FIER-Katër persona, simpatizantë të Partisë Demokratike janë arrestuar dhe 41 të tjera po hetohen në gjendje të lirë për protestën dje gjatë vizitës së kryeministrit. Sipas policisë ata kanë marrë pjesë në grumbullime të paligjshme dhe kanë mbajtur të bllokuar rrugën duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve.

Të arrestuar janë;
- H.H, 59 vjeç, banues në Patos
- G.B, 56 vjeç, banues në Patos
- B.J, 56 vjeç, banues në Patos
- B.Xh, 56 vjeç, banues në Roskovec

Ndërkohë që për 41 personat e tjerë që u shoqëruan dhe më pas u liruan po vijon hetimi në gjendje të lirë. Policia deklaron se vazhdon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë.

Ditën e djeshme kryeministri Rama shkoi në Fier për të festuar me gratë e këtij qyteti 8-Marsin, por PD-ja e priti me protesta. Megjithatë, kreu i qeverisë vijoi festën me gratë e vajzat, ndërsa mbrëmjen e djeshme policia nisi shoqërimet dhe arrestimet.