Grupimi Qytetar kundër Projektit TID Durrës u mblodh sërish këtë të enjte para Bashkisë së Durrësit, duke përsëritur kërkesën për hapjen e një tryeze zyrtare bisedimesh me institucionin vendor.
Familjet që preken nga prishjet e banesave dhe bizneseve në zonën historike theksuan se presin dialog të drejtpërdrejtë, në përputhje edhe me rekomandimin e dhënë nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim gjatë takimit me banorët më 19 janar. Ata shprehën kundërshtimin ndaj zgjidhjeve që, sipas tyre, po orientohen drejt sistemimit në banesa sociale, duke i konsideruar të papranueshme.
“AADF informoi banorët/pronarët pjesëmarrës në takim se nuk ka asnjë kompetencë për shqyrtimin, vlerësimin apo miratimin e projektit të hartuar nga arkitektët e angazhuar, por është përgjegjëse, në cilësinë e donatorit, vetëm për pagesën e kostos së tij, pas miratimeve përkatëse nga autoritetet kompetente miratuese", thuhet në letrën zyrtare të AADF.
Protestës iu bashkuan edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, mes tyre deputeti Igli Cara dhe kryetari i degës lokale, Ardian Muka.
Në deklaratat për mediat, deputeti Cara kritikoi mungesën e reagimit nga Bashkia e Durrësit dhe e cilësoi projektin si problematik, duke ngritur shqetësime për mënyrën e zhvillimit të tij nga institucionet shqiptare në bashkëpunim me AADF.
Ndërkohë, përfaqësuesit e familjeve të prekura kërkuan ngritjen e një Komisioni Hetimor në Këshillin Bashkiak Durrës, me synim verifikimin e procedurave, evidentimin e shkeljeve të mundshme ligjore dhe rritjen e transparencës për veprimet e ndërmarra nga bashkia dhe Ministria e Kulturës gjatë pesë viteve të fundit.
.jpeg)

Komente










