PS: Administrata e Berishës e
korruptuar, me militantë partiakë

TIRANE - Lindita Nikolli nënkryetarja e Minibashkisë numër 1 në Tiranë ka numëruar sot arsyet e radhës pse duhet që qytetarët sipas tyre të largojnë Berishën nga pushteti. Ajo e cilësoi administratën publike si “të korruptuar, që është zëvendësuar me militantë të PD-së, që presin vetëm urdhra nga Kryeministri”, duke thënë se asgjë nuk është bërë për administratën publike.

Këtë sipas Nikollit e ka shprehur edhe nga raporti më i fundit i Këshillit të Europës ku e rendit Shqipërinë të 113-ën si një nga shtetet më të korruptuara krah Etiopisë, Guatemalës.

PS-shtoi se “Administrata e Berishës nuk është e vogël, ai ka katërifishuar numrin e zëvendësministrave, të cilët presin urdhra partiakë”.


Deklarata për media e anëtares së Kryesisë dhe kandidates për deputete të PS, Lindita Nikolla:


Sot na ndajnë dhe 49 ditë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët me votë të bashkuar do të largojnë Sali Berishën, kryeministrin e 100 dështimeve me të cilat ka rrënuar vendin. Sali Berisha Dështoi me Administratën Publike. Erdhi në pushtet me premtimin e madh një qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë. Premtoi se administrata do të reduktohej me 10% dhe shpenzimet administrative me 25%. Por nuk bëri asnjë nga këto, përkundrazi, situata me administratën publike sot është alarmante.

Profesionistët dhe ekspertët u hodhën në rrugë, në kundërshtim me ligjin për tu zëvendësuar me militantë partiakë që në mungesë absolute të meritokracisë vegjetojnë për tu aktivizuar në periudha fushatash elektorale. Këtë nuk e themi vetëm ne, por e ka nënvizuar me shqetësim dhe raporti i fundit i Komisionit Europian, i cili shton me tej se kjo administratë e ka tejet të vështirë të përmbushë detyrat që shoqërojnë përmbushjen e detyrimeve për të bërë përpara me integrimin europian.

Sali Berisha premtoi se do të ngrinte Universitetin e Administratës Publike, por nuk e bëri. Ose gënjeu që në fillim, ose rrugës kuptoi se mes një administrate të dobët, shumë ministra (si muli) e zëvendësministra (si Nardi) do binin më pak në sy. Administrata e Berishës sot jo vetëm që është e paaftë, por është edhe më e korruptuara! Përveç Partisë Socialiste, këtë po e denoncojnë tashmë me shqetësim të gjithë, brenda e jashtë vendit. Qytetarët në masë absolute shprehin shqetësim kryesor korrupsionin.

Raporti i Komisionit Europian e ka vënë si kusht prioritar progresin në luftën kundër korrupsionit; raporti i departamentit të shtetit shprehet me shqetësim se korrupsioni ka kapluar çdo qelizë të institucioneve publike; dhe notën finale na e dha Raporti i Transparencës Ndërkombëtare duke na renditur si qeverinë më të korruptuar në Evropë e ndër më të korruptuarat në botë. Ky raport e rendit Shqipërinë në vendin e 113, në të njëjtin vend me Etiopinë, Guatemalën. Nigerin dhe Timor-Leste.

Çdo vit, Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton se miliona euro dëme i shkaktohen buxhetit të shtetit si rrjedhojë e shkeljeve ligjore dhe abuzimit me detyrën. Të gjitha rekomandimet e raportit për masat që duheshin marrë ndaj abuzuesve me paratë e qytetarëve shqiptarë, janë injoruar. Miliona Euro në vit të çuara dëm; në vend që të shkonin për një shkollë më shumë, një spital më shumë, një rrugë më shumë, qindra familje më pak të varfër.

Administrata e Sali Berishës, përveç se e paaftë dhe e korruptuar, për fat të keq nuk arriti të ishte as e vogël. Zvogëloi numrin e ministrive, por katërfishoi numrin e zëvendësministrave. Gjeti një administratë me 119 mijë të punësuar buxhetorë, dhe po e lë me mbi 128mijë. Pra gati 10.000 më shumë militant të PD që presin urdhrin politik të radhës.

Për Partinë Socialiste Rilindja do të nisë nga shndërrimi i administratë publike në një strukturë të aftë profesionalisht dhe të përgjegjshme, duke u ndarë një herë e mirë nga praktikat e mobilizimit partiak, nepotik e klientelist.

Do të krijojmë regjistrin e burimeve njerëzore të të gjithë personave të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit. Do të aplikojmë të gjitha parimet e menaxhimit të burimeve njerëzore, ku çdokush të mund të kontribuojë sipas aftësisë. Do të ndryshojmë rrënjësisht procedurat e përzgjedhjes dhe promovimit të nëpunësve publikë, si e vetmja mundësi për të garantuar qëndrueshmërinë dhe përgjegjshmërinë e administratës publike. Do të garantojmë transparencën e veprimtarisë së administratës publike si dhe përsosjen e marrëdhënies me qytetarin përmes dhënies së pandërprerë të informacionit dhe publikimit të tij.

Redaksia Online
(ad.ti/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

NJË NGA NE/ Artizania fierake rikthen veshjen myzeqare: Duhet mbrojtur nga UNESCO

NJË NGA NE/ Artizania fierake rikthen veshjen myzeqare: Duhet mbrojtur nga UNESCO