendimi është marrë pas konsultimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues.

"Grupi organizator i Panairit, pas këshillimeve me shumë botues, pedagogë, mësues dhe lexues, vlerëson se organizimi i tij në datat e parashikuara (11-15 nëntor 2026), për shkak të situatës së tensionuar dhe shqetësuese në Tiranë, nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve, veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të Panairit të Librit", lexohet në njoftim.

Panairi i 29-të i Librit do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, ndërsa datat e reja pritet të bëhen të ditura në ditët në vijim.

Organizatorët kanë theksuar se aktiviteti do të mbahet brenda këtij viti, duke ruajtur traditën e takimit të botuesve, autorëve dhe lexuesve me botën e librit.

"Ju njoftojmë se Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026” do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, pra brenda këtij viti. Datat e sakta do t’jua bëjmë të ditura shumë shpejt", shtohet në njoftim.