TIRANE - Kryeministri shqiptar po e lë arsimin më keq se çë gjeti, kështu është shprehur sot Milena Harito, anëtare e grupit të punës për programin e Partisë Socialiste. Në një konferëncë për shtyp, pas fjalës së Berishës në Kuvend, Harito u shpreh se “Kryeministri mburret se ka katërfishuar numrin e studentëve, por buxheti për arsimin e lartë për vitin e ardhshëm ka rënë 35 % më pak se buxheti i katër viteve më parë.

“Sapo e la Shqipërinë më keq se ç’e gjeti edhe në klasifikimin e Transparencës Ndërkombëtare për korrupsionin, Kryeministri doli sot për t’u mburrur për progresin në arsim. Por edhe arsimin kjo qeveri po e le më keq se ç’e gjeti. Nga 10 % katër vjet më parë analfabetizmi ka shkuar në 15 % lavdi kësaj qeverie. 15-vjeçarët e sotëm të Shqipërisë në testin ndërkombëtar për njohuritë e përgjithshme PISA 2011, lavdi kësaj qeverie u renditën në vendin 62 nga 67 vende. Kryeministri mburret se ka katërfishuar numrin e studentëve, por buxheti për arsimin e lartë për vitin e ardhshëm ka rënë 35 % më pak se buxheti i katër viteve më parë. Kryeministri pretendon për cilësi në arsim, por buxheti i qeverisë së tij për shkencën dhe kërkimin është sot 48 % më pak se buxheti i katër viteve më parë”, u shpreh Harito.

Më tej anëtarja e grupit të punës për Programin e PS-së u shpreh se investimet në arsim kanë rënë nga viti 2009, por Kryeministri mburret kot se ka dyfishuar pagat e arsimtarëve duke qenë se realiteti ësgtë ndryshe.

“Arsimi është një nga fushat ku fakti se kjo qeveri po e le Shqipërinë më keq se ç’e gjeti, vërtetohet lehtësisht. Nëse në vitin 2009 në arsim u investuan rreth 85 milionë dollarë, në vitin 2011 ato zbritën në rreth 50 milion dollarë dhe sot qeveria parashikon të shpenzojë më pak se 35 milion dollarë në vit.
Kryeministri mburret kotësisht se ka dyfishuar pagat e arsimtarëve, por në fakt realiteti është ndryshe. E vërteta është se fuqia blerëse e arsimtarëve ka rënë. Jo vetëm sepse sot çmimet janë rritur shumë më shumë se pagat, por edhe sepse sot një arsimtar taksohet më shumë se sa ministri i arsimit apo vetë kryeministri.
Kjo qeveri e ka 10-fishuar taksën mbi pagën e arsimtarëve. Jo vetëm që u hoqi pagën e 13-të, por me vendosjen e taksës së sheshtë vazhdon u merr prej pesë vjetësh edhe pagën e 12-të. Edhe arsimtarët qeveria po i lë më keq se ç’i gjeti”, u shpreh Milena Harito.