TIRANË - Ish-deputetja dhe ish-programuesja e platformës së Arsimit në PS, Ledi Shamku ka reaguar mbi një dukuri që ajo ka vënë re tek vdekja e deputetit Sokol Olldashi.
 
“Tani që mbaruan homazhet, lotët e përshpirtjet mediatike, dua t'i them dy fjalë lidhur me shpalljen e beftë të Zisë Kombëtare n'atë ditë, kur i ndjeri Olldashi u përcoll për në banesë të mbrame”, nis komentin e saj Shamku.
 
“Me gjithë respektin për të ndjerin”, shpalljen e Zisë Kombëtare Shamku e sheh më shumë “si një Kompromis Provincash sesa një Akt Shtetëror”. Për këtë ajo ka sjellë në kujtesë që deputetin Fatmir Xhindi e vranë masakrueshëm tek dera e shtëpisë.
 
“Edhe ai deputet në 3 legjislatura, pra prej kaq do kohësh në politikë. Veç një minutë zi (të kërkuar prej nesh atbotë në Parlament), PD në pushtet asoherë nuk u shty më tej”.
 
Sipas Shamkut afërmendsh që vrasja e një deputeti është kob tejet më i rëndë kombëtar se aksidentimi me pasojë humbje jete, po ashtu i një deputeti. “Nuk do ngatërruar hierarkia e vlera, ndryshe jemi aty ku e nisa: Kompromis Provincash!”, përfundon analizën e saj krahasuese Shamku.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)