PS, frika e aleatëve, të gjithë
në pritje të telefonatës së Ramës

PS, frika e aleatëve, të gjithë<br />në pritje të telefonatës së Ramës
TIRANE - Aleatët e PS janë në pritje të takimit me kreun e zgjedhur të qeverisë Edi Rama për të vendosur piketat e marrjes së përgjegjësive në bashkëqeverisjen e vendit. Përpos LSI e cila ka marrë pesë poste ministrore dhe kreun e Kuvendit për kryetarin Ilir Meta, partitë e tjera ende nuk kanë arritur të fiksojnë postet që do drejtojnë sipas kontributeve për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Më konkret ka qënë kreu i PLD Spartak Ngjela, i cili ndonëse nuk ka shfaqur shqetësim në lidhje me zbatimin e marrëveshjes, është shprehur me tone të hidhura në lidhje me respektin që ka shoqëria shqiptare ndaj marrëveshjeve.

“Kjo është një shoqëri që nuk e njeh marrëveshjen që bëhet. Kjo është një shoqëri primitive që nuk e njeh zbatimin e termit ‘marrëveshje’. Unë nuk jam i shqetësuar nga vonesa për takimin”, ka qënë deklarata e Ngjelës për gazetën “Shqiptarja.com” në lidhje me interesimin tonë për kalimin çdo ditë e më shumë të kohës në funksion të implementimit të marrëveshjes parazgjedhore. Ngjela thotë se ai i ka dhënë pretendimet e tij e s’ka asnjë problem, vetëm pret që marrëveshja të zbatohet.

Por Ngjela dhe para se të formatohej kabineti qeveritar nga Rama kishte deklaruar se kishte marrëveshje për një post ministri me kreun e PS, marrëveshje që nuk u zbatua dhe për të cilën kishte interpretime të ndryshme. Nëse Ngjela kishte kërkuar postin e ministrit të Drejtësisë, për të mbajtur përgjegjësi siç tha ai, Rama nënvizoi para mediave se Avokati e kishte refuzuar postin e ofruar. Bëhej fjalë për ministrin e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, post që aktualisht e mban Ilirian Celibashi.

Nga ana tjetër Gjet Ndoj, kreu i AAK, njëherësh dhe koordinator mes aleatëve dhe kryeministrit të zgjedhur Rama, ka nënvizuar faktin se padurimi nuk ka vend, pasi gjithçka është breda afateve dhe limiteve kohore. Ai tha se “aleatët nuk kanë pretendime të ekzagjeruara në adresë të Ramës” dhe se “presim nga momenti në moment, ndoshta javën e ardhshme që gjithë problematika të relatohet me kryeministrin e zgjedhur”. Në të njejtën linjë ka qënë dhe kreu i PSV ‘91 Petro Koçi, që ndonëse është në pritje të takimit me kryeministrin, tha se beson se pjesëmarrja e aleatëve në bashkëqeverisje do zgjidhet në mënyrë parimore në përputhje me vlerat dhe kontributin në zgjedhje.

Dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Kristian Demokrate, Dhimitër Muslia është shprehur se nuk ka asnjë ngutje për takimin me Ramën dhe përcaktimin e përgjegjësive në bashkëqeverisje, pasi “gjithçka është brenda afateve dhe limiteve kohore”. Marrëveshja përcakton dhe numrin e votave që duhet të marrë çdo parti për të përcaktuar nivelin e përfaqësimit në qeverisje. Nëse merr një deputet në mënyrë të drejtëpërdrejtë, pavarësisht se nuk merr numër të madh votash, atëherë partia ka të drejtë të kërkojë post ministri përcakton marrëveshja e arritur me Ramën.
 
KRERËT ALEATË, ÇFARË THANË
 
Spartak Ngjela-PLD: Kjo është një shoqëri që nuk e njeh marrëveshjen që bëhet. Kjo është një shoqëri primitive që nuk e njeh zbatimin e termit ‘marrëveshje’. Unë nuk jam i shqetësuar nga vonesa për takimin. Nuk di gjë se kur do bëhet takimi. Nuk na kanë thënë. Unë nga ana ime i kam dhënë pretendimet e mia dhe nuk kam asnjë problem. Pres që ato të zbatohen.
 
Petro Koçi-PSV 91: Besoj se pjesëmarrja e aleatëve në bashkëqeverisje do zgjidhet në mënyrë parimore dhe përpjestuese, në raport me kontributet, vlerat dhe rezultatin elektoral të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ne jemi në pritje të takimit.
 
Gjet Ndoj-AAK: Ajo që unë do të them se jemi brenda limiteve kohore dhe padurimi nuk ka vend. Jemi brenda limiteve kohore përsa na përket ne si AAK. Përsa i përket punës si koordinator, vazhdoj konsultimet me aleatët për të parë se deri ku janë pretendimet, ku natyrisht është marrëveshja orientimi kryesor. Përgjithësisht ka dhe një mirëkuptim nga kryetarët e partive për të qënë brenda marrëveshjes, nuk ka pretendime të ekzagjeruara në adresë të kryeministrit të zgjedhur. Presim nga momenti në moment, ndoshta në javën e ardhshme që gjithë problematika të relatohet me kryeministrin e zgjedhur, në funksion të arritjes së akordit nga ana ime, ndoshta dhe nga krerët e partive aleate, për të definuar për secilin prej tyre marrëveshjen dhe implementuar atë në qeverisjen e pas pak ditëve.

Dhimitër Muslia-PKDSH: Jemi në pritje të takimit, por ajo që mund të them është se ne jemi brenda afateve dhe limiteve kohore. Pasi  marrëveshja zbatohet dhe kur të fillojë punë qeveria. Prandaj nuk ka asnjë vend për ngutje. Do presim që të zbatohet marrëveshja.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 31.08.2013
 
Rdaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim