PS drejt strukturave të reja 
në dy nivele: bashkie e qarku

PS drejt strukturave të reja <br />në dy nivele: bashkie e qarku
TIRANE- Partia Socialiste po përgatitet të shkojë drejt zgjedhjes së strukturave të saj në të gjithë vendin, duke e organizuar partinë në dy nivele: në nivelin bashkiak dhe në atë në nivel qarku. Burime nga selia rozë bëjnë me dije se strukturat në nivel bashkie do të zgjedhin kryetarin dhe sekretarin e kësaj njësie, si dhe do të ketë asamble drejtuese për çdo njësi administrative.

Në këtë rast, do të shkrihen strukturat e komunave që ekzistonin deri më tani, dhe do të bashkohen me strukturat e bashkive, ashtu si ka ndodhur edhe me shkrirjen e komunave me ndarjen e re territoriale. Këto struktura do të jenë bazë për zgjedhjet lokale, pasi do të përballojnë sfidat elektorale vendore dhe përgjegjësia e strukturave do të jetë direkte. Por një nivel i dytë strukturash do të krijohet në Partinë Socialiste, ai i qarkut.

Në këtë mënyrë, në 12 qarqet do të ngrihet Këshilli Koordinues i Qarkut, e cila propozohet të mos ketë drejtues, por një deputet përgjegjës të deleguar nga Kryesia e Partisë Socialiste. Ky nivel organizativ do të jetë përgjegjës për zgjedhjet parlamentare dhe do të përfshije brenda shtabit të gjitha strukturat e bashkive që përfshihen brenda qarkut. Në këtë mënyrë, kongresi i dhjetorit do të duhet të ndërhyjë në statutin e partisë, në pjesën e tretë të tij, në nenet 13-21.

Sipas burimeve nga Partia Socialiste, procesi i riorganizimit të partisë, është i lidhur ngushtë dhe do të punohet paralelisht me analizën zgjedhore. Asambleja Kombëtare që mblidhet këtë të shtunë do të kryejë analizën e rezultatit zgjedhor si dhe të përcaktojë rrugën e kryerjes së procesit zgjedhor të strukturave të partisë. Analiza do të nisë në datën 18 korrik, ku selia rozë do të mbledhë në Tiranë, Asamblenë Kombëtare të saj. 

Në punimet e kësaj asambleje do të diskutohet procesi zgjedhor i sapombyllur, ku pritet të analizohet rezultati jo fort i mirë në disa zona, ku aleatët e majtë humbën. Kjo asamble do të jetë një takim hyrës për atë më të rëndësishmin që pritet të mblidhet në dhjetor, kur PS do të mbledhë Kongresin e saj.

Po ashtu, edhe emrat, mund të ndryshojnë sipas performancës. Këtë gjë e ka bërë me dije edhe më herët kryeministri Rama, kur është shprehur se performanca zgjedhore do të jetë përcaktuese për karrierën politike të shumë prej drejtuesve të shtabeve, duke shtuar se ata që kanë pasur rezultate, do të marrin përgjegjësitë që meritojnë. Procedimi për shkuarjen drejt zgjedhjeve në parti, dhe vendimi nëse do të ketë apo jo zgjedhje për kryetar të PS-së do të merret të shtunën në Asamble. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)