PS: Hetim për Berishën, Bashën e Lezhjen

PS: Hetim për Berishën, Bashën e Lezhjen
TIRANË – Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Sajmir Tahiri deklaron se do të votojë heqjen e imunitetit për 3 ligjvënësit e saj, të cilët do të hetohen nga prokuroria për demonstratën e 21 janarit.
Tahiri foli në emër të kryesocialistit Rama, i cili ndodhet për një vizitë njëditore në Gjermani.
“Nëse prokurorisë i duhet kontributi në hetim i tre deputetëve të PS, jemi gati të votojmë heqjen e imunitetit të tyre dhe të të gjithë deputetëve pjesëmarrës në demostratën e 21 janarit për të ndihmuar në zbardhjen përfundimtare të së vërtetës. Vetë kryetari Edi Rama thekson se në mungesë të imunitetit të tij parlamentar është në dispozicion të prokurorisë bashkë me të gjithë deputetët”, tha Tahiri.
Ai tha se PS i mbetet hetimit deri në fund të ngjarjes së 21 janarit 2011, por duke mos përjashtuar njerëzit që urdhëruan vrasjet.
“Të kërkosh imunitetin e tre deputetëve opozitarë dhe jo të Sali Berishës, që ka përgjegjësinë e madhe të vrasjeve të 21 janarit, nuk është aspak normale. Opozita shqiptare akuzon Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën si përgjegjës të drejtëpërdrejtë për përdorimin e pushkëve ndaj popullit, me pasojë vrasjen e katër njerëzve të pafajshëm dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve.Ata duhet të hetohen deri në fund, ata duhet të merren në procedim menjëherë, edhe Sali Berisha edhe Lulëzim Basha, përndryshe kërkesa për imunitetin e tre deputetëve opozitarë nuk mund të mos na duket si manovër për të krijuar një ekuilibër të papranueshëm në hetime”, tha Tahiri.
Sipas socialistëve, nëse ky do të jetë rasti dhe Sali Berisha do lihet jashtë hetimeve, Lulëzim Basha do lihet jashtë hetimeve, madje edhe Gjergj Lezhja përgjegjësi direkt për mirëmbajtjen e serverit dhe shërbëtori i parë i Sali Berishës në atë godinë, do lihet jashtë hetimeve, opozita do ta konsiderojë përfshirjen e tre deputetëve të saj në hetime si një kalkulim ekstraligjor të prokurorisë për të dalë mbi palët, por në fakt duke u bërë palë në pengimin e drejtësisë së plote për 21 janarin.


DOSHI: PROKURORIA TË GJEJË VRASËSIT NË PUSHTET
Deputeti i PS Tom Doshi ka reaguar menjëherë pas deklaratës së kryeprokurores Ina Rama se është kërkuar heqja e imunitetit të tij si deputet.
Në orën 18.00, deputeti i PS Tom Doshi ka dhënë një deklaratë për median, në mënyrë elektronike, ku deklaron se do të jetë i pari që do të votojë në kuvend pro heqjes së imunitetit për veten.
“Sapo u njoha me deklaratën e Prokurores së Përgjithshme se është kërkuar imuniteti im parlamentar për hetimet e 21 Janarit. Shpreh gatishmërinë time të menjëhershme të vihem në dispozicion të hetimeve, duke mbështetur parimisht këtë kërkesë.
Do të votoj edhe vetë PRO kësaj kërkese ditën që do vijë në Parlament. Unë kam qenë në këtë protestë si deputet i Partisë Socialiste dhe kam demonstruar i qetë dhe paqësisht. Edhe kur Policia dhe Garda filluan të godasin, rrahin dhe më pas vrasin protestuesit, unë kam kontribuar për të qetësuar protestuesit, për të ndaluar aktet e dhunshme. Çdo hap imi atë ditë është filmuar dhe çdo gjë është transparente. Prokurorja e Përgjithshme sot deklaroi se Policia e Shtetit ka deklaruar me shkrim dhe zyrtarisht se nuk mund të provojë asgjë të dhunshme të organizuar politikisht në organizimin e protestës. Prokurorja i ka gjetur vrasësit ordiner. Prokuroria duhet të gjejë sa më shpejt vrasësit me pushtet, ata që kanë urdhëruar vrasjet. Kur vret kryetari i Gardës së Republikës, askush nuk ka dyshim se urdhërin e ka dhënë Kryeministri. Kur provat e vrasjeve dhe udhrave fshihen nga stafi i Keshillit të Ministrave, askush nuk ka dyshim se urdhëri është dhënë nga Kryeministri. Sot është hedhur një hap i madh për vënien në vend të drejtësisë për krimin e 21 Janarit. Punë të mbarë Prokurorisë” thuhet në deklaratën dhënë për mediat të deputetit të PS, Tom Doshi.

BALLA: NË GJYQ TE SHKOJË SALIU
Pas reagimit të parë të deputetit Tom Doshi, ka reaguar edhe deputeti Taulant Balla mbi kërkesën që i ka bërë prokuroria për heqjen e imunitetit të tij si deputet.
“Ai që duhet të shkojë përpara gjyqit është Saliu, është Lulëzim Basha. Ne jemi gati të heqim imunitetin e çdo deputeti që kërkon prokuroria, por të hetosh Besnik Baren  dhe të mos hetosh Saliun është qesharake. Të më hetosh mua dhe jo Lul Bashën është qesharake. Ne duam drejtësi” është reagimi i deputetit Taulant Balla për shqiptarja.com.

(ab/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse