TIRANË – Partia Socialiste u ka bërë thirrje sot, studentëve që studiojnë jashtë vendit të mos pranojnë të vijnë në Shqipëri me biletat e ofruara falas kundrejt votës së tyre të fotografuar pro PD-së. Njëkohësisht, ka paralajmëruar kompaninë ajrore “Belle Air” se do t’i çmontojë pozitat e saj monopol pas 23 qershorit.

Milena Harito tha sot nga selia e PS-së:  “Kemi denoncuar pak ditë më parë faktin që trupi diplomatik shqiptar në bashkëpunim me kompaninë ajrore private “Belle Air”, monopol i Lulzim Bashës, ofrojnë bileta falas për emigrantë e studentë shqiptarë me kusht që ata të votojnë për kryeministrin në ikje dhe ta provojnë këtë duke e fotografuar votën e tyre.

E përsërisim! Sali Berisha bën mirë ta ketë të qartë se PS, trupa e komisionerëve dhe vëzhguesve të PS, vetë mbështetësit dhe votuesit e PS, nuk do lejojnë asnjë votues të fotografojë votën siç nuk do të lejojmë asnjë votues që të shkeli procedurën, e parashikuar në ligjin zgjedhor. Ndërsa ata sekserët e votave që kanë dyndur ambasadat, bëjnë mirë ta shënojnë që sot se pas 23 qershorit do të bëjnë shlyejnë hesapet e tyre me drejtësinë për çdo veprim të paligjshëm.

Sa për kompaninë në fjalë, aksionerët dhe drejtuesit e kësaj kompanie, të jenë të bindur se pas 23 qershorit interesi publik i konkurrueshmërisë të ndershme në treg do të vendoset e do të mbrohet me çdo kusht.  Do t’i çmontojmë pozitat monopol duke kryer një hetim kapilar që nga çmimi i biletave deri te shërbimi ndaj klientit, pagesën e detyrimeve fiskale dhe lidhjet e saj me pushtetin, si edhe përfshirjen e kësaj kompanie në skemën e dështuar të manipulimit.
PS u bën thirrje studentëve dhe emigrantëve të mos hipin në avionët e korrupsionit elektoral. Të mos e shesin votën për një udhëtim falas me kompaninë që nxjerr paratë e këtyre udhëtimeve nga çmime skandaloze që u vë shqiptarëve. Të mos pranojnë fotografimin e votës për një udhëtim falas. Vëzhgimi do të jetë shumë i rreptë në çdo qendër dhe kush fotografon votën do të kapet dhe ndëshkohet sipas ligjit. Duhet ta kini të qartë se një biletë falas për të takuar prindërit, nuk i shpëton ata prindër nga rrënimi i vendit të tyre”, - përfundoi Harito.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)