TIRANE- Socialistët duket se nuk e kanë lënë në harresë ngjarjen e 21 janarit të vitit të kaluar, kur përballë kryeministrisë u vranë katër protestues dhe u plagosën disa të tjerë. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje, PS pritet të nisë dhe vitin politik, përmes disa aktiviteteve të rëndësishme dhe me një shtrirje të madhe.

Deri më tani janë në diskutim disa mundësi për të përkujtuar 21 janarin, por ende nuk ka marrë dorën përfundimtare mënyra se si do të emërtohet ky aktivitet, nëse do të jetë një protestë në heshtje apo një aktivitet i mbyllur. Mendime ka që të jenë disa të tillë, ndërkohë që më 15 janar viti politik do të hapet me një Konventë Rinore, pasi në këtë datë Forumi Eurosocialist mbush plot 20 vite e për këtë nuk do të ketë thjeshtë një festë.

Sekretari për rininë në bashkëpunim me të rinjtë e FRESSH dhe drejtuesja aktuale Elisa Spiropali kanë hedhur idenë e organizimit të një konvente të gjerë rinore, ku do të jenë të ftuar të gjithë drejtuesit e PS, si dhe ish-drejtuesit e hershëm të këtij forumi, që tashmë brenda PS kanë mbetur Pandeli Majko e Ilir Zela, pa përjashtuar ftesën për Gjergji Kojën, duke përjashtuar Metën dhe Kryemadhin.