Protestat e Rithemelimit, Veliaj për Report Tv: Dogjën bashkinë, monument kulture! Ditët e ardhshme dorëzoj vetë dosjet në SPAK me informacione për të gjitha çështjet

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar në një intervistë ekskluzive për Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, protestat e Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë përballë Bashkisë së Tiranës për të kërkuar dorëheqjen e tij pas disa arrestimeve të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të bashkisë për dosjen “5D” që po heton SPAK.

Zhurmë të Ilir Metës dhe Sali Berishës për të hequr frikën e tyre nga humbja e radhës i quan Veliaj protestat, ndërsa ironizon kur përmend pjesëmarrjen e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kur ndërkohë sulmohet me molotov godina e bashkisë, monument kulture. 

"Godina e bashkisë është monument kulture. Ndaj, të thuash se po e bëjmë këtë për teatrin dhe po djegim një monument kulture, që është realisht monument kulture, se ai (ish godina e teatrit) nuk ishte me ligj, është diskreditimi më i madh. Pastaj, ta mbyllësh protestën duke thënë lironi Saliun, aty vërtet katandiset kokoshi një thelë, se kuptohet që interesi është tërësisht banal dhe jo parimor”, tha Veliaj.

Qytetari i parë i Tiranës njofton se do të ndërmarrë një qasje të re ndaj Prokurorisë së Posaçme duke vlerësuar të drejtë shqetësimin e kreut të SPAK Altin Dumani se institucionet duhet të jenë më pro aktive. Ai nënvizoi se në ditët në vijim do të dorëzojë vetë në SPAK dosjet për të gjitha çështjet, përfshirë inceneratorin dhe atë ‘5D’.

"Zoti Dumani kishte të drejtë kur tha se institucionet duhet të jenë më pro aktive. Unë e kam marrë seriozisht këtë propozim dhe dua jo vetëm të vazhdojmë bashkëpunimin, por dua të jap më shumë informacione, edhe për të sqaruar çështjen e inceneratorëve. Unë i kam bërë gati dosjet, gjithë kronologjinë, edhe të mënyrës sesi ne, si një nga 5 (fillimisht) dhe tani 6 bashkitë, jemi klientë të inceneratorit, por edhe ku është diferenca mes letrës së Bankës Botërore dhe asaj që është një ofertë e pa kërkuar, dhe sesi disa personazhe mundohen t’i ngatërrojnë të dyja, por është e pa ngatërrueshme, është shumë e qartë", shtoi kryebashkiaku.

Ndërkohë që protesta e radhës së PL-së dhe Rithemelimit është parashikuar për të martën, kur mblidhet edhe Këshilli Bashkiak, Veliaj u bën thirrje anëtarëve demokratë të mos bëhen gazi i botës e të mos bllokojnë ndihmën ekonomike për shtresat në nevojë, bonus qiraje për 26 shtëpi të prishura nga tërmeti dhe vendimin e madh simbolik, të dhënies së titullit ‘Qytetar Nderi’ per Ali Ahmetin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:03
Veliaj për Berishën dhe Metën: Dy pacientë, njëri ulëret nga dritarja, tjetri bën mizanskena! S’duhet të ngatërrojmë klounin me liderin

“Sduhet të ngatërrojmë klounin me liderin”, tha Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në intervistën e dhënë prë Report tv teksa u është përgjigjur akuzave politike të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Arbër Hitaj: Dua një koment edhe direkt po ua kërkoj në lidhje me kundërshtarët tuaj politik. Berisha iu ka pjesë të repertorit të tij nga ballkoni por edhe zoti Meta. Ka mbajtur një konventë që e ka quajtur historike.

Erion Veliaj: Po ça komenti, përveçse më dhimbsen. Më dhimbsen. Kur fillon i trajton si kundërshtarë duket sikur e merr seriozisht ndërkohë që janë dy pacientë në thelb, njëri pacient në kushte shtëpie dhe që ulëret nga dritarja. Kur kemi qenë të vegjël, njerëzit kur shikonin dikë që dilte ulëriste në dritare në ballkon, u thoshin mblidheni atyre të shtëpisë. Këtu qartazi pacienti është më i fortë se infermierët. Është dhe ky tjetri nga Përputheni që bën këto mizanskenat me kap prime. Por jo çdo njeri që kap prime, zgjidhet. S’duhet të ngatërrojmë klounin me liderin. Të bësh atë lloj cirku dhe të bëhesh gazi i botës për klikime, është profesioni i ca influencerave që nuk kanë lidhje me politikën. Të jesh burrë shteti, të marrësh përgjegjësi, të marrësh vendime do të thuash unë në këtë vend lashë këtë shenjë dhe të dëgjoje sot atë përroin e ndërgjegjes klinike dhe ti thua ore ça ka bërë ai për vendin përveçse mori në gojë të gjithë dynjanë, ça bëri për vendin, ku la një shenjë. Mësimi për të rinjtë është: së pari mundohu të lësh vepra, që të mos kujtohesh për fjalët dhe përgojimet, por për vepra konkrete 1,2,3,4,5…20.

 

Ora 19:26
Veliaj: Marrëdhënia me SPAK-un pro-aktive, në ditët në vijim do të dorëzoj vetë dosjen me informacione për të gjitha çështjet

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi sot se Bashkia e Tiranës është treguar gjithmonë bashkëpunuese me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm për hetimet. Në një intervistë në Report TV, Veliaj tha se në ditët në vijim do të dorëzojë vetë në SPAK dosjen me informacione për të gjitha çështjet. Ai u shpreh se beson në një marrëdhënie pro aktive me SPAK-un, dhe jo siç “bëjnë disa skile në politikë, ku njëri fshihet pas konventës, tjetri fshihet pas ballkonit te shkolla ‘Kosova’”.

Pjesë nga intervista me gazetarin Arbër Hitaj:

Arbër Hitaj: Kjo protestë ka filluar nga disa arrestime që ka bërë SPAK dhe më lejoni të jem i drejtpërdrejtë. A jeni i gatshëm që të bashkëpunoni nëse do të thirreni nga SPAK të jepni dhe variantin tuaj nëse do kërkoheni nga SPAK. A druhet Erion Veliaj nga drejtësia e re?

Erion Veliaj: "Ne jemi treguar bashkëpunues me SPAK-un jo vetëm për çështje të dokumentacionit dhe mbarëvajtjes së hetimeve, por e kemi dëshmuar edhe me VKB, duke dhënë edhe prona të bashkisë për mbarëvajtjen e punës së SPAK-ut. Ju kujtoj se ish-ndërtesa e Ujësjellësit iu dhurua SPAK-ut nga Bashkia e Tiranës, që kolegët e BKH-së të punojnë në kushte njerëzore sepse s’mund të kesh një institucion, i cili duhet të përfaqësojë drejtësinë, që të ulen si në shkollat e Tiranës që gjeta unë para disa vitesh, me 5 veta në një zyrë dhe dosjet kapicë. Edhe drejtorët që sot duhet të japin shpjegime para SPAK-ut, në 1 mijë punë të mira që kanë bërë, qoftë edhe për një punë që ka nevojë të sqarohet, kanë qenë bashkëpunues. Unë si drejtues i bashkisë, po e po. Në dallim nga disa të tjerë që e kanë bashkëpunimin vetëm në nivel narrative ose dakordësie, - ose fjala vjen, një deputet, çfarë do bashkëpunojë me SPAK-un përveçse duke ngritur dorën kur kalon buxheti dhe ligjet mbështetëse - në Bashkinë e Tiranës kemi shkuar edhe përtej kësaj, kemi shkuar në dhënie asetesh që kolegët të punojnë në kushte komode. Mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe besoj se kemi qenë institucioni më korrekt. Ju kujtoj se në Bashkinë e Tiranës ka qindra procedura, për mbi 11.700 vetë staf, ndaj në këtë sens, gjithmonë mund të ketë nevojë për bashkëpunim dhe gjithmonë do të ketë bashkëpunim.

Unë besoj se marrëdhënia me SPAK-un nuk duhet të jetë vetëm reaktive, kur ata kërkojnë diçka, por mund të jetë edhe pro aktive. Zoti Dumani kishte të drejtë kur tha se institucionet duhet të jenë më pro aktive. Unë e kam marrë seriozisht këtë propozim dhe dua jo vetëm të vazhdojmë bashkëpunimin, por dua të jap më shumë informacione, edhe për të sqaruar çështjen e inceneratorëve, edhe për të shpjeguar pse disa media dhe disa gazetarë të influencuar nga politika ngatërrojnë letrën e Bankës Botërore me propozimin e pakërkuar. Kështu që, sa të pres që SPAK-u dhe institucionet e tjera, le të themi, me procedurat dhe vonesat e postës, ta bëjnë gjithë këtë komunikim, më mirë shkoj vetë, bëj një kronologji të gjithë këtyre situatave dhe mendoj se qasja proaktive na ndihmon të dyja palëve. Palën e bashkisë për aq sa ka, si një nga 5-6 klientët e inceneratorëve dhe për gjithë dijeninë që ka, edhe palës së SPAK-ut për të mos u vonuar me “erdhi posta, u vonua posta”, por për të pasur të gjithë informacionin e nevojshëm.

Ndaj, besoj, në ditët e ardhshme do të kemi një dakordësi për orarin, unë i kam bërë gati dosjet, gjithë kronologjinë, edhe të mënyrës sesi ne, si një nga 5 (fillimisht) dhe tani 6 bashkitë, jemi klientë të inceneratorit, por edhe ku është diferenca mes letrës së Bankës Botërore dhe asaj që është një ofertë e pa kërkuar, dhe sesi disa personazhe mundohen t’i ngatërrojnë të dyja, por është e pa ngatërrueshme, është shumë e qartë. Banka Botërore është aty, dëshmitarët janë aty, dhe them më mirë proaktiv dhe shkoj vetë, sesa të bëj atë që bëjnë disa skile në politikë, ku njëri fshihet pas konventës, tjetri fshihet pas ballkonit te shkolla “Kosova”, që janë sjellje të pahijshme për burrat. Por, unë besoj se kështu është ndarë kjo jetë: në ca njerëz që nuk kanë asnjë problem me integritetin e tyre, me dëshirën e tyre, me pasionin e tyre dhe me gjurmën që kanë lënë në këtë qytet dhe në vend, dhe në ca të tjerë që fshihen, njëri është me diarre, tjetri thotë është pa qejf për “Rrugën e Kombit”… po ata janë i njëjti stan, i njëjti bulmet. Them “stan me lepuj” se nuk kanë minimumin e dinjitetit… gëzohen kur shahet Shqipëria dhe Tirana, e ndërkohë s’kanë pikën e burrnisë dhe inskenojnë drama të tipit “Përputhen” në familjen e tyre, me demek për të hequr vëmendjen nga dramat reale, që i kanë shkaktuar këtij vendi. Kjo është diferenca e madhe mes nesh dhe tyre.”

Ora 19:20
Protesta, Veliaj: Vajza e Saliut e çuni i Fariut bërtasin ‘poshtë pinjollët e komunistëve’! Zhurmë për t’i hequr vetes frikën nga humbja e radhës

Në intervistën e dhënë për Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj komentoi edhe pjesëmarrjen e Argita Berishës dhe të Klevis Balliut në protestën para bashkisë.

“Kur ti dëgjon vajzën e Saliut, vajzën e Safetit, çunin e Fariut qe thonë “poshtë pinjollët e komunistëve”, por unë jam rritur vetëm që 10 vjeç, kurse ata njihen ende me emrin e prindit, djali dhe vajza e filanit. Unë besoj që Tirana gjithmonë e më shumë është e çunave dhe gocave që janë rritur vetë dhe i kanë bërë gjërat me mund e djersë, sesa ata që i kanë trashëguar nga mami dhe babi”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se Berisha dhe Meta po bëjnë zhurmë për t’i hequr vetes frikën nga humbja e radhës.

“Te filmi‘Beni ecën vetë’, Beni bërtiste me zë të lartë dhe ulëriste në pyll që t’i hiqte frikën vetes, jo që të trembte të tjerët. Këta bëjnë zhurmë për t’i heq vetes frikën nga humbja e radhës, po nuk e dëmtojnë qytetin. Sigurisht, përfundojnë nëpër instagrame dhe reelsat e turistëve. Unë po bëj çmos t’i çoj turistët tek Kopshti Zoologjik, ata bëjnë çmos ta kthejnë Kopshtin Zoologik në qendër të Tiranës, por kjo është zgjedhja e tyre. Kështu që nuk e ndërpresim jetën e qytetit”, deklaroi Veliaj.

Ora 19:17
Rithemelimi protestë ditën e Këshillit Bashkiak, Veliaj: Mos u bëni gazi i botës të bllokoni dhënien e titullit 'Qytetar Nderi' për Ali Ahmetin dhe ndihmën ekonomike

Kryebashkiaku Erion Veliaj i bën apel Rithemelimit dhe PL-së që të mos bllokojnë vendimmarrjen për dhënien e qytetarisë së nderit Ali Ahmetit dhe ndihmën ekonomike për njerëzit në nevojë në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak. Në një intervistë për Report tv, Veliaj ka komentuar thirrjen e Berishës dhe të Metës për të protestuar sërish para Bashkisë së Tiranës, ditën kur Këshilli Bashkiak do të marrë disa vendime shumë të rëndësishme për qytetin.

“Atë dite ne kemi vendime të rëndësishme, janë kryesisht vendime të ndihmës ekonomike, të shpërndarjes së parave për disa shtëpi që janë djegur aksidentalisht, janë 26 shtëpi në per bonus qiraje per tërmetin dhe kemi një vendim të madh, simbolik për dhënien e titullit ‘Qytetar Nderi’ per Ali Ahmetin. Nëse duan të bëhen gazi botës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, dhe të bllokojnë vendimmarrjen për dhënien e qytetarisë së nderit, Ali Ahmetit, apo të pengojnë ndihmën ekonomike, le ta bëjnë, por di të them se qyteti ka menaxhuar vendimmarrje të Këshillit Bashkiak edhe në pandemi, edhe pas tërmetit, kështu që, një lloj karagjozllëku i tillë nuk pengon jetën e qytetit. Siç thashë, është një stan me lepuj dhe me gjithë insistimin tim që t’i çojmë njerëzit te Kopshti Zoologjik, insistimi i tyre për ta sjellë Kopshtin Zoologjik këtu është e drejtë e tyre, jetojmë në demokraci nuk ka asnjë problem”, u shpreh Veliaj.

Ora 19:14
‘Tirana po ecën me shpejtësi’, Veliaj për protestën dhe thirrjet 'lironi Saliun': Dogjën një monument kulture, akt jo patriotik! U katandis kokoshi 1 thellë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj komentoi për Report tv protestën e djeshme, të thirrur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta para bashkisë. Në një intervistë me gazetarin Arbër Hitaj, Veliaj tha se interesi i protestës është tërësisht banal sepse u mbyll me fjalët “lironi Saliun”.

“Godina e bashkisë është monument kulture. Ndaj, të thuash se po e bëjmë këtë për teatrin dhe po djegim një monument kulture, që është realisht monument kulture, se ai (ish godina e teatrit) nuk ishte me ligj, është diskreditimi më i madh. Pastaj, ta mbyllësh protestën duke thënë lironi Saliun, aty vërtet katandiset kokoshi një thelë, se kuptohet që interesi është tërësisht banal dhe jo parimor”, tha Veliaj.

Veliaj nënvizoi se Shqipëria dhe Tirana janë kantiere të jashtëzakonshme pune dhe transformimi.

“Apeli im për administratën është fokusi te puna. Këto molotovët do të konsiderohen si ndeshja e derbit kur hidhen flakadanë, por puna do mbetet, veprat do mbeten. Ajo që mund të them për protestën është se ky është një është një vend i lirë, por mos ia merrni fytyrën Tiranës.  Habitem me gëzimin e disa njerëzve që të shahet Tirana, të shahet Shqipëria…. Shqipëria nuk është me tapi e Edi Ramës dhe Tirana nuk është me tapi e Lali Erit. Shqipëria dhe Tirana janë kantiere të jashtëzakonshme Transformimi, ku kryeministri me vizionin e tij dhe administrata e bashkisë me vizionin e saj, po i bëjnë këto transformime. Kur shikon disa njerëz që eksitohen jashtë mase, gëzohen se si qytetit apo shtetit tënd i vihen stërkëmbësha, më duket gjesti më jopatriotik”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se punët në kryeqytet po ecin me shpejtësi të madhe, ndërkohë që një grusht njerëzish duan që t’i marrin fytyrën Tiranës

“Më vjen keq që, teksa Tirana ecën me shpejtësi të jashtëzakonshme, disa qyqarë që kanë ngelur mbas Saliut dhe Ilirit po humbasin vitet më të dobishme të jetës. Unë e di se puna që bëj është një punë shumë polarizuese. Por, në fund të ditës, pyetja është se çfarë mbetet nga puna e çdo njerit? Ai shesh aty do mbetet, Pazari i Ri do mbetet, 40 shkollat do ngelen, këndet e lodrave do mbeten, Bulevardi po – të gjitha investimet që kemi bërë - Parku i Farkës, Kopshti Zoologjik, Kopshti Botanik. Pyetja është, nëse i adresohesh një njeriu të thjeshtë, çfarë ka bërë për ty Ilir Meta, që e ka kthyer gjithë këtë histori si “Përputhen” dhe “S’përputhen”? Pra, në një dramë kalamajsh, një dramë njerëzish të papjekur. Më thuaj një shkollë, një kopësht, një çerdhe që kanë bërë ata? Merr rrugën “Mustafa Matohiti”, ku ajo shkolla “Kosova” ngjitur me dritaren e Saliut është prova më ulëritëse e diferencës sonë. Ishte parking për t’u bërë pallat i tyre. U shpronësua për t’u bërë shkollë nga ne”, tha Veliaj.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kasem Gahinji: 28/04/2024 11:22

    Dakord me gjithecka qe thoni.Por kam nje pakenaqsi.Demtimi i monumenteve te kultures me cfardo lloji mjeti eshte veper penale.Pse nuk beni asnje denoncim?Sipas ligjit,Organizatoret e protestes,kushdi qofshin,Edhe artistet e mbrojtjes se teatrit,si dhe ATA qe me fjalimet e tyre nxisni perdorimin e mjeteve shkaterruese,mbajne pergjegjesi ligjore Perse nuk i denonconi?Jane prodhiar dhe perdorura bomba artizanale,mjete luftarake qe perdoren ne fushen e luftes.Pse nuk vepron prokuroria?Ky Jane prodhiar,kush i prodhoi? Vini re,nga e premtja e shkuar,kete te premete bombar molotov Kane qene me te fuqishme.Pra,punohet per te forcuar goditjen.Te marten shishet mund te mbushen Edhe me copa metalike,Duke i njesuar me granata e dores offensive apo difensive.Pra,rreziku terroriste kriminale behet me i madh.A po' veprohet nga organet kompetente.Jane veprime terroriste te pergatitura me qellim,ndaj duhet vepruar me force.Policia te zbatohet ligjin per tiu pergjigjur ketyre akteve me mjete ekuivalente:- shkopij i gomes,bombat me Gaz lotesjelles.Ato nuk Jane vdekjeprurese,por neutralizuese,ndersa bomba molotov eshte asgjesuese.Merrni Masa.

    Përgjigju
  • sapa: 28/04/2024 07:25

    Ore pse nuk e arrestojne kete hajdutin?Keshtu do beni shtet ju o Rilindas Kriminele dhe mashtrues?

    Përgjigju
  • Kdks: 28/04/2024 07:07

    Hengshi kokat me njeri tjetrin

    Përgjigju
  • koli: 28/04/2024 02:07

    jep doreheqjen o palaco ,,se je i korruptuar...mos e detyro popullin te te marre zvarre....

    Përgjigju
  • beni: 27/04/2024 19:31

    do i qosh dosjet sipas interesit tend e lali eri. do i heqesh procvat dhe do qosh letra bosh

    Përgjigju
    • Partia: 28/04/2024 06:57

      Do I çojë se e kane thirr, cfare dëgjon ti, perralla?

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë