PS: Strazimiri duhet t'i përgjigjet
drejtësisë, Basha të distancohet

PS: Strazimiri duhet t'i përgjigjet<br />drejtësisë, Basha të distancohet
Partia Socialiste i ka kërkuar deputetit demokrat, Gent Strazimirit që ti përgjigjet drejtësisë, për armëmbajtjen pa leje, ndërkohë që ka theksuar se kryetari i Partisë Demokratike nuk ka faj nëse një deputet i tij proteston me armë pa leje në një protestë, siç ishte ajo e djeshmja tek liqeni artificial, por duhet të distancohet.

Në një dalje për mediat, deputetja Blerina Gjylameti ka thënë se, Partia Socialiste ka treguar se i dënon akte të tilla dhe se merr masat e nevojshme saherë që një anëtar nga rradhët e saj kapet duke shkelur ligjin.

Gjylameti ka shtuar se, Strazimiri duhet të përjashtohet nga radhët e PD-së,të dorëzojë deputetin përpara drejtësisë, pasi vetëm kështu Partia Demokratike mund të tregojë se ëhstë e sinqertë me shqiptarët për dekriminalizimin dhe Reformën në Drejtësi.

Ja deklarata e plotë e saj
Janë bërë muaj e muaj që dëgjojmë çdo ditë të njëjtin refren nga Partia Demokratike. Refrenin e dekriminalizimit, që në fakt nuk ka asnjë synim tjetër veçse të kriminalizojë çdo individ që mendon ndryshe nga Partia Demokratike. Çdo ministër, çdo deputet, çdo gazetar, kushdo që ndërmerr apo mbështet një reformë, shenjëstrohet nga Partia Demokratike si kriminel. Nuk kundërshtohen reformat, nuk ofrohen alternativa, por baltoset personalisht individi, duke u etiketuar si kriminel.
Por, pavarësisht fjalëve, në fund mbeten faktet. Dhe fakti është, se ditën e djeshme, një deputet i Partisë Demokratike, madje nga ata më të flaktët në betejën e baltosjes së mazhorances, u pa të merrte pjesë në protestën kundër ndërtimit të parkut të lodrave për fëmijë, i armatosur me pistoletë. Deputeti demokrat, protestonte dje kundër planit të Bashkisë për të ndërtuar një kënd lojërash për fëmijë dhe në brez mbante një pistoletë. Një pistoleta, për më tepër pa leje.

Të justifikosh një deputet të armatosur me pistoletë pa leje nuk është e lehtë. Sikundërse, ndryshe nga Partia Demokratike, ne nuk fajësojmë Lulzim Bashën për lajthitjen e deputetit të tij. Nuk është fajtor Lulzim Basha, përse një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike një ditë të bukur vendos të protestojë me armë kundër ndërtimit të një kopshti lodrash për fëmijë.

Por është faji i Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike që ende në këto momente, më shumë se 24 orë pas ngjarjes tronditëse, ende nuk kanë gjetur kurajon për të dënuar atë akt.

Është faji i Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, që jo vetëm nuk janë distancuar nga deputeti i armatosur me kobure në brez, por edhe e marrin atë në mbrojtje politike. Madje, madje, janë të gatshëm edhe të tallen duke thënë se pistoleta nga çadër (5 vjet më parë), është kthyer në këllëf, në çantë, në iluzion optik e kështu me radhë.

Sepse është kollaj të flasësh, por në fund janë veprimet ato që kanë rëndësi. Në Partinë Socialiste kemi vendosur një standard të lartë: nëse shkel ligjin, duhet të përballesh me ligjin. Nuk ka rëndësi nëse je deputet, apo ministër. Përpara ligjit të gjithë janë të barabartë. Ishte kjo arsyeja pse për një rast të ngjashëm, Partia Socialiste e përjashtoi deputetin nga radhët e saj, i hoqi imunitetin dhe e dorëzoi tek drejtësia.

Sepse nuk janë partitë politike përgjegjëse për lajthitjen e anëtarëve apo deputetëve të tyre. Por partitë politike janë përgjegjëse për standardin që ato vendosin kur ngjarje të tilla ndodhin.
 Dhe sot, Partia Demokratike duhet të tregojë se betejën e dekriminalizimit e ka patur të vërtetë. Të mos ketë turp të përjashtojë nga radhët e saj një person që shkel ligjin dhe ecën rrugëve të qytetit i armatosur. Të mos ketë frikë ta dorëzojë deputetin e saj përpara drejtësisë, për t’I treguar shqiptarëve se përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë.

Nëse kjo nuk ndodh, nëse Partia Demokratike vazhdon të mbaje standardin e dyfishte se çdo kundërshtar është kriminel, kurse kriminelet janë engjëj kur militojnë në Partine Demokratike, atëherë kjo tregon se Lulzim Basha dhe partia me e madhe e opozitës nuk është as e sinqertë me shqiptarët, as serioze për reformën në drejtësi.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI