TIRANE-  Socialistët nuk janë ndalur vetëm në kuadrin e akuzave dhe të deklaratave për presionin e ushtruar nga ana e mazhorancës ndaj administratës, por dhe i janë drejtuar Prokurorisë, duke i kërkuar të ngrejë një Task Forcë speciale.

Kallëzimi u dorëzua sot paradite nga n/sekretari për çështjet zgjedhore Bledar Çuçi. PS i kërkon zyrtarisht organit të akuzës për t'u bërë pjesë aktive e parandalimit dhe ndëshkimit të shkelësve të ligjit zgjedhor, pranë prokurorisë ajo ka çuar edhe kallëzimet e para penale.

Disa drejtues çerdhesh, kopshtesh e shkollash janë denoncuar nga vartës të tyre pasi sipas kallëzimit penal, i kanë detyruar të marrin pjesë në mitingje, si dhe të aktivizohen në takimet e organizatave të PD-së.

 “Në Kodin Penal janë shtuar mbi 8 vepra te reja penale që lidhen drejtëpërdrejtë, pikërisht me cënimin e standardeve dhe rregullave dhe Kodit Zgjedhor. Sot kallëzimet kishin të bënin me kërcënimet apo shtrëngimet, detyrimet që zyrtarë të ndryshëm të shtetit kanë ushtruar ndaj vartësve të tyre për pjesëmarrje në fushatën zgjedhore dhe me detyrimin për të nxjerrë nxënësit e shkollave në mitingje elektorale. Drejtuesit e këtyre institucioneve janë edhe personat që janë kallëzuar dhe të penalizuarit janë sigurisht vartësit e tyre”, tha Bledar Çuçi.  Perveç presionit që sipas tyre është përdorur ndaj tyre, ata që kanë refuzuar thuhet në kallezimin penal, janë larguar edhe nga puna.

(sg/shqiptarja.com)