TIRANË- 38 deputetë të Partisë Demokratike i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese pasi PS refuzoi kërkesën e tyre për ngritjen e dy komisioneve hetimore, atë për McGonigal dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në shkresën zyrtare të depozituar nga demokratët, kërkohet që Gjykata Kushtetuese të detyrojë Kuvendin të miratojë ngritjen e dy Komisioneve Hetimore ‘Për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal’ dhe ‘Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025’.
Opozita pretendon për lidhje të kryeministrit Edi Rama dhe eksponentëve të qeverisë së tij me një raport privat të paligjshëm të ish-agjentit të FBI-së, McGonigal, i cili është i dënuar nga drejtësia amerikane. Ndërkohë kjo çështje po hetohet dhe nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, referuar deklaratës së bërë nga kreu i SPAK, Altin Dumani.
Ndërkohë, për parlamentaret e 11 majit, opozita pretendon për farsë elektorale dhe për përdorim të burimeve të administratës nga ana e qeverisë, si dhe për eliminimin e mundëisë për një garë të barabartë me qëllim marrjen e pushtetit.
"1. Pranimin e kërkesës.
2. Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit: (i) "Për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal"; (ii) "Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025".
3. Deklarimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 77/2025 të Kuvendit të Shqipërisë "Për mosmiratimin e projektvendimit "Për ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special re FBI-së Charles McGonigal".
4. Deklarimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 78/2025 të Kuvendit të Shqipërisë "Për mosmiratimin e projektvendimit "Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025".
Gjithashtu, në përfundim, për shkak të interesit publik që paraqet kjo çështje, kërkojmë përshpejtimin e shqyrtimit të çështjes", janë kërkesat që Partia Demokratike drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesa për ngritjen e dy komisioneve hetimore, u rrëzuan nga mazhoranca në seancën e 30 tetorit, moment në të cilin opozita vendosi të braktisë dhe sallën e Kuvendit në shenjë revolte. Sipas demokratëve, refuzimi i kërkesave të tyre nga mazhoranca, përbën cenim të së drejtës së pakicës parlamentare duke e bërë rolin e opozitës të papërfillshëm.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente













Po te jene te paster skan pse kundershtojne perkundrazi te jene krenar per pastertine e tyre
Përgjigju