TIRANE- Partia Socialiste do të nisë në shtator debatin e gjerë në bazën e anëtarësisë për ndryshimet statutore. Grupi i punës i ngritur prej Asamblesë ka parashikuar të hartojë një kalendar me takime në rang kombëtar, ku parashikohet që në 61 bashkitë e reja, të diskutohen propozimet e bëra nga grupi i punës si dhe të merren mendimet e anëtarësisë. Propozimi kryesor, tashmë i bërë publik, është ndryshimi i rregullave për zgjedhjen e kryetarit.

Grupi i punës do t’i propozojë  anëtarësisë, që kryetari të mos zgjidhet domosdoshmërish çdo 4 vjet, sikundërse deri më tani thuhet në statut. Ndryshimi kërkon, që, në rastet kur kryetari i partisë fiton zgjedhjet parlamentare, mandati i tij të zgjatet automatikisht edhe 4 vjet. Nëse Kongresi i PS-së do të miratojë një ndryshim të tillë, ai do t’i japë fund një diskutimi të gjatë, të kryesuar nga Ben Blushi, se pse Rama nuk po zhvillon zgjedhje në parti. Ndryshimi i dytë që pritet t’i propozohet bazës, është ndryshimi i strukturës organizative të Partisë Socialiste.