TIRANE- Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit nuk do të lejohet që të bëhen provimet e maturës shtetërore në shkollat e komunave. "Nxënësit do të mblidhen nga drejtori i shkollës dhe do të shoqërohen me makinë deri te shkolla e qytetit, ku janë caktuar për të dhënë provim", - ka sqaruar drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu. Nëse prindi e shoqëron vetë nxënësin, këtë duhet ta deklarojë me shkrim. Ndërkohë gjatë ditës së sotme nis puna për përzgjedhjen e pyetjeve, për provimin e letërsisë, i cili do të zhvillohet në datën 2 qershor. Afro 6 mësues do të ngujohen dhe do të qëndrojnë deri në datën 1 qershor të izoluar dhe duke mos pasur asnjë kontakt me askënd dhe në mbrëmjen e kësaj date do të nisë dhe shpërndarja e testeve dhe bazës materiale në shkollat e mesme. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj sqaron se këtij provimi do t'i ushtrohen mbi 42 mijë maturantë. Ndërkohë që viti shkollor për maturantët ka përfunduar në datën 22 Maj dhe më 2 qershor do të jepet provimi i parë me detyrim, Letërsisë.
(e.k/shqiptarja.com)