Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kanë njoftuar nëpërmjet Qendrës së Shkëmbimit të Informacionit se për shkak të një proteste që do të zhvillohet në tokën maqedonase, nga një shoqëri e transportit të mallrave, do të bllokohet lëvizja e mallrave në hyrje-dalje, me pikat kufitare që lidhen me Maqedoninë e Veriut. 

Duke filluar nga ora 00:01 e datës 26.01.2026, do të bllokohet hyrja e mjeteve transportuese të mallrave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga ora 12:00 e së njëjtës datë do të bllokohet edhe dalja nga territori i saj. Protesta është planifikuar të zgjasë 7 ditë, nëse nuk do të ketë përpjekje për kapërcimin e problemit.

Nga ky bllokim do të përjashtohen mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë medikamente mjekësore ose bagëti, të cilat do të lejohen të qarkullojnë normalisht. Po ashtu, lëvizja e automjeteve të udhëtarëve nuk do të preket dhe do të vijojë pa kufizime.

Në pikën kufitare Bllatë, kufizimi përjashton automjetet e vogla, automjetet e emergjencës, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje subjekteve të transportit dhe qytetarëve të informohen dhe të marrin masat e nevojshme për të shmangur vonesat dhe problematikat gjatë kësaj periudhe.