Dy gazetarë janë lënduar në protestën e ditës së sotme ndërsa bënin detyrën e tyre. Dhuna e protestuesve nuk i kurseu as ata, pasi një prej tyre mësohet se është goditur me tullë në kokë.

Të dy gazetarët kanë marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Traumës dhe më pas janë larguar.

Për ngjarjen ka reaguar edhe kreu i Autoritetit të të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi që i kërkon policisë t’i kushtojë vëmendje të veçantë garantimit të sigurisë së gazetarëve. Më tej, bën thirrje për më shumë kujdes e përmbajtje ndaj ekipeve të medias, duke nënvizuar shërbimin e tyre në interes të publikut.

“Në cilësinë e Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e krijimit të kushteve të sigurta për gazetaret, gazetarët dhe operatorët, si dhe të garantimit të ushtrimit të lirë të detyrës së tyre, veçanërisht në situata tensioni. U bëj thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj ekipeve të medias, ndërsa inkurajoj Policinë e Shtetit t’i kushtojë vëmendje të veçantë sigurisë së tyre gjatë raportimit.

Gazetaret dhe gazetarët në terren kryejnë një shërbim të rëndësishëm në interes të publikut. Puna e tyre meriton respekt, mbështetje dhe mbrojtje”, shprehet Krasniqi.

Protesta e sotme ka përshkallëzuar herë pas here në akte dhune. Veç gazetarëve, janë lënduar edhe të paktën 17 të tjerë, sipas të dhënave të deritanishme, por fatmirësisht asnjëri me plagë të rrezikshme.