“Mbeten 164 ditë nga dita kur shqiptarët do ti tregojnë vendin këtij blloku milionësh. Nëse kalamajtë e babit mund të fshihen pas pushtetit e gjykatave të babait tani, pas 23 Qershorit nuk do të mund të fshihen më nga drejtësia dhe përgjegjësia publike”, deklaroi Balla.
Më tej deputeti socialist ka përsëritur të gjitha faktet që ka bërë publike në media për disa ditë me radhë, në lidhje me pasurimin e familjes Berisha.
DEKLARATA E PLOTE E BALLES
Në tre javët e fundit, ne kemi hedhur dritë mbi errësirën e të ardhurave të familjes biologjike te Kryeministrit Sali Berisha. Nga kjo transparencë kanë dalë në pah disa të vërteta, që do të ishin të turpshme në çdo vend të botës.Bazuar vetëm mbi deklaratat e pasurisë së anëtarëve të familjes së ngushtë të Kryeministrit Sali është shfaqur qartë se:
E bija e Kryeministrit, Argita, është ndër mësueset më të paguara në botë, me 146 milionë lekë në vit, të ardhura vetëm nga mësuesia.
Përtej shumës së përrallore, ajo që është akoma më e pabesueshme është fakti se me tarifat normale të universiteteve private, zonja Berisha duhet të punonte 22 orë në ditë për të marrë këto pagesa.
Ndërkohë, përpara se të bëhej vetëm mësuese, kjo zonjë siguronte përfitimet, nëpërmjet studios ligjore, studio që takson bizneset me tarifa tepër të majme, 200 Euro në orë, ndërsa njëkohësisht kërkonte edhe përqindje të investimit në cdo projekt të realizuar të investitorëve të huaj, projekte që miratohen vetëm nga firma e babit Sali.
Për ta bërë këtë Argita ka përdorur edhe struktura të shtetit, madje edhe edhe ambasadorë të Republikës së Shqipërisë, të cilët e reklamojnë Argitën nëpër botë si një person me lidhje të forta. Bashkëshorti i zonjës vajzë të Kryeministrit, Jamarbër Malltezi është gjithashtu një mësues i superpaguar, me 70 milionë lekë në vit të ardhura nga mësuesia.
I biri i Kryeministrit Shkëlzen Berisha, deklaron se ka fituar mbi 490 milionë lekë vetëm nga “aktiviteti me pasuritë e paluajtshme.” Ndërkohë, në një vit ai ka depozituar nëpër llogari bankare gati 100 mijë Euro më shumë nga sa kanë qenë të ardhurat e tij në atë vit. Të tjerë të afërm të Kryeministrit dhe bashkëshortes së tij rezultojnë të jenë multi-miliarderë, me të ardhura nga cdo fushë e mundshme.
Dhe në fund Sali Babai, i cili në deklaratën e tij të pasurisë shton 10 milionësha me dorë si pare xhepi.
Familja biologjike e Sali Berishës ka patur tre javë kohë për të bërë transparencë publike mbi pikëpyetjet e mëdha për mënyrën se si i kanë vënë tërë këto para. Për të sqaruar se kush janë universitetet që paguajnë Argitës si të ishte në Harvard;
Për të treguar se çfarë aktiviteti tregtar ka zhvilluar djali i Kryeministrit. Për tu treguar shqiptarëve se si ka mundësi që ndërsa vendi po rrokulliset në varfëri e krizë, familja Berisha pasurohet në mënyrë marramendëse. Kjo nuk ka ndodhur, kalamajtë e babait nuk përgjigjen. Si çdo opozitë në botën e zhvilluar ne kemi krahasuar dhe përllogaritur këto pasuri – dhe llogaria nuk del. Në Shqipërinë ku shqiptarët e thjeshtë nuk përballojnë dot jetesën, për shkak të krizës së thellë ekonomike dhe sociale ku e ka zhytur babi i Argitës dhe Shkëlzenit, kjo lloj pasurie është e pajustifikueshme. Është e qartë se një familje është duke u pasuruar në kurriz të të gjitha familjeve të tjera.
Mbeten 164 ditë nga dita kur shqiptarët do ti tregojnë vendin këtij blloku milionësh. Nëse kalamajtë e babit mund të fshihen pas pushtetit e gjykatave të babait tani, pas 23 Qershorit nuk do të mund të fshihen më nga drejtësia dhe përgjegjësia publike.
Pas 23 qershorit do të rilindë Shqipëria. Do të rilindë edhe drejtësia e munguar. Një drejtësi e vërtetë që do të mundësojë hetimin e plotë dhe gjykimin e pa-anshëm të pasurimit të bllokmenëve të rinj në pushtet. Prandaj Sali Berisha bën mirë të fillosh të mendosh me këmbë në tokë për transparencën e pasurimit të kalamajve të tu.
Dy fjalë edhe për baltën e Saliut. Ne e dimë që shumëkush bie pre e baltës që Saliu nuk e hedh vetëm për të bërë sa më pis kundërshtarët, po edhe për të dekurajuar sa më shumë qytetarët. Për tu thënë qytetarëve në këtë mënyrë “rrini larg, ç’po ju duhet se hani ndonjë gjyle balte dhe ju gjen belaja”. Pastaj çfarë vlere ka, të gjithë njësoj janë, politika kjo është, më mirë larg. Që të gjithë nuk janë njësoj në fakt e provon edhe rasti që po mundohemi të bëjmë transparent prej kaq ditësh.
S’janë njësoj gjithë mësuesit e pedagogët e Shqipërisë me zonjën Vajzë të Kryeministrit që fiton më shumë lekë, gjoja me mësuesi, sa në universitetet më të mëdha të Amerikës. S’janë njësoj qytetarët e Shqipërisë që paguajnë faturat e dritave e të ujit edhe për ata që s’paguajnë, dhe zonja Vajzë e Kryeministrit që jo vetëm nuk tregon faturat e pagesave në universitetet që paskan shkundur arkën për mësimdhënien e Argita Berishës, por përkundrazi nxjerr përditë nga shtëpia çarçafët e mbushur me baltë shpifjesh e të sharash ndaj opozitës. S’janë njësoj as të gjithë operatorët e tregut të lirë me këtë konsulente që i merr klientët nga zyra e babait dhe i mban në kontakt përmes ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë!
Pse nuk thotë asgjë zonja Vajzë e Kryeministrit për këtë aferë kaq shembullore korruptimi të marrëdhënieve mes qeverisë e sipërmarrjes në gjithë aspektet?
Sepse s’ka çfarë të thotë pasi ne ekspozojmë fakte e shifra konkrete me dëshmitarë konkretë, jo militantë partie që recitojnë shpifje e të shara ndaj kundërshtarit!
Por, për ne, e përsëris, problemi i Shqipërisë nuk janë fëmijët e kryeministrit, por prindi i tyre, i cili për para ka korruptuar politikën, shtetin dhe moralin shoqëror të këtij vendi. Jo rastësisht sllogani i tij është për para. Dhe jo rastësisht 2013 është Viti i Ndryshimit".
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)