Një grup studentësh njoftuan sot krijimin e një organizimi të ri studentor, të pagëzuar si “Lëvizja Studentore Kombëtare”, e cila siç deklarojnë, është vijimësi e revoltës qytetare, por jo zëvendësim i saj.

Ata thonë se kanë  zgjedhur përfaqësues në çdo fakultet, dhe se kësaj lëvizje i janë bashkuar deri tani mbi 2000 të rinj. Në një deklaratë publike ata shprehen se organizmi nuk ka kryetar dhe se nuk flasin në emër të studentëve por kërkojnë bashkimin e tyre.

“Studentë, thirrja jonë e parë drejtohet për ju. Ky organizim, nuk ka kryetar, e as ne nuk jemi të tillë. Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë, të na bashkoheni. Duam të dëgjojmë zërat tuaj, mendimet dhe problematikat që keni hasur, shpresat dhe aspiratat për të ardhmen, jo vetëm tuajën, por të gjithë Shqipërisë. Ne duam të kultivojmë kulturën e demokracisë, që ka munguar në Shqipëri deri më sot”, thuhet në deklaratën e publikuar.

Në takimin e zhvilluar sot, ata kanë diskutuar mbi strukturimin e lëvizjes dhe hapat që do të ndërmarrin në vijim. Studentët theksojnë se bëhet fjalë për një organizim të pavarur, që nuk synon të shndërrohet në parti politike.

Kërkesat konkrete thonë se do t’i bëjnë të ditura në ditët në vijim. Ata thonë se ky angazhim do t’i shërbejë orientimit të mëtejshëm të protestës.

“Pikërisht për këtë arsye, në vijim, do të paraqesim për diskutim publik propozimet tona. Angazhimi ynë në këtë debat buron nga e drejta dhe përgjegjësia për të ndikuar në rregullat që përcaktojnë të ardhmen e brezit tonë, pa zëvendësuar kërkesat e tjera të protestës qytetare. Këto propozime nuk pretendojnë të jenë zgjidhje përfundimtare, por pjesë e një reflektimi më të gjerë juridik dhe politik, që studentët po zhvillojnë në bashkëpunim me qytetarë, intelektualë, profesionistë dhe pedagogë. Ky angazhim shoqëron protestat tona dhe do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për orientimin e mëtejshëm të lëvizjes studentore dhe qytetare”, vijon deklarata.

Përballë grupit të të rinjve që një ditë më parë u përfshi në një dialog me kryeministrin Edi Rama, qëndrimi i tyre është kategoriskisht refuzues ndaj kontakteve me kreun e qeverisë.

“Organizimi ynë është jo përfundimtar por i pavarur. Kjo është vendimarrja e një grupi të studentëve, përfaqësojmë një pjesë të atyre që janë angazhuar. Nuk po bëjmë parti politike por organizim studentor. Nuk marrim pjesë në asnjë dialog me Ramën. Kjo lëvizje nuk pranon të ulet në tryezë me kryehajdutin. Nuk e dijmë kush mori pjesë në takim me Ramën. Nuk kemi pasur ftesë”, shprehen ata.

kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:54
Biberaj përplaset me policinë, bën me shenjë nga socialistët: Ja ku i keni patronazhistët! Efektivët bllokojnë rrugën me kordon policor (VIDEO)

Nga pamjet e siguruara nga Report TV, ish-deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, shihet duke debatuar me efektivët e policisë, të cilët kanë bllokuar rrugën dhe janë vendosur në formën e një kordoni policor.

Gjatë momentit të debatit, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar dëgjohet t'u drejtohet efektivëve me fjalët “Ja ku i keni patronazhistët”, duke treguar në drejtim të anëtarëve të Partisë Socialiste që po dilnin nga Galeria e Arteve pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë së PS-së.

Ora 13:36
Protestuesit pranë Universitetit Politeknik me thirrje: 'Poshtë patronazhistët', tentojnë të marshojnë! Prani e shtuar e policisë (VIDEO)

Teksa anëtarët e Partisë Socialiste dilnin nga mbledhja e Asamblesë së PS-së në Tiranë e organizuar në Galerinë e Arteve, studentët e mbledhur pranë Universitetit Politeknik kanë lëshuar thirrje kundër kryeministrit Edi Rama.

“Rama jep dorëheqjen” dhe “Qeveri e krimit, arrestoni Ramën” ishin thirrjet e protestuesve. 

Ndërkohë, protestuesit ndodhen në zonën e Sheshit “Nënë Tereza”, ku shihen edhe një numër i konsiderueshëm efektivësh policie të pranishëm në terren.

Sipas pamjeve, protestuesit po tentojnë të marshojnë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa situata monitorohet nga forcat e policisë.

Ora 13:22
‘Poshtë diktatura!’ Studentët thirrje drejt Ramës, kryeministri u buzëqesh: Hajdeni! (VIDEO)

Ndërsa Rama dilte nga Akademia e Arteve ku u mbajt Asambleja e PS, disa metra më tutje qëndronin studentët, të cilët po ashtu sapo kishin përfunduar mbledhjen e tyre.

“Poshtë diktatura”, ishte thirrja me të cilat e pritën ata kryeministrin.

Ky i fundit buzëqeshi dhe u tha “hajdeni” duke i ftuar në dialog.