TIRANË –  Përfaqësues të FMN-së janë takuar sot me kryetarin e grupit për programin qeverisës të PS-së, Ilir Beqaj në selinë e kësaj partie. Qëllimi ishte njohja me synimet dhe programin e së majtës, në kushtet kur PS-ja ka konformuar se do të bashkëpunojë ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Beqaj ka njoftuar paraprakisht se do të bëhet një vlerësim i situatës financiare të vendit dhe ekipi do të takohet për të punuar ngushtësisht në muajt tetor – nëntor.

"Takimi i sotëm ishte një takim njohës, i cili do të punojë në Shqipëri në muajt tetor-nëntor për të bërë një vlerësim të situatës së sektorit financiar. Sot takimi ishte me kërkesë të FMN-së për një punë teknike që do të bëjmë në tetor dhe nëntor. " - tha Beqaj pas takimit me ekspertët e FMN.
 
Ekspertet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar mbërritën në Tiranë dy ditë më parë dhe zhvilluan takime me Guvernatorin e Bankës Qendrore, Ardian Fullani dhe më pas me ministrin e Financave Ridvan Bode.

Ata janë në Shqipëri për të kontrolluar sistemin financiar shqiptar. BSH informoi dy ditë më parë se me kërkesën e institucioneve shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB) do të kryejnë përditësimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP).

Nëpërmjet vlerësimeve të FSAP-së, dy institucionet e rëndësishme ndërkombëtare ofrojnë një analizë të plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar të një vendi dhe mbi nevojat që ai ka për t’u zhvilluar më tej. Vlerësimi i fundit i FSAP-së për Shqipërinë është kryer në vitin 2005, dhe ky ushtrim i planifikuar do të realizojë një përditësim të vlerësimit të mëparshëm. 

Misioni planifikues i FSAP-së do të qëndrojë në Tiranë në datat 17-19 korrik për të diskutuar me autoritetet vendase mbi spektrin e shtrirjes dhe procesin. Puna kryesore për FSAP-në do të kryhet gjatë një misioni të mëvonshëm, i planifikuar paraprakisht në periudhën tetor-nëntor 2013. Veçmas nga ky proces, një mision ekspertësh të FMN-së pritet të vizitojë Tiranën në fund të muajit shtator 2013. 

Kjo vizitë është pjesë e mbikëqyrjes ekonomike që kryen FMN-ja dhe do të pasohet nga një mision i Konsultimeve për Artikullin IV nga fundi i këtij viti. Zakonisht, gjetjet më të rëndësishme të Artikullit IV dhe FSAP-së përfshihen në raportin e stafit të FMN-së në përfundim të ciklit të konsultimeve. Ky "skanim" i sektorit financiar është mjaft i rëndësishëm për të bërë një diagnostikim të plotë të shëndetit financiar dhe makroekonomik të ekonomisë tonë.
 
Redaksia online
(sg/ ar.sh/shqiptarja.com)