Partia Socialiste ka propozuar që të kalojë një projekt ligj me procedurë të përshpejtuar, ku në thelb qëndron pezullimi i të gjitha punimeve në bregdet gjatë sezonit të verës. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla tha se nisma vjen si përgjigje ndaj një shqetësimi të vazhdueshëm të deputetëve që përfaqësojnë zonat turistike.

"Besoj që ky projektligj sjell në Kuvend adresimin e një shqetësimi që çdo deputet, kryesisht përfaqësues i zonave bregdetare turistike dhe atyre liqenore, lidhur me nevojën për të pezulluar përgjatë kulmit të sezonit turistik", u shpreh ai.

Sipas Ballës, nuk janë të pakta rastet kur punimet vijojnë pranë strukturave akomoduese, duke krijuar shqetësime për pushuesit. Ai theksoi se pezullimi i punimeve do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ofertës turistike.

“Kemi propozuar që në pr.ligjin për turizmin, të pezullohen punimet e ndërtimit gjatë kohës së sezonit turistik, duke garantuar cilësi më të lartë të ofertës turistike në vendin tonë. Pjesa tjetër ka të bëjë me regjistrin elektronik të turistëve. Të ketë një sistem të regjistrimit të personave që akomodohen në atë strukturë hoteliere. Përfshirë këtu edhe një rast që e kam bërë publik bashkë me deputetë të Kavajës, lidhur me pamundësinë por edhe paaftësinë, rasti i bashkisë së Kavajës është më uniku, ku një bashki pjesën e administrimit të mbetjeve e ka lënë jashtë kontrolli, ndërkohë që strukturat akomoduese duhet të kenë një vend të caktuar të tyre për administrimin e mbetjeve. Nuk mund të shkojë hoteli ti hedhë mbetjet në koshin e plehrave të lagjes”, tha Taulant Balla.

Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime të tjera që lidhen me standardizimin e kategorizimit të hoteleve, regjistrimin elektronik të klientëve dhe përmirësimin e administrimit të mbetjeve nga strukturat akomoduese.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ PD e PL bojkot! PS përplaset me ‘opozitën e re’ për spastrimin etnik në Kosovë! Muçi e Kapri: Rama hesht për ministren serbe! Balla: S’tallemi me çështjet kombëtare