TIRANE-  Dekanati i fakultetit të Shkencave të Lëvizjes pranë Universitetit ët Sporteve, ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit të diplomës së dhëndrit të rektorit Rizvanolli. Ata nuk e mohojnë se kjo çështje është serioze dhe për ta një rëndësi të madhe zbardhja e plotë e këtij rasti.


Mehmet Spahiu, dekan i fakultetit të Shkencave të Lëvizjes në Universitetin e Sporteve, i vënë nën akuzë për dhënie të provimeve pa qenë i pranishëm në Shqipëri Redi Shijakut, thotë se ata do të bëjnë përpjekje maksimale për ta zbardhur këtë çështje, pasi nuk mund të hidhet në erë puna e të gjithë stafit. "Mblodhëm këshillin e fakultetit dhe i kërkuam zyrtarisht sekretarisë mësimore që të na vërë në dispozicion të gjithë procesverbalet e provimeve të dhëna nga viti i parë deri në vitin e katërt, u morën edhe punonjësit e sekretarisë në këtë mbledhje për të diskutuar mënyrën se si është proceduar dhe çfarë ka ndodhur me dokumentacionin, në mënyrë që sadopak, të ishim në gjendje për të zbardhur çfarë ka ndodhur me rastin në fjalë. Të gjithë procesverbalet do t'i shikojmë me vëmendje me shefat e departamenteve, ku çdonjëri prej tyre do të verifikojë rregullsinë apo parregullsinë e ndonjë rasti të veçantë, nëse ka dhe sigurisht nuk do të mbetet me kaq, por ne do të paraqesim edhe qëndrimin tonë zyrtar për aq sa kemi konstatuar. Por mendoj se dekanati nuk do të marrë përsipër të bëjë hetuesin, por do në kuadër të përgjegjësive që ka kundrejt këtij fakulteti, do të bëjë maksimumin e vet që të zbardhi këtë të vërtetë që është një problem shumë shqetësues dhe që kërkon një përgjigje të saktë", - na shpjegon dekani Spahiu. Sipas tij vetëm pasi të bëhet një verifikim i tillë do të mund të përcaktohen qartë përgjegjësitë e gjithsecilit. "Sigurisht që ky është një rast që në njëfarë mënyrë e ul imazhin e universitetit tonë, por në rast se gjërat zbardhen dhe çdo gjë shkon në vendin e vet, sigurisht që çdo pedagog që ka vepruar korrekt dhe nuk është implikuar do të ndihet mirë, por në raste të kundërt, kur një pedagog mund të ketë vënë firmën për një rast të tillë dhe kjo do të marrë përgjigjen: nëse ka qenë një lapsus, ka qenë një marrëveshje, ka qenë një keqkuptim apo ka qenë një kompromis. Çfarëdo të jetë nga këto, unë mendoj që në njëfarë mënyrë ky problem duhet të këtë një përgjigje". Më tej ai shton se fakulteti është i hapur edhe ndaj institucioneve të tjera, në mënyrë që kësaj çështje t'i shkohet deri në fund. "Institucionet përkatëse që janë të interesuar për raste të tilla i kanë dyert e hapura dhe janë të mirëpritur si ministria e Arsimit si institucione të tjera të nivelit më të lartë që të vijnë të shikojnë, të verifikojnë dhe të zbardhin çdo të vërtetë që ka të bëjë me këtë problem, që për mendimin tim është shumë shqetësues dhe kërkon një përgjigje", - na sqaron më tej dekani duke theksuar se ata e kanë si detyrim këtë gjë, kundrejt studentëve dhe prindërve që u besojnë shkollimin e tyre.

Ai shprehet i bindur se ky fakultet ka kapacitete shumë të mëdha profesionale dhe një rast i tillë nuk ia zbeh aspak cilësinë. "Unë mendoj se rasti i publikuar në median tuaj nuk cënon funksionim korrekt të fakultetit tonë, por shqetëson dhe e ngacmon si një problem shumë serioz verifikimin e këtij fakti nëse është i vërtetë apo jo. Për këtë dua të them që në fakultetin tonë mësimi zhvillohet korrekt, theksoj që në përbërje të këtij fakulteti ka personalitete të sportit, profesorë, doktorë, mjeshtër sporti. Në total kemi një staf prej 33 personash që kanë një eksperiencë, 30-40 vjeçare pune, dhe po ti marrësh të gjithë bashkë, bëjnë gati 1 mijë vite pune. Pra si të thuash një milenium punë dhe një punë e tillë nuk mund të hidhet poshtë vetëm për shkak të përplasjeve personale momentale. Studentët që synojnë të vijnë në fakultetin tonë, të jenë të sigurtë se kanë të bëjnë me një fakultet që ka një të ardhme që atyre u shërben dhe në rast se venë në diskutim se një x student e ka marrë provimin në mënyrë të pamerituar kjo nuk ka të bëjë fare me studentët që ka si synim të konkurrojë në universitetin e sporteve dhe të diplomohet si i tillë", - thotë dekani Spahiu.
(Shkrimi u botua sot ne gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)