TIRANE-Asambleja Parlamentare PS diskutoi dhe miratoi në parim platformën e strategjinë elektorale për zgjedhjet e ardhshme . E nisur rreth orës 11:00 mbledhja e cila zgajti rreth 2 orë u zhvillua me dyer të mbyllura në ambientet e "Xibrak"-ut.

"Asambleja Parlamentare PS diskutoi dhe miratoi në parim platformën e strategjinë për zgjedhjet e ardhshme elektorale 2013. Diskutimi i Asamblesë, u fokusua në dy aspekte. Së pari, në aspektin e komunikimit, përçimit të mesazhit të kësaj partie, për arsyet që ne do të paraqesim para elektoratit shqiptar pse duhet të votojnë Partinë Socialiste dhe Programin e saj “Për një Rilindje Shqiptare”.
Së dyti, u diskutimi i shtrua gjerësisht për aspektet organizative, pjesë e punës së vazhduar të partisë gjatë vitit në vazhdim, deri ditën e zgjedhjeve. Këto ditë deri në zgjedhje, që janë më pak se 260 ditë që kanë mbetur për cdo anëtar e mbështetës të saj do të jenë ditë pune e përpjekje për të arritur fitoren e zgjedhjeve parlamentare. Kjo strategji do të përçohet në të gjithë elektoratin për të dëshmuar arsyet pse nuk duhet të vojtojë qeverinë e Sali Berishën”- tha sekretari organizativ i PS-se Blendi Klosi për gazetarët menjëherë pas përfundimit të Asamblesë Parlamentare.

RAMA: KOALICION ME PARTITE QE DUAN RREZIMIN E BERISHES

Burime brenda PS bëjnë të ditur se në fjalën e tij Rama ka deklaruar se PS do të bëjë koalicion me të gjithë ata parti që janë për largimin e qeverisjes Berisha. “Të gjithë partitë të cilat kanë përqasje në konceptin tonë principet tona për të larguar këtë keqverisje ato do të jenë në koalicion parazgjedhor me ne.”- citohet t’u ketë thënë Rama anëtarëve të Asamblesë. Ai bëri thirrje për bashkëpunim për një fitore sa më të thellë dhe një program ndryshe nga ai i kryeministrit Berisha. Kryesocialisti ka kërkuar angazhimin e të gjithë anëtarëve për të punuar me ”elektoratin gri” personat e pavendosur për t’i bindur që të votojnë PS. Ai ka kërkuar anëtarëve të PS-së që në takimet elektorale të përqëndrohen te situata ekonomike, keqqeverisja si dhe në verifikimin e listave të zgjedhësve në të gjitha qarqet e vendit.  Në Asamble nuk ishte i pranishëm Fatos Nano, megjithëse në ditët e mëparshme u fol se do të merrte pjesë për të prezantuar një strategji të bashkimit të socialistëve.

RAPORTI PER TE PERNDJEKURIT: TE DEMSHPERBLEHEN
 
Grupi i punës për të dënuarit politikë ka paraqitur një raport në asamblenë e PS. Në raport kërkohet "Të respektohen të gjitha të drejtat e ish-të përndjekurve. Të ketë dëmshpërblim të plotë për ta. Të kenë strehim dhe pension". Raporti pritet të miratohet në fund të mbledhjes së Asamblesë

Në mëngjes iu shpërnda axhenda e mbledhjes anëtarëve të Asamblesë së PS. Shqiptarja.com shkruan sot se në dosje janë të përmbledhura piketat e platformës elektorale që përmban strategjinë elektorale të PS dhe të forcave progresiste për një qeverisje ndryshe të vendit. Njëherësh është përcaktuar si pikë tjetër dhe vizioni qeverisës që do të ofrojë PS për qytetarët shqiptarë, duke e krahasuar me vizionin regresiv që ka prezantuar në këto tetë vite qeverisja e djathtë e drejtuar nga kryeministri Berisha.

STRATEGJIA PER ZGJEDHJET E PROGRAMI QEVERISES

Një element tjetër i platformës elektorale që u  diskutua ditën e sotme nga kryetari socialist Rama me anëtarë e Asamblesë është dhe programi qeverisës i opozitës, program i cili është konsultuar me strukturat e PS, qytetarët, me partitë aleate të majta pjesë e Internacionales Socialiste, të PSE-ve por dhe ekspertëve amerikanë dhe britanikë. Ky program qeverisës pritet të pasurohet akoma më tej, me konsultat e ardhshme bashkë dhe me grupet e interesit në funksion të krijimit të bindjes tek qytetarët se PS do të sjellë një qeverisje ndryshe në vend.

Një pikë tjetër e rëndësishme në maketin e platformës elektorale pritet të jetë krijimi i ekipeve tashmë në opozitë për organizimin e PS dhe aleatëve në realizimin e fitores në sfidën e ardhshme elektorale të 2013-tës, por dhe ekipet e nesërme që do të shërbejnë për qeverisjen e vendit në të gjitha nivelet e qeverisjes qëndrore. Njëherësh si pikë tjetër e platformës elektorale do të jetë dhe qëndrimi dhe bashkëpunimi me grupet e interesit, duke filluar që nga shoqëria civile, ish-pronarët, ish-të përndjekurit politikë që kanë dhe një grup pune, biznesi etj. Ndërsa një ndër pikat e tjera të rëndësisë së veçantë është dhe partneriteti me aleatët, me të cilët pritet të nënshkruhen marrëveshje bilaterale bashkëpunimi para dhe paszgjedhore. Ndërkohë që ish-kryetari Nano nuk pritet të marrë pjesë në Asamble.

ÇFARË DO PËRMBAJË PLATFORMA ELEKTORALE E PS
Gazeta Shqiptarja.com (print) shkruante sot se pikat e platformes elektorale te PS janë:
-Strategjia elektorale e opozitës për zgjedhjet e vitit 2013, me pjesë qëndrore ekonominë, arsimin, shëndetësinë, demokracinë etj.
-Vizioni qeverisës që do ofrojë PS për qytetarët, duke e krahasuar me vizionin që ka prezantuar në këto 8 vite qeverisja e Berishës.
-Programi qeverisës i opozitës, i konsultuar me strukturat e PS, qytetarët, me partitë aleate të majta pjesë e IS, të PSE por dhe ekspertët amerikanë e britanikë.
-Krijimi i ekipeve në opozitë për organizimin e PS dhe aleatëve në realizimin e fitores më 2013, por dhe ekipet e nesërme që do shërbejnë për qeverisjen e vendit.
-Qëndrimi dhe bashkëpunimi me grupet e interesit që përfshin shoqërinë civile, ish-pronarët, ish-të përndjekurit, biznesi.
-Partneriteti me aleatët, me të cilët pritet të nënshkruhen marrëveshje bilaterale bashkëpunimi para dhe paszgjedhore.
(jm/sg/shqiptarja.com)